BE-ja ka dhënë mbi 2 miliardë euro për programin botëror të vaksinimit Covax, nga i cili do të vijnë shumica e dozave për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ka dhënë edhe 70 milionë shtesë për ndihmë për vaksinim në Ballkan. Së fundi, edhe 5 milionë të tjera. Por, asnjë dozë të vetme të vaksinave nuk e ka dhënë donacion. Sepse thotë se nuk ka sa duhet as për vete. Paratë, pra, duket se nuk janë problem por vaksinat po. Por, po të mos ishin avulluar apo shpenzuar pa nevojë, Kosova pa problem ka mundur të ketë para për t’i blerë edhe vetë vaksinat. Paratë që u “avulluan” nga buxheti (mbi 2 milionë euro) do të mjaftonin për shembull për më shumë se 1 milion vaksina AstraZeneca, po të siguroheshin sipas çmimit që vlen për BE-në. Me mbi 5 milionë euro, sa shpenzoi diaspora e Kosovës për t’i dërguar votat me postë, do të mund të vaksinohej e tërë popullata
Sado që duket pak e besueshme thënia se “paratë nuk mjaftojnë gjithmonë për të blerë gjithçka”, është dëshmuar të jetë e saktë sa i përket sigurimit të mallit më të kërkuar momentalisht në botë: vaksinave kundër virusit korona. Një virus që ka goditur tërë globin, për fitoren ndaj të cilit arma më e mirë është vaksina, nuk ka as përafërsisht sa duhet të tilla në treg. Për një botë prej afër 8 miliardë njerëz, deri me tash janë shpërndarë vetëm 354 milionë doza. Prej tyre mbi 110 milionë kanë shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 65 milionë të tjera në Bashkimin Evropian. Diku rreth 90 për qind e vaksinave janë shpërndarë në vendet që kanë më pak se 10 për qind të popullatës së botës. Kjo e dëshmon vërtetësinë e një thënieje tjetër të famshme: “Nëse diçka nuk mund të blesh me para, mund ta blesh me shumë para!”
Problemet me sigurimin e vaksinave këtë vit janë të ngjashme me problemin e sigurimit të testeve para një viti kur shpërtheu pandemia. Edhe atëherë, vetëm shtetet e pasura kishin mundësi të testonin një numër më të madh të qytetarëve. Dhe kështu ta vinin më shumë nën kontroll pandeminë. Njëlloj ishte edhe për sigurimin e maskave mbrojtëse. Tash gara se kush do t’i vaksinojë më shpejt qytetarët e vet është shndërruar jo vetëm në një përpjekje për ta mbrojtur shëndetin e popullatës, por edhe për ta nisur rimëkëmbjen e ekonomisë. Sepse ata të cilët të parët do t’i imunizojnë qytetarët do të jenë më të shpejtë edhe në normalizimin e jetës dhe me këtë edhe në shpejtësinë me të cilën do t’i rikthejnë aktivitetet normale politike, shoqërore, shkollore e jo vetëm shëndetësore. Pra, për shtetet e pasura, investimi në vaksinim është investim edhe në shkollim, kulturë, ekonomi e jo vetëm në shëndetësi.
ka dhënë shembuj të mirë të solidaritetit. Shumë njerëz kanë ndihmuar fqinjët, shumë shtete kanë ndihmuar shtetet e tjera. Por, kanë dhënë edhe dëshmi se secili “bën kryqin së pari për vete”.
Kosova, e zënë me papjekurinë e udhëheqësve politikë, me rrëzime qeverish në kohë pandemie, me neglizhim të krizës për shkak se politika ishte prioritet kundrejt shëndetit të njerëzve, mbeti pa vaksina tash kur kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur ka nisur vaksinimi në shtetet e para që i siguruan vaksinat. Kur kësaj i shtohet kultura tashmë e krijuar e varësisë në Kosovë, se të tjerët duhet ta bëjnë punën tonë, kuptohet edhe më shumë se si Kosova ngeli pa asnjë dozë.
Është e vërtetë se BE-ja kishte premtuar se do ta ndihmojë Kosovën t’i sigurojë vaksinat e para. Por, është naive që në bazë të premtimeve të dikujt të mbetesh pa vaksina, sepse ke besuar në ato premtime. Një papërgjegjësi të tillë nuk ka të drejtë ta bëjë asnjë qeveri e asnjë shteti. Sepse BE-ja mund të ndihmojë – nëse do – por nuk mund ta kryejë punën e Kosovës.
Edhe sot në Bruksel thonë se Bashkimi Evropian nuk ka hequr dorë nga qëllimi që një pjesë e vaksinave që janë siguruar për vendet e saja anëtare të jepen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Por, tash kur kanë kaluar dy muaj e gjysmë prej kur ka nisur vaksinimi në BE, asnjë dozë e vetme nuk është dhënë nga vendet e BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vaksina kanë vetëm ato shtete të cilat i kanë siguruar vetë, siç janë Serbia dhe Shqipëria, apo ato që ua ka falur Serbia, siç janë Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i zi. Kosova ka mbetur e vetmja pa asnjë dozë.
Mund të thuhet se BE-ja nuk e ka përmbushur premtimin për donacione të vaksinave, por nuk mund të thuhet se nuk ka ndihmuar.
BE-ja ka dhënë mbi 2 miliardë euro për programin botëror të vaksinimit Covax, nga i cili do të vijnë shumica e dozave për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ka dhënë edhe 70 milionë shtesë për ndihmë për vaksinim në Ballkan. Së fundi, edhe 5 milionë të tjera. Por, asnjë dozë të vetme të vaksinave nuk e ka dhënë donacion. Sepse thotë se nuk ka sa duhet as për vete. Paratë, pra, duket se nuk janë problem por vaksinat po. Por, po të mos ishin avulluar apo shpenzuar pa nevojë, Kosova pa problem ka mundur të ketë para për t’i blerë edhe vetë vaksinat. Paratë që u “avulluan” nga buxheti (mbi 2 milionë euro) do të mjaftonin për shembull për më shumë se 1 milion vaksina AstraZeneca, po të siguroheshin sipas çmimit që vlen për BE-në. Me mbi 5 milionë euro, sa shpenzoi diaspora e Kosovës për t’i dërguar votat me postë, do të mund të vaksinohej e tërë popullata.
Në këtë kohë, po të kishte vullnet dhe zgjuarsi, edhe Kosova e varfër do t’i kishte siguruar vaksinat së paku për një pjesë të popullatës dhe për grupet më të rrezikuara. Dhe do të kishte mundësi t’i paguante edhe me paratë e veta. Sepse edhe për Kosovën shpenzimet financiare do të ishin dukshëm më të vogla sesa pasojat financiare që do të ketë zgjatja e pandemisë.
Vaksinat janë të shtrenjta, por jo edhe aq. Testimet në këtë moment janë më të shtrenjta sesa edhe dozat më të shtrenjta të vaksinave.
Komisioni Evropian asnjëherë nuk i ka bërë publike çmimet me të cilat i ka porositur mbi 2.3 miliardë doza për vendet e saja anëtare. Pra, ka porositur tri herë më shumë vaksina sesa nevojitet për t’i vaksinuar rreth 450 milionë banorë sa ka BE-ja. Kjo për shkak se për shumicën e vaksinave nevojiten dy doza. Por, në bazë të një çmimoreje që “gabimisht” kishte rrjedhur nga Qeveria e Belgjikës, të cilën deri më tash askush nuk e ka demantuar, vaksina e kompanisë Astra Zeneca kushton vetëm 1.78 euro. Në shqip, “një euro e 75 centë”. Kjo për shkak se kompania që e ka prodhuar ka marrë obligim që në fillim të mos fitojë nga kjo vaksinë, pasi ka marrë ndihmë financiare nga BE-ja. Nuk është sqaruar se a vlen një obligim i tillë vetëm ndaj BE-së, apo në përgjithësi. Pra, nëse sigurohen me këtë çmim, nëse Kosova merr së shpejti rreth 30 mijë doza të kësaj vaksine, vlera do të ishte diku më pak se 50 mijë euro. Për secilën ndihmë duhet të jemi jashtëzakonisht falënderues. Sepse, së paku në fazën fillestare, vaksinat duket se nuk kanë çmim. Së shpejti do të vijë koha kur vaksina do të ketë me bollëk në treg dhe kur prodhuesit do të bëjnë gara me njëri-tjetrin se kush do të sigurojë blerës më shpejt. Edhe BE-ja do të ketë mjaft vaksina për t’i dhënë si “donacion”, që do të paguhen nga vendet përfituese, prapë ndoshta me paratë e dhëna nga BE-ja.
Pra, nga ato 70 milionë sa janë dhënë për ndihmë vendeve të Ballkanit, mund të paguhen vaksinat që do të vijnë nga vendet e BE-së për vendet e rajonit.
Për vendet e Ballkanit, edhe për Kosovën, mund të ndodhë që këto çmime të jenë shumë më të favorshme, sepse janë siguruar nga BE-ja me kontrata me prodhuesit. Ndoshta me kontrata individuale do të kushtonin më shumë.
Sipas çmimeve që u përmenden nga mediat në Belgjikë, e që nuk janë demantuar, vaksina më e shtrenjtë është ajo e kompanisë Moderna, që thuhet të ketë kushtuar 18 dollarë për një dozë. Pastaj ajo e BioNTech/Pfizer 12 euro, ndërsa e kompanisë Johsnon&Johnson, që sapo është aprovuar nga BE-ja, do të kushtonte 8.50 dollarë. Ky do të ishte një çmim shumë i favorshëm, sepse për këtë vaksinë mjafton vetëm një dozë. Vaksinat e tjera që kanë porositur nga BE-ja, e që ende nuk janë aprovuar, do të kushtonin 7.56 euro, ajo e kompanisë Sanofi/GSK, dhe 10 euro e CureVac.
Në afat të gjatë, nëse do të duhet të vaksinohet popullata rregullisht, vaksinimi gjithsesi do të jetë edhe barrë financiare për secilin shtet. Por, për fazën fillestare, duket se secili vend do të mund t’i siguronte dozat e para – edhe Kosova. Por, ka dështuar t’i sigurojë deri më tash.
Në BE thonë se Kosova dhe vendet e tjera nuk kanë pasur asnjë pengesë që në mënyrë individuale të bëjnë kontrata dhe t’i sigurojnë vetë vaksinat. Kufizimet ekzistojnë vetëm për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk mund të kenë kontrata me ato kompani me të cilat Komisioni Evropian ka bërë kontrata. Tash duhet të presim që BE-ja t’i përmbushë nevojat e veta, e pastaj, nëse do të ketë teprica, t’i japë edhe Kosovës. Këtë mund ta presim, por jo edhe ta kemi të vetmen alternativë. Kështu, duke besuar se “integrimi në BE nuk ka asnjë alternativë”, kemi ngelur në shumë fusha e nuk jemi nisur në procesin e integrimit evropian. Duke pritur që BE-ja të na sigurojë vaksinat, kemi mbetur pa to. Fajin nuk e ka BE-ja, edhe pse mund të na mbetet hatri, sikur një fëmije kur prindërit nuk ia përmbushin dëshirat apo premtimin e dhënë. Koha është që edhe Kosova të rritet, edhe pse ende nuk e ka mbushur moshën madhore prej kur e ka shpallur veten të pavarur, por as nuk i ka kuptuar detyrat që i ka një shtet i pavarur ndaj qytetarëve të vet.