E dimë që ngjarje të shkeljes së të drejtave ligjore e kushtetuese në Kosovë na ndodhin shumë shpesh. Ngase ka mungesë të plotë të llogaridhënies për veprimet e vendimet që merren ose nuk merren nga biçim drejtuesit e institucioneve. Askush nuk flet më, e aq më pak të kërkojë llogari, për dëmet që iu bënë fëmijëve tanë këtë vjeshtë, e edhe gjithë familjeve të vendit
1.
E larguar në vitet ‘90 në Gjermani, Blerina ishte kthyer pas luftës në Kosovë. Ishte e stërmbushur me gëzim, ëndrra e shpresë, sikur ishim të gjithë. Në Gjermani ajo kishte bërë disa vjet shkollim. Në Kosovë i kreu studimet, por mbeti e papunë (si plot të tjera e të tjerë). Pasi u bë nënë nuk mundi të punonte asnjëherë - kostoja e përkujdesjes për fëmijët ishte e lartë (me shumë pak çerdhe publike në Prishtinë). Ajo i kishte dy fëmijë (djalë e vajzë) dhe kontribuonte vullnetarisht në Këshillin e Prindërve të Shkollës. Kur mësimdhënësja e gjermanishtes mungoi, (gjatë pandemisë) ajo vullnetarisht, e pa përtesë, e zëvendësoi. Kishte shumë energji dhe buzagaz e shihje gati gjithherë. Por e lodhur nga jeta dhe e zhgënjyer nga realiteti, e brengosur për gjendjen në arsim e shëndetësi, Blerina, bashkë me bashkëshortin e fëmijët, emigroi sivjet përsëri në Gjermani. Nuk dije ta uroje apo ta ngushëlloje, që po riikte nga vendlindja.
Blerina shkoi - se nuk kishte siguri për të tashmen dhe shpresë për të ardhmen e fëmijëve. Dhe, pashpresa më së shumti i vinte nga arsimimi i fëmijëve. Një sistem i tërë arsimor që për çdo vit zhvlerësohet kundrejt zhvillimeve dhe kërkesave të kohës. E ndaj kësaj gjendjeje dëshpëruese, mosveprimi dhe neglizhenca qeverisëse në Kosovë ka konsistencë shembullore këta 20 vjet.
Si Blerina ishin edhe dhjetëra raste të largimit nga e njëjta shkollë sivjet. Për 15 vjet mbi 100 mijë nxënës janë më pak në shkollat e Kosovës. Kjo, ngase emigracioni po e zbraz Kosovën. Historia e secilës familje që largohet është e dhimbshme sa s’ka. Po ikin për të mos u kthyer. Po lënë gjithçka, për të cilën para 20 vjetësh ishin gati të vdisnin - në këmbim të fillimit të një jete nga zeroja, por me shpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Diçka e paimagjinueshme para 15 vjetësh, kur shpallëm pavarësinë.
Të gjitha qeverisjet, edhe kjo e tanishmja, vazhdojnë ta injorojnë e të mos e trajtojnë më të madhen krizë që Kosova ka: emigrimin. Dhe (hë e mos plas) udhëheqësit bëjnë edhe lojëra fjalësh; ngjizin argumente nga hiçi. Duket se mandati për të qeverisur (me të ëmblin pushtet pa llogaridhënie) justifikon çdo mjet. Një arsye e fortë për të menduar që (edhe) Makiaveli kishte prejardhje shqiptare.
2.
Një e drejtë themelore njerëzore e fëmijëve u rishkel më 2022. Për gjashtë javë u mbyllën çerdhet dhe për pesë javë u mbyllën shkollat. U mbyllën institucionet edukative e arsimore plotësisht e pa afat, njëanshëm e përplot arrogancë. U mbyllën nga Sindikata e Arsimit (SBASHK), që veprimet i bazon në legjislacionin në fuqi. Një rregullim i çoroditur ligjor, që mosveprimi (i qëllimshëm) institucional e ka kthyer në normë. Mbi 300 mijë nxënësve iu mohua e drejta për edukim e arsimim. Të gjitha familjeve në Kosovë iu çrregullua e komplikua jeta.
Qeveria më shumë harxhoi energji të jepte premtime që nuk i mbajti, sesa ta parandalonte grevën. As përpjekje bindëse për ta ndalur grevën nuk bëri. Në vend të saj, bënte fushatë publike të njollosjes masive. Ky skenar i përsëritur i grevës në arsim mund të ishte ndalur me një ndryshim ligji, që Qeveria mund ta kishte bërë qëmoti, por nuk e bëri dhe nuk po e bën ende. Ndërrimin e Ligjit për greva ia kishim kërkuar ministres Nagavci, presidentes dhe të gjithë zyrtarëve publikë që i takuam. Të gjithë na premtuan që do ta bënin. Vetëm nuk dihet kur, sikur plot premtime të tjera.
Festa e 1 shtatorit 2022 iu prish përgjithmonë dhjetëra mijëra fëmijëve. Drejtuesit e SBASHK-ut e refuzuan, pa menduar dy herë, kërkesën e Këshillit të Prindërve për ta pezulluar grevën më 1 shtator. Edhe mësimdhënësit nuk bëzan. Predikuesit e moralit, normave, parimeve heshtën sikur asgjë nuk ndodhi!
Edhe
SBASHK: Ikja e mësimdhënësve po e rrezikon sistemin arsimor
Meritojnë për të përmendur përfaqësitë ndërkombëtare, që kujdesen zëshëm edhe për të drejtat seksuale të një superpakice, që nuk ishin të brengosur për shkeljen flagrante të të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Një ose dy organizata ndërkombëtare kanë reaguar në gjithë këtë situatë të pashembullt në Evropë.
3.
E dimë që ngjarje të shkeljes së të drejtave ligjore e kushtetuese në Kosovë na ndodhin shumë shpesh. Ngase ka mungesë të plotë të llogaridhënies për veprimet e vendimet që merren ose nuk merren nga biçim drejtuesit e institucioneve. Askush nuk flet më, e aq më pak të kërkojë llogari, për dëmet që iu bënë fëmijëve tanë këtë vjeshtë, e edhe gjithë familjeve të vendit.
Ne, prindërit, prisnim e shpresonim që e gjithë qeverisja (qendrore e komunale) do t’i merrte seriozisht faktet e rënda për gjendjen e arsimit që dolën gjatë pandemisë. Mungesa e digjitalizimit të shkollave, mangësitë e njohurive në përdorimin e teknologjisë informative, mosekzistenca e një plani për rimëkëmbje në raste fatkeqësish, mungesa e një platforme unike digjitale shtetërore për arsimin, mungesa e plotë (dhe sui-generis) e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve e dëshmuan katërçipërisht gjendjen alarmante në sistemin arsimor të Kosovës.
Ndërsa shtetet e tjera llogarisin dëmet e pandemisë tek nxënësit, dhe planifikojnë masat për rikuperim, ne, Kosova, vendi i tretë nga fundi në testin PISA, e kishim luksin të nxisim, e sidomos të lejojmë, mbylljen e shkollave. E kishim guximin për konfrontime egosh e betejash politike, për rritje simbolike rrogash, në kurriz të fëmijëve, në kosto të së ardhmes së vendit. Krejt kjo pa gërvishtje të ndërgjegjes e (si gjithnjë) pa dhënie të llogarisë!
4.
Ndërsa po shkruaj këtë...politikëbërja udhëheqëse në Kosovë (me (vetëm) gëzofin e ndërruar) vazhdon çuditë vendimmarrëse. Ministrja e Arsimit, znj. Abërie Nagavci, e ka publikuar një udhëzim administrativ të ri për organizimin e këshillave të prindërve në Kosovë. Sa është e paarsyeshme dhe e pamatur që përmbajtja e këtij dokumenti ka shumë boshllëqe, edhe më i rëndë është fakti që ministrja Nagavci e ka përgatitur këtë dokument pa asnjë konsultim e komunikim me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës, që kishim këmbëngulur për këtë ndryshim përditësues të Udhëzimit. Këtë ndryshim, të Udhëzimit, nuk e shihte me rëndësi ministrja Nagavci atëherë, para e gjatë grevës, kur na ftonte edhe në takime që nuk kishin fare lidhje me përfaqësimin e angazhimin tonë. Aferim, ministre Nagavci!
Kjo është Kosova e paradokseve. Kosova e udhëheqjes (gjerësisht) pa norma e parime, pa synim e vizion, e çrregullt dhe e çorientuar, jofunksionale dhe e padobishme; me kredibilitet të degraduar dhe e pashpresë në zemrën e saj: ARSIMIMIN!
5.
Me gjithë këto, në ndërrimin e moteve, e kemi traditë kërkimin e shtigjeve që na çojnë te mirësia burimore, individuale e shoqërore. Pakënaqësitë me gjendjen nuk duhet të na mjegullojnë që Kosova, shteti ynë e toka jonë, vlen më shumë sesa të gjithë ne, dhe kërkon e meriton më shumë punë, mund e sakrifica, për ta bërë sikur ëndërronim të gjithë, dikur: vendi ku do të na flinte shpirti të jetojmë - e edhe të vdesim.
Edhe Krejt mendtë n’GjermaniE gëzofshim 2023-tën!
Autori është kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës