OpEd

BE-ja është vetëm vëzhguese, e jo aktore e dramës në Siri

Rrëzimi i Assadit në Siri dhe ajo që do të pasojë tash do të dëshmojë zvogëlimin e madh të ndikimit të Perëndimit në botë. SHBA-ja nuk do më të jetë faktor aktiv nëpër botë, pos në disa vende ku i sheh interesat e veta vitale. E BE-ja edhe ashtu për një kohë të gjatë nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në skenën globale. Por BE-ja është aty për të paguar çmimin. Prandaj edhe interesi më i madh i BE-së do të jetë që të mos ketë valë të reja emigrantësh drejt Evropës dhe, në rastin edhe më të mirë, që disa që tashmë janë strehuar në Evropë, të kthehen

Perëndimi mund të ketë pasur rol të vogël në rrëzimin e Bashar al Assadit vetëm përmes ndikimit në dobësimin e regjimit të tij përmes sanksioneve shumëvjeçare e jo përmes ndonjë angazhimi aktiv diplomatik apo ushtarak. Mënyra dramatike dhe shpejtësia marramendëse, me të cilën kryengritësit morën pushtetin në Siri e befasuan edhe BE-në. Zyrtarët e saj reaguan pak a shumë sikur të ishin komentues të pavarur dhe vëzhgues e jo si do të reagonte një fuqi e rëndësishme politike në botë. Në kohërat kur BE-ja kishte ambicie, në raste të tilla do të thirreshin takime të jashtëzakonshme së paku të ministrave të Jashtëm e ndoshta edhe samite të liderëve për të diskutuar ato zhvillime dhe pasojat që do të kenë ato për BE-në dhe rendin botëror. Por tash mjafton që disa zyrtarë të lartë të bëjnë postime në rrjetet sociale, postime që nuk dallojnë prej atyre që bëjnë qytetarët e thjeshtë. Kështu edhe zyrtarët e BE-së iu gëzuan rënies së diktaturës së tmerrshme të Assadit, kërkuan që të respektohen të drejtat e pakicave dhe shprehën gatishmërinë që të ndihmojnë në rindërtimin e vendit.

Në anën tjetër, me të ardhmen e Sirisë po merren më shumë vendet e tjera. Rolin udhëheqës po e merr Turqia, e cila pos që është vend fqinj që mban barrën më të madhe të strehimit të refugjatëve nga Siria, ka edhe interesa ta veta në këtë vend. Në anën tjetër ata që deri dje ishin garantues të regjimit të Assadit, Rusia dhe Irani, po dalin me prononcime shumë të matura që sugjerojnë se do të jenë të interesuara që të kenë raporte të mira edhe me aq që do të jenë në pushtet pas Assadit. Sepse Irani dhe Rusia ka investuar shumë në Siri dhe tash do të duan t’i mbrojnë aq sa do të jetë e mundur investimet e tyre.

Në shikim të parë Irani dhe Rusia duken si humbës në fitoren e kryengritësve në Siri. Por ditët në vijim do të na tregojnë se si do të zhvillohen gjërat në këtë vend të vuajtur dhe të etur për liri e demokraci. A mungoi ndihma e Rusisë dhe Iranit për Assadin për shkak të pamundësisë së Iranit dhe Rusisë për t’i ndihmuar apo ka pasur ndonjë skenar të përgatitur me herët, nuk mund të dihet tash. Por nuk mund as të thuhet se ata që janë sot fitues në Siri, do të garantojnë siguri dhe demokraci sipas standardeve perëndimore. Rënia e diktaturave në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, nga Libia, Iraku, Tunizia e deri tek Egjipti kanë dëshmuar se sa vështirë është që pas diktaturës të ndërtohet demokracia. Dhe duket se Perëndimi më nuk është i interesuar që të angazhohet për promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë nëpër botë. SHBA-ja e ka bërë të ditur qëmoti se promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë nuk e ka më prioritet në politikën e jashtme. Dhe kjo nuk lidhet me Donald Trumpin. Ishte Joseph Biden ai që tërhoqi Amerikën tërësisht nga Afganistani duke lënë popullin e atij vendi në mëshirën e talibanëve. Qindra miliarda dollarë të shpenzuar, dhjetëra vite angazhim ushtarak dhe civil në edukimin e popullit afgan për vlerat e demokracisë, u shembën për një ditë. E kur u tërhoq SHBA-ja nga Afganistani, evropianët nuk patën rrugëdalje tjetër, por që të tërhiqen në të njëjtën kohë. Sepse BE-ja nuk e ka as sot fuqinë që të jetë e angazhuar në ndonjë vend të rrezikshëm pa Amerikën. Madje nuk është në gjendje as veten ta mbrojë sot pa llogaritur në Amerikën. Pas kësaj, evropianët vazhduan kujdesin për të drejtat e njeriut në Afganistan, por këtë e bëjnë vetëm duke lëshuar deklarata, apo postime në rrjetet sociale, përmes së cilave i bëjnë ftesë regjimit të talibanëve që të mos jetë tepër i ashpër ndaj grave dhe vajzave që marrin guximin të kërkojnë të shkojnë në shkolla.       

Rrëzimi i Assadit në Siri dhe ajo që do të pasojë tash do të dëshmojë zvogëlimin e madh të ndikimit të Perëndimit në botë. SHBA-ja nuk do më të jetë faktor aktiv nëpër botë, pos në disa vende ku i sheh interesat e veta vitale. E BE-ja edhe ashtu për një kohë të gjatë nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në skenën globale. Por BE-ja është aty për të paguar çmimin. Prandaj edhe interesi më i madh i BE-së do të jetë që të mos ketë valë të reja emigrantësh drejt Evropës dhe, në rastin edhe më të mirë, që disa që tashmë janë strehuar në Evropë, të kthehen. Sa BE-ja ka qenë në dijeni për atë që ishte duke u zier në Siri, më së miri ilustron bindja e shprehur para vetëm disa javësh se shumë refugjatë nga ky vend që janë në Evropë tash mund të kthehen, sepse Siria është e sigurt. Me “e sigurt“ mendonin në stabilitetin e regjimit të Assadit. 

Duket sikur kanë kaluar kohërat kur Perëndimi ndihmon popujt që duan të çlirohen nga diktaturat dhe të bëhen demokraci. Por rënia e Assadit dëshmon se as diktaturat nuk munden më të llogarisin në mbrojtjen nga vendet antiperëndimore si Rusia dhe Irani.

Siria pas Assadit do të jetë tash një test për të parë nëse një rrëzim nga brenda i një diktature mund të pasohet me paqe, stabilitet dhe rindërtim të një shoqërie dhe shteti. Së pari fqinjët e Sirisë, sidomos Turqia dhe Jordania, do të kenë dobi nga një tranzicion paqësor në Siri e pastaj edhe Evropa e bota. Një kaos në të cilin do të mund të hyjë Siria pas Assadit, me apo pa ndikim nga jashtë, do të paraqesë rrezik edhe më të madh për rajonin edhe ashtu të trazuar, por edhe për Evropën, e cila gjithmonë paguan çmimin. E në diskutimet për të ardhmen e Sirisë, pos ndonjë konference donatorësh, duket qysh tash se BE-ja nuk do të ketë ndonjë rol të rëndësishëm. Më shumë do të jetë vëzhguese e asaj që do të bëjnë të tjerët.