OpEd

Ambiguiteti destruktiv në dialogun e Brukselit

Na u prezantua në fillim si një “dialog teknik”, i cili do të ndihmojë që Serbia dhe serbët ta kuptojnë realitetin, e ai është se statusi i Kosovës tashmë është një çështje e mbyllur. Pas më shumë se dhjetë vjet dialog jo vetëm se gjithçka po kthehet prapa, por Serbia shpreson ta kthejë procesin në periudhën e para shpalljes së pavarësisë

Në një televizion të Serbisë u ftua një gazetar me përkatësi etnike serbe nga Kosova për të komentuar situatën në veri pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës. Duke dashur të ilustrojë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka një retorikë nacionaliste”, ai tha: “Kurti po sillet thuajse Kosova është një shtet sovran e jo pjesë e Serbisë!”. Kjo tregon se sa jashtë realitetit jetojnë edhe serbët të cilët janë në Kosovë. E një pjesë të fajit e kanë edhe vetë autoritetet e Kosovës, jo vetëm Qeveria e sotme, por edhe ato të mëparshmet. Nuk kanë bërë sa duhet për t’i afruar serbët dhe kanë pasur një qasje tepër formale, t’u jepen ato që u takojnë me ligj, por të mos bëhet asgjë për integrimin e tyre të vërtetë. Ndërkohë Serbia e ka shfrytëzuar këtë situatë dhe në vend të integrimit të serbëve në Kosovë, në Qeverinë e Kosovës, Parlament, gjykata, Polici e institucione të tjera është integruar Serbia. Në Kosovë, sado absurde që duket se serbët mendojnë se është “nacionalizëm” të mendosh se Kosova është e pavarur “e jo pjesë e Serbisë”, është edhe më absurde të kesh ministra që janë pjesë e kabinetit qeveritar të Kosovës e që, kur thonë “qeveria jonë” mendojnë në atë të një shtetit tjetër, të Serbisë.

Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, sidomos në veri, është përmendur gjithmonë si një prej sukseseve më të mëdha të dialogut. Dhe vërtet kjo ka bërë në fillim që të relaksohej situata, që të zhvillohen zgjedhje, të punojnë bashkë në Policinë e Kosovës pa dallim të përkatësisë etnike, të këtë edhe integrim të gjykatësve. Por gradualisht kontrollin ndaj të gjitha këtyre e ka marrë Beogradi; me joshje, me fushatë mediale dhe frikësime e sulme. Beogradi ka vënë nën kontroll të gjithë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe ata janë shndërruar në përfaqësues të Serbisë në Kosovë. U pa kjo qartë në shfaqjen teatrale të zhveshjes së uniformës së Policisë së Kosovës nga ana e policëve me përkatësi etnike serbe në veri.

Absurdi vazhdoi me faktin se një polic i suspenduar u dekorua nga presidenti i Serbisë.

Nuk habit sjellja e Serbisë. Ajo po punon sipas planit. Dhe plani i saj është që të pengojë sa më shumë që të jetë e mundur forcimin e shtetësisë së Kosovës, edhe në aspektin e brendshëm, edhe në atë të jashtëm. Habit fakti se kjo është bërë në një mënyrë pjesërisht edhe me ndihmën ndërkombëtare, sidomos të BE-së. Bashkimi Evropian, si lehtësuesi i dialogut, nuk ka arritur të afrojë palët deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe tash kur dikush mendon se “marrëveshja është afër”, realiteti në terren lë përshtypjen se asnjëherë nuk ka qenë më larg.

Na u prezantua në fillim si një “dialog teknik”, i cili do të ndihmojë që Serbia dhe serbët ta kuptojnë realitetin, e ai është se statusi i Kosovës tashmë është një çështje e mbyllur. Pas më shumë se dhjetë vjetësh të dialogut jo vetëm se gjithçka po kthehet prapa, por Serbia shpreson ta kthejë procesin në periudhën e para shpalljes së pavarësisë.

As pas dhjetë vjetësh BE-ja nuk e ka kuptuar se sa e dëmshme ka qenë qasja e “ambiguitetit konstruktiv” që tash po dëshmohet të ketë qenë destruktiv. Tensionet janë krejtësisht të kuptueshme, sado të papranueshme, nëse merret parasysh se çfarë konfuziteti ka krijuar dialogu deri tash. Asnjë problem nuk do të mund të zgjidhet deri në fund, as targat, as energjia, as liria e lëvizjes e as “normalizimi gjithëpërfshirës” pa përgjigjen në një pyetje të thjeshtë; Çka është Kosova. BE-ja me ambiguitetin e saj nuk është përgjigjur në këtë pyetje. Dhe kjo e ka inkurajuar Serbinë që të mos e pranojë realitetin, të refuzojë gjithçka që nënkupton ecje drejt njohjes së Kosovës, dhe për më tepër, të ketë sukses në pengimin e njohjeve dhe tërheqjen e tyre në disa raste.

Dialogun, Serbia me sukses e shiti te disa shtete si “dëshmi se statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer”. Kjo ndihmoi që disa vende të mos e njohin Kosovën apo të mos votojnë për anëtarësimin e saj në UNESCO apo Interpol. Edhe në BE pati shumë zyrtarë që thoshin se “Kosova ka gabuar se ka tentuar në mënyrë të njëanshme të anëtarësohet në këto organizata ndërkombëtare”. Sipas logjikës së këtyre, Kosova është dashur së pari të marrë mbështetjen e Serbisë e pastaj të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Madje edhe për pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën është thënë se “do ta njohin kur Serbia të pajtohet me këtë”. Në këtë mënyrë e kanë inkurajuar Serbinë që të mos e njohë Kosovën. Është naivitet i madh të besohet se Serbia do ta njohë Kosovën nëse nuk detyrohet ta bëjë një gjë të tillë.

Përgjigjja në pyetjen se “Çka është Kosova” do të ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve, nga targat e veturave, dërgimi i njësive policore për të goditur rrjetet kriminale e deri te furnizimi me energji. Përderisa BE-ja si lehtësuese kryesore e dialogut, rol që ia njohin edhe SHBA-ja, edhe Gjermania e Franca, nuk e thotë qartë dhe publikisht se statusi i Kosovës është çështje e kryer, nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë, as raporte normale në rajon. Sepse nuk është normale të pajtohesh se Kosova është edhe shtet sovran, por edhe “entitet pa status”, e besa edhe “krahinë autonome e Serbisë”. I ashtuquajturi “ambiguiteti konstruktiv”, sipas të cilit secila palë mund të thotë çfarë të dojë, tash është duke ndihmuar në krijimin e tensioneve. Beogradi vazhdon t’i quajë gënjeshtarë jo vetëm autoritetet e Kosovës, por edhe BE-në kur thotë se “Kosova ka të drejtë të ndryshojë targat e veturave”. Serbia vazhdon ta quajë si “ilegale” dërgimin e njësive policore të Kosovës në veri, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi se një gjë e tillë nuk është e lejuar.

Në absurditetin që e ka krijuar dialogu është edhe ai se, në kohën e shuarjes së rezultateve kryesore të tij, rritet bindja se jemi afër marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse. Por duket se edhe kjo është një pritje joreale, sepse ndaj Serbisë akoma ndikim më të madh ka Rusia sesa BE-ja dhe vendet që janë angazhuar tash më shumë në dialog.