Edhe pse deri te zgjedhjet evropiane ka mbetur edhe një vit i tërë, ndarja e posteve kryesore në institucionet e BE-së që pason në fund të vitit 2024 tashmë ka nisur të jetë temë e diskutimeve nëpër korridoret e BE-së dhe qarqet diplomatike. Parlamenti Evropian, tash kur dëshiron të motivojë sa më shumë qytetarë të BE-së të dalin në zgjedhje, ndodhet vetë në një moment të vështirë pas skandaleve të mëdha që e kanë goditur. Kur BE-ja merret me vetveten, atëherë nuk i mbetet shumë energji të merret me çështje të tjera shumë. Kjo vlen edhe për Kosovën dhe dialogun e saj me Serbinë
Këtë javë në seancë plenare të Parlamentit Evropian do të diskutohet dhe votohet për rezolutën vjetore për Kosovën dhe për atë për Serbinë. Tashmë dihet përmbajtja e tyre. Do të ketë përshëndetje për vendimin e formalizuar tashmë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, për çka Parlamenti Evropian ka ndihmuar tej mase. Do të përsëritet edhe thirrja që 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet që ta bëjnë një gjë të tillë, thirrje e cila edhe kësaj radhe nuk do të ketë asnjë ndikim. Do të kërkohet edhe nga Kosova, e edhe nga Serbia që të zbatojnë obligimet nga dialogu mes tyre për normalizimin e raporteve dhe do të thuhet se ky normalizim duhet të ketë edhe njohjen e ndërsjellë si pjesë përbërëse. As kjo thirrje nuk do të ketë shumë ndikim.
Por, pos rëndësisë politike që kanë raportet e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, ato që do të diskutohen dhe miratohen këtë javë kanë edhe një veçori. Janë të fundit të Parlamentit Evropian në këtë përmbajtje. Për një vit, ose në fund të muajin maj ose në javën e parë të muajit qershor të vitit 2024, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane. Kështu që, sipas planeve të tashme, në këtë mandat Parlamenti Evropian po e përmbyll punën për Kosovën dhe Serbinë dhe raportet e ardhshme do të përpilohen, diskutohen e miratohen nga ata deputetë që do të zgjidhen në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Quhen „zgjedhje evropiane“ sepse votohet për deputetë të Parlamentit Evropian dhe zhvillohen në të njëjtën kohë në të gjitha vendet anëtare, por ato janë një grumbull i zgjedhjeve nacionale kur secili shtet zgjedh numrin e caktuar të deputetëve që nga ai shtet do të ulen në karriget e deputetëve të Parlamentit Evropian në Bruksel dhe Strasburg.
Kosova, lirisht mund të thuhet se në 30 apo 40 vjetët e shkuar ka pasur fat të ketë mbështetje të madhe nga Parlamenti Evropian. Ka pasur mbështetje kur popullata e Kosovës përballej me apartheid nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Ishte institucioni i parë në Evropë ku u ftuan të flasin edhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbështeti ndërhyrjen e NATO-s, angazhimin e BE-së në rimëkëmbje pas lufte, dhe gjithmonë edhe pavarësinë e Kosovës, edhe përparimin drejt integrimeve në BE dhe liberalizimin e vizave. Duke qenë institucion i BE-së ku të zgjedhurit e drejtpërdrejtë të qytetarëve miratojnë vendime me parimin demokratik të shumicës, e jo me konsensus, Parlamenti Evropian mbetet i vetmi institucion i BE-së që Kosovën e trajton si shtet dhe kërkon nga vendet anëtare të BE-së ta njohin. Mbështetjen për pavarësinë e Kosovës Parlamenti Evropian e kishte shprehur me rezolutë edhe para se Marti Ahtisaari të propozonte „Pavarësinë nën mbikëqyrje ndërkombëtare“. Parlamenti Evropian nderoi edhe dy liderë politikë kosovarë me çmimin më të madh që ndan, çmimin Saharov. Këtë e fituan presidenti i parë i Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe shkrimtari dhe disidenti nga koha e Jugosllavisë, Adem Demaçi. Fotot e tyre sot ndodhen në muret e Parlamentit Evropian. Kosova mund të shpresojë se edhe në përbërjen e ardhshme Parlamenti Evropian ta ketë një shumicë të nevojshme për mbështetje të saj.
Por tash BE-ja në këtë një vit sa kanë mbetur deri te zgjedhjet do të merret më shumë me vetveten sesa me çështje të tjera. Edhe pse deri te zgjedhjet evropiane ka mbetur edhe një vit i tërë, ndarja e posteve kryesore në institucionet e BE-së që pason në fund të vitit 2024 tashmë ka nisur të jetë temë e diskutimeve nëpër korridoret e BE-së dhe qarqet diplomatike. Parlamenti Evropian, tash kur dëshiron të motivojë sa më shumë qytetarë të BE-së të dalin në zgjedhje, ndodhet vetë në një moment të vështirë pas skandaleve të mëdha që e kanë goditur. Disa ish-deputetë dhe deputetë aktualë janë arrestuar me akuza të rënda për korrupsion dhe krim të organizuar. Për marrje të ryshfetit për të ndikuar në raportet e Parlamentit Evropian për vendet e treta si Katari dhe Maroku. Te disa të arrestuar janë gjetur edhe shuma të mëdha parash. Në mesin e të arrestuarve ka edhe ish-deputetë që jo rrallë kanë kërkuar në paraqitjet e tyre që vendet si Kosova „të merren seriozisht me luftë kundër korrupsionit“. Tash doli se ata vetë u kanë predikuar të tjerëve të bëjnë atë që ata nuk e kanë bërë.
Këto skandale i kanë kushtuar shumë Parlamentit Evropian në humbje të besimit. Kjo mund të ndikojë në daljen e votuesve në zgjedhjet evropiane por edhe në vet rezultatin e tyre. E ai rezultat do të ndikojë në një masë edhe në ndarjen e posteve kryesore në institucionet e BE-së për pesë vjetët që do ta pasojnë pas tyre.
BE-ja merret me vetveten atëherë nuk i mbetet shumë energji të merret më çështje të tjera shumë. Kjo vlen edhe për Kosovën dhe dialogun e saj më Serbinë. Prandaj edhe periudha e mbetur deri në fund të këtij viti, konsiderohet si afat deri kur do të duhej të arrihej një rezultat konkret në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sepse ky është viti i fundit i plotë i mandatit të Komisionit Evropian, e me këtë edhe përfaqësuesit të lartë, Borrell, që merret me dialog. Në BE do të jenë më shumë të interesuar se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Evropian, kush i Këshillit e kush i Parlamentit, sesa si do të zgjidhet Kuvendi komunal i Leposaviqit apo sa do të vlejnë targat e veturave që për territorin e Kosovës i ka lëshuar Serbia.