Mënyra se si është tallur ministri i jashtëm i Rusisë, Lavrov, me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, gracka që i kanë bërë gazetarët rusë, që ai nga Moska ta kritikojë Amerikën, nuk janë vetëm gafa të shefit të diplomacisë së BE-së. Kjo vizitë, të cilën shumë diplomatë e kanë cilësuar si “fiasko”, dëshmon se si e ka humbur orientimin BE-ja në politikën e jashtme të përbashkët dhe duket sikur po e imiton Lëvizjen e të painkuadruarve. Kjo shihet edhe në zërat gjithnjë e më të shpeshtë për BE-në që të jetë mirë edhe me Amerikën, edhe Kinën, edhe Rusinë. Kjo situatë nuk shkon në favor as të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilin BE-ja ka më shumë qëndrim të afërt me Rusinë, sesa me Amerikën sa i përket rezultatit final
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, javën e shkuar ishte në Moskë. Vizita e tij u prit me shumë kureshtje. Ajo vizitë vinte në një periudhë shumë të rëndësishme. Rusia kishte dënuar me burg një kundërshtar të regjimit, për të cilin më herët thuhet se i njëjti regjim donte ta vriste me helm. Rusia kishte burgosur me mijëra njerëz që kishin dalë në shesh për të protestuar. Pritej që përfaqësuesi i lartë i BE-së të vinte në Moskë me një mesazh të fortë, të prerë dhe me kërcënime me sanksione. Pritej që Borrelli edhe ta kontaktonte Navalnyn, i cili ishte në burg. Sepse besohej se BE-ja qëndron fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe e përdor edhe fuqinë e saj politike e ekonomike për të bërë presion ndaj shteteve që i shkelin këto të drejta.
Por, ndodhi e kundërta. Përfaqësuesi i lartë i BE-së doli para gazetarëve për të dëgjuar ligjërata të mikpritësit nga Rusia për “shkeljen e të drejtave të njeriut në Evropë”, për “hipokrizinë e perëndimit” dhe për “BE-në si partnere e pabesueshme”. Dhe në fund, sapo mbaroi ky takim për BE-në, turpërues, Rusia dëboi diplomatët nga 3 shtete të BE-së. Për më tepër, Borelli në Moskë u pyet për qëndrimet e tij ndaj sanksioneve amerikane kundër Kubës. Dhe ai në emër të BE-së e kritikoi këtë qëndrim amerikan. Ndoshta nuk ishin shumë të rëndësishme vetë sanksionet sa fakti se shefi i diplomacisë së BE-së u fut në grackë, që në Moskë t’i kritikojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tema nuk është fare me rëndësi.
Mënyra se si është tallur ministri i jashtëm i Rusisë, Lavrov, me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, gracka që i kanë bërë gazetarët rusë, që ai nga Moska ta kritikojë Amerikën, nuk janë vetëm gafa të shefit të diplomacisë së BE-së. Kjo vizitë, të cilën shumë diplomatë e kanë cilësuar si “fiasko”, dëshmon se si e ka humbur orientimin BE-ja në politikën e jashtme të përbashkët dhe duket sikur po e imiton Lëvizjen e të painkuadruarve. Kjo shihet edhe në zërat gjithnjë e më të shpeshtë për BE-në që të jetë mirë edhe me Amerikën, edhe Kinën, edhe Rusinë. Kjo situatë nuk shkon në favor as të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilin BE-ja ka më shumë qëndrim të afërt me Rusinë, sesa me Amerikën sa i përket rezultatit final.
Vetë Borrelli, kur ishte pyetur për statusin e Kosovës para se ta merrte postin e shefit të diplomacisë së BE-së, kishte thënë se “Kosova nuk mund të jetë shtet nëse nuk pranohet nga Kina dhe Rusia”. Ai në këtë mënyrë injoronte faktin se Kosova është njohur nga shumica e madhe e shteteve anëtare të BE-së. Ai sillej më shumë sikur një zyrtar i OKB-së, sesa i BE-së.
Borrelli shpesh ka thënë se BE-ja duhet të ketë autonomi në politikën e saj të jashtme. Po ashtu, se duhet të llogarisë edhe në fuqinë e Kinës dhe ndryshimet në botë. Është një linjë që e ndjek një numër i konsiderueshëm i diplomatëve të qendrës së majtë në Evropë.
Se qëndrimet e BE-së, sidomos të vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, janë më të afërta me Rusinë, sesa me Amerikën, dëshmon edhe deklarata e të dërguarit të posaçëm të Borrellit, ish-ministrit të jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, se “për 5 vendet e BE-së do të jetë e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë”. Në të njëjtën mënyrë ka folur Rusia tash e sa vite. Në anën tjetër, asnjë shtet, nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës, nuk kanë thënë se për ta është e pranueshme “gjithçka që pranon Kosova”.
Tash e disa vite politika e jashtme e BE-së ndaj Kosovës drejtohet në bazë të interesave të atyre shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, më shumë sesa të atyre që e kanë njohur. Prandaj, në BE askush nuk e thotë në emër të BE-së atë që e tha presidenti amerikan, Joe Biden, se rezultati final i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Presidenti i Serbisë shpejt reagoi, duke thënë se “një gjë e tillë nuk është në asnjë dokument, as të BE-së”. Dhe e tha një të vërtetë. Kështu është për momentin, derisa dikush në emër të BE-së të mos e thotë të kundërtën.
i BE-së për të qenë mirë me Moskën e Pekinin sikur edhe me Washingtonin, duket si një tentim të bëhet një lloj i një lëvizjeje të të painkuadruarve. Ndoshta në kohën kur president amerikan ishte Donald Trumpi, një qëndrim i tillë mund të dukej më i kuptueshëm, tash ai jo vetëm që është i papranueshëm, por edhe i rrezikshëm. Sepse pa Amerikën, as BE-ja sot nuk do të ishte ajo që është. Për BE-në, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurrë nuk mund të jenë “një prej partnerëve”, por gjithmonë duhet të jetë aleati kryesor. Nëse Borrelli nuk e ndien rrezikun nga sjellja agresive e Rusisë, sepse Spanja është shumë larg, mund t’i pyesë kolegët nga vendet e Evropës Lindore, sidomos ish-republikat sovjetike nga Baltiku, të cilat sot janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Sjellja e fundit e Borrellit dhe frika në BE për “përzierjen” amerikane në “çështjen e dialogut” dëshmon se edhe në mandatin e Bidenit nuk do të jetë e lehtë të arrihet një koordinim i duhur mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.