Atlanta – Aleatët e Amerikës duhet të falen nëse janë të hutuar lidhur me mënyrën se si po udhëhiqet politika e jashtme amerikane. Kush nuk do të ishte duke pasur parasysh presidencën e paudhë të Donald Trumpit? Gjatë tre vjetëve të kaluar, Trumpi ka sjellë kaos strategjik dhe politika e tij e jashtme, nëse mund ta quajmë politikë, i ka dhënë kuptim të ri mungesës së koherencës. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, me automatizëm do të jetë më i mirë në këtë aspekt. Por, a e ka ndryshuar Trumpi aq shumë Amerikën, saqë bota nuk mund të llogarisë se mund të jetë përsëri normale?
Trumpi jo vetëm që pati një aferë dashurie me diktatorin me armë bërthamore të Koresë së Veriut, por edhe mbajti qëndrim fort të butë ndaj presidentit rus Vladimir Putin – një burrë që lansoi luftë politike kundër Perëndimit. Ai ka qenë gjithashtu në krye të mbështetjes për Brexitin dhe përkeqësoi raportet me aleatët evropianë të Amerikës. Në konferencën vjetore të sigurisë në Munih më 2020, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidenti gjerman, Frank Walter-Steinmeier, e pranuan që të dy se Trumpi kishte dëmtuar me themel marrëdhëniet transatlantike. Mesazhi i tyre ishte i qartë: nëse Trumpi do ta fitonte mandatin e dytë, partneriteti historik që kishte përbërë “Perëndimin” gjeopolitik, asnjëherë nuk do të ishte i njëjtë. Liderët e matur të botës padyshim se po përgatiteshin për më shumë destabilitet dhe paqartësi nëse Trumpi do të rizgjidhej.
Franca dhe Gjermania natyrisht se kanë arsye për të mos u pajtuar me Shtetet e Bashkuara, qoftë në marrëdhëniet tregtare, afrimin e Macronit me Kremlinin, ose dy vende duke zbutur relativisht qasjen konfrontuese me Kinën. Macroni, i cili e quajti në nëntorin e vitit të kaluar NATO-n “trutharë”, nuk e ka mbajtur fare sekret se kë e konsideron përgjegjës për zbehjen e aleancës dhe për acarimin e marrëdhënieve në mes të SHBA-së dhe aleatëve.
Por, në Paris dhe Berlin, si gjithkund në Evropë, reagimi ndaj Trumpit nuk ishte i drejtë vetëm për provokimet e tij, taktikat tregtare dhe ndasitë. Evropianët e shihnin administratën e tij si një diskurs që po refuzonte marrëdhëniet e sigurisë transatlantike dhe rolin e tyre qendror në angazhimin global amerikan më përgjithësisht. Bideni do të jetë më i përmbajtur kur vjen puna te unilateralizmi i shfrenuar. Por, edhe me një qasje të re, dëmi që Trumpi ua ka shkaktuar marrëdhënieve nuk do të riparohet lehtësisht, ose t’i ndryshojë pikëpamjet në mesin e liderëve evropianë që do ta shfrytëzojnë për t’u mbrojtur për vete.
Trajtimi i Trumpit i aleatëve amerikanë në Azi ua ka dhënë evropianëve një mësim paralajmërues se duhet të jenë përgatitur për më shumë acarime në marrëdhëniet e sigurisë. Pavarësisht kërcënimit bërthamor të Koresë Veriore dhe ngritjes së fuqisë ekonomike të Kinës, Trumpi u rrek t’i kthente aleancat jetike të SHBA-së me Korenë Jugore dhe Japoninë në marrëdhënie me pagesë. Fatmirësisht, Bideni e kupton se çfarë nuk e merr vesh Trumpi: se mbrojtja e pakteve amerikane të mbrojtjes me ato dy shtete kanë siguruar stabilitetin e Azisë Lindore për shtatëdhjetë vjet me radhë dhe ishin të dobishme edhe për leverdinë amerikane, ani pse Trumpi i shihte si “marrëveshje të këqija” dhe Bideni duhet t’ua mbushë mendjen amerikanëve se duhet të heqin dorë prej mënyrës diplomatike të pararendësit.
Për më tepër, Trumpi nuk ishte presidenti i parë që do të ndiqte retorikë të pazakonshme dhe Bideni nuk do ta ketë fare lehtë që të heqë dorë prej sloganit të Trumpit: “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë”. Edhe Koreja Jugore, edhe Japonia mund ta dëshmojnë se “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë” nuk ishte politikë e duhur. Sipas marrëveshjeve për vendosjen e trupave amerikane në pajtim me vendet nikoqire, me të cilën u përcaktuan detajet e pranisë amerikane në secilin shtet, e cila u rinegociua sivjet, Trumpi kërcënoi vazhdimisht me tërheqje të trupave amerikane nga dy shtetet, nëse nuk paguajnë për atë që e quajti mbrojtje amerikane. Bideni duhet të punojë fort për të kthyer besimin japonez dhe korean, derisa do të mundohet të arrijë marrëveshje të re.
Në fakt, Koreja e Japonia tashmë ndajnë bashkërisht kostot dhe kanë nënshkruar marrëveshje për praninë amerikane ushtarake për dekada me radhë në Azinë Verilindore. Koreja Jugore paguan më shumë se 40 për qind të kostove operuese të forcave amerikane të vendosura atje; mbulon edhe 92 për qind të qendrave ushtarake amerikane jashtë Seulit dhe blen miliarda dollarë vlerë pajisje ushtarake amerikane. Japonia gjithashtu paguan dy miliardë dollarë në vit mbështetje për 54 mijë trupat amerikanë. 90 për qind e pajisjeve ushtarake të Japonisë blihen prej amerikanëve dhe ka mbuluar 77 për qind të materialeve ndërtuese të tri bazave të mëdha amerikane atje.
Për pothuajse një vit, administrata e Trumpit ka kërkuar që homologët e Koresë Jugore ta katërfishojnë mbështetjen financiare aktuale prej 1 miliard dollarësh. Dhe, pos kësaj, duhet shtuar edhe raportimet se mund të kishte edhe tërheqje të trupave amerikane, që në thelb u zyrtarizuan kur në korrik u bë e ditur se 12 mijë trupa do të largoheshin nga Gjermania. Është e qartë se administratës së Bidenit do t’i duhet hartimi i një strategjie të re negociuese, por edhe të japë garancinë amerikane për siguri.
Edhe me Bidenin në krye, raportet e tanishme politike ndërmjet Koresë Jugore dhe SHBA-së tregojnë se negociatat nuk mund të jenë të lehta. Në Japoni, bisedimet zyrtare nisën muajin e kaluar dhe qeveria shpreson se deri në mars do ta ripërtërijë marrëveshjen. Zyrtarët e mbrojtjes të Trumpit u kanë thënë kolegëve japonezë se presin trajtim të ngjashëm si ndaj Koresë Jugore. Bideni pa dyshim se do të ndryshojë qasjen. Por, kryeministri i ri japonez me gjasë pret negociata të vështira, megjithëse qasja merre ose lëre nuk do të jetë në thelb të strategjisë së jetëgjatësisë së garancive amerikane të sigurisë.
Është për të ardhur keq, trashëgimia e Trumpit mund ta mbijetojë largimin e tij. Me gjithçka, nga kujdesi shëndetësor deri te ndryshimi klimatik që i janë vënë në tavolinë përnjëherë Bidenit, politika e jashtme padyshim se do të ngelet në rend të dytë krahas politikës së brendshme. Për aleatët amerikanë durimi do të jetë virtyt. Meremetimi i defekteve të shkaktuara nga vitet e Trumpit mund të marrë shumë kohë. Sikur kishte thënë se më paku qysh më 1990, Trumpi dëshironte t’i riformësonte marrëveshjet amerikane të mbrojtjes dhe ta ndryshonte rrënjësisht rolin amerikan në botë. Trumpi mund të jetë një gënjeshtar patologjik, por e ka mbajtur fjalën për këtë çështje.
(Autori, ish-analist i CIA-s, ka shërbyer si zyrtar i Inteligjencës kombëtare për Azinë Lindore, shef i stacionit në Azi dhe drejtor i çështjeve publike të CIA-s. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)