OpEd

Absurdistan

Vakuumin që po e krijon Kuvendi po e nxit Thaçi, i cili do që të sigurohet se derisa të jetë kryenegociator, Specialja të mos e prek fare. Ndërkohë do të thotë se marrëveshja do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë të Kosovës e Serbisë. Fare lehtë, nën udhëheqjen e tij, këto negociata do të mundë të përfundojnë me ulësen e Kosovës në OKB; me Serbinë që nuk e pranon Kosovën, përderisa veriu bëhet me autonomi territoriale mbase dhe me të drejtë vetëvendosjeje; ku Kosova e humb Gazivodën e ndoshta edhe “Trepçën”, por e fiton heqjen e votimit të dyfishtë nga Kushtetuta

Të përjetosh e ta mbijetosh përditë absurdin është goxha një e arritur, sidomos kur ajo nuk është zgjedhja që ia bën jetës sate.

Përditshmëria jonë që nga çlirimi është e mbushur me gjendjen e absurdes, me të cilën, për fat të keq, tashmë jemi mishëruar. Për më tepër, mu kjo na ka topitur krejtësisht, aq sa të gjitha këto dukuri janë shndërruar në diçka që po e pranojmë si të qenë dhe të papërmirësueshme.

Thaçi krijon vakuumin që e shfrytëzon

Kuvendi ende nuk u mblodh për ta shqyrtuar platformën e bisedimeve përfundimtare të përgatitur nga Qeveria, sepse Kryesia e Kuvendit nuk po e fut në rend dite. Ndërkohë, vazhdojnë të mbahen disa tryeza politike kot, organizuar nga partitë parlamentare me rotacion, të cilat janë shterpe dhe pa asnjë rezultat.

Nëse qëllimi i tyre është të arrihet konsensusi, problemi është se nuk po dihet se cili është boshti i këtij konsensusi të kërkuar. Nëse flitet për çështjen e negociatave, atëherë partitë do të duhej të merreshin vesh se kush do t'i udhëheqë ato dhe cilat janë vijat e kuqe (ama përnjëmend, e jo asi që lëvizin sa herë dikush u bën trysni), të cilat nuk lejohet të kalohen.

Dhe përderisa mblidhen rreth tryezave për ta pirë nga një kafe, e Kuvendi i shtyn seancat e veta, për kushedi çfarë arsyeje, vakuumin e qëllimshëm e shfrytëzon maksimalisht ai që nuk do të duhej: Thaçi. Meqë Kuvendi as nuk e autorizon e as nuk e çautorizon, Thaçi strehohet te Kushtetuta dhe thotë se si simbol i unitetit të popullit dhe si person i autorizuar të merret me përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, do ta përfaqësojë atë në Bruksel. Me ngulm insiston se kjo fazë do ta sjellë marrëveshjen e detyrueshme juridike për të dyja palët dhe se kjo punë do të përfundojë për nja nëntë muaj. Dhe me këtë ia siguron vetes njëfarë lloj amnistie nga ndjekja Speciale.

Ai thotë se marrëveshja do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë të Kosovës e Serbisë, që mund të jetë edhe një në vargun e gënjeshtrave që i thotë. Fare lehtë, nën udhëheqjen e tij, këto negociata do të mundë të përfundojnë me ulësen e Kosovës në OKB, ku Serbia nuk do ta pranojë Kosovën, por do ta marrë si të qenë; me Kosovën që do t'i japë autonomi territoriale veriut mbase dhe me të drejtë vetëvendosjeje pas një faze transitore disavjeçare. Me të Kosova do të mundë ta humbë Gazivodën e ndoshta edhe “Trepçën”, përderisa do ta heqë votimin e dyfishtë nga Kushtetuta. Serbisë do t'i hapej rruga e gjerë për në BE, e ne do të shpërbleheshim me rishqyrtimin e vendimit për liberalizimin e vizave që do të na e japë BE-ja në fund të vitit, për shkak se nja 100 mijë njerëz do ta braktisin Kosovën dhe nuk do të kthehen.

Nënshkruesi i “Marrëveshjes historike”, që nuk e solli asnjë ndryshim pozitiv qe shtatë vjet, por vetëm sa na e komplikoi jetën edhe më shumë -- tash do t'u hyjë pazareve të reja, me arrogancën që e dëshmon kur komunikon me Kosovën, dhe injorancën që e karakterizon kur “negocion” me Daçiqa e Vuçiqa. Dhe kjo, në kundërshtim me interpretimin e Kushtetueses, sipas të cilit, Thaçi nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në negociata pa autorizimin e Kuvendit. Absurd par excellence.

Zajednica në bërje

Absurdi tjetër qe marrëveshja e gushtit, e shpallur kundërkushtetuese në 23 pikat e saj -- dhe e cila ndër të tjera kishte paraparë që të krijohej ekipi menaxhues për hartimin e Statutit të OJQ-së së Thaçit, “AKS”, i përbërë vetëm nga serbë. Absurdi i kësaj situate është që për “një OJQ që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive” të angazhohen edhe pjesëtarët e kabinetit qeveritar -- që me automatizëm e bën këtë OJQ një OQ, demek organizatë qeveritare. Edhe më absurde është se bëhet fjalë për një pjesë jo të vogël të territorit të Kosovës, për të cilën do të duhej dhënë mendimin së paku edhe etnitë e tjera që jetojnë në ato toka. Por jo, e gjitha u është lënë në dorë katër përfaqësuesve serbë, që do ta krijojnë edhe një Frankenshtajn që buron nga një marrëveshje e përpiluar keq dhe e nënshkruar me lehtësi të padurueshme nga Mustafa, të cilit Thaçi ia la këmbët e arushës.

Koordinatori për Dialogun, Avni Arifi, deklaron se jemi duke humbur shumë kohë me këtë temë, kur një mori çështjesh të tjera që janë arritur si marrëveshje nuk po zbatohen. Porse harron se kjo Zajednica mund të na kushtojë territor e asete, që nuk është rasti me marrëveshjet e tjera. Arsyetimi sipërfaqësor se “kjo marrëveshje vjen te unë, shkon në Bruksel, e më pas në Kushtetuese” nuk garanton ama bash asnjë gjë. E në veçanti në kohën kur Kushtetuesja po ballafaqohet me një problem serioz juridik pas rizgjedhjes së kryetares Rama-Hajrizi pa asnjë kundërkandidat.

Nuk garanton gjë për shkak se Mogherini është e interesuar ta përfundojë mandatin me një “sukses”, sikurse e kishte kryer paraardhësja e saj Ashton me “marrëveshjen historike” me të cilën jemi ngujuar. Themelimi i Asociacionit do të ishte akomodimi i kërkesave të Serbisë, dhe hap përpara për “normalizimin” që do ta ndihmonte në anëtarësim në BE më 2025. Dhe problemi është që njerëzit tanë ende nuk e kanë kuptuar, apo nuk duan ta shohin se Serbia ka strukturë të mirëfilltë shtetërore, me ministri funksionale e me fuqi edhe më të madhe ekonomike, e mbi të gjitha me një agjendë (lexo strategji e platformë), shumë të qartë se kah është nisur e ku do që të mbërrijë. Pikërisht ajo që na mungon neve.

Të humbur në numra

E ajo që po i mungon edhe koalicionit qeverisës e edhe opozitës ka të bëjë me numra. Ka mbi dy muaj që kanë nisur fjalët jo po e rrëzojmë Qeverinë, jo po e ftojmë kryeministrin të japë dorëheqje sepse nuk ka legjitimitet.

E besoj kurrë nuk jemi gjendur para një situate më absurde sesa kjo që e kemi tash. Kuvendi prej 120 anëtarësh, me tërheqjen e Srpskas, që kur do hyn, e kur do del nga institucionet e Kosovës, për shkak se e mban koalicionin qeverisës në grusht, e ka lënë këtë të fundit pa shumicë. Pa Srpskan, koalicioni qeverisës i ka 52 vota në Kuvend, kurse opozita, po të bashkohej, i ka 58.

Pra, nëse opozita e ka ndërmend t'i mbledhë nënshkrimet për mocion të censurës, duhet të sigurohet se dikush nga minoritetet joserbe, apo të atyre që s'kanë grup parlamentar, t'u bashkohet me votë për ta rrëzuar Qeverinë. Për ta bërë punën edhe më absurde, nuk do të ishte çudi po qe se tri votat do të vinin nga PDK-ja, tashmë e rryer në rrëzimin e qeverive pjesë e së cilave është. Kjo vetëm sa për të thënë se “Qeverinë e rrëzuam pa votat serbe”.

Dhe derisa na lodhin me “shkojmë në zgjedhje, nuk shkojmë në zgjedhje” -- ajo që në fakt janë duke e bërë të gjithë është që të fitojnë kohë. BE-ja ua ka bërë të qartë se nuk ka zgjedhje pa i kaluar Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, që tash përnjëherë u bënë kusht për liberalizim vizash. Qershori është afati kur pritet që këto ligje të kalohen, me gjithë vërejtjet që po u bëhet përmbajtjeve, që, sipas shoqërisë civile, janë më shumë grim sesa substancë.

Nga ana tjetër, shkuarja në zgjedhje tash i lë partitë pa fonde. Prandaj duhet pritur së paku edhe një tremujor për të mbledhur para për fushata, e edhe punë të tjera që zakonisht i kanë kryer gjatë të gjitha zgjedhjeve.

E treta, një parti, PSD-ja, nuk është e interesuar tash t'i hyjë garës. Mund të thonë se tashmë e kanë strukturën e shtrirë në terren dhe se kanë përkrahje edhe financiare nga financuesit fantomë, porse, megjithatë, dyshohet se shtrirjen e kanë aq të gjerë sa pohojnë. Pra, deri në konsolidim radhësh dhe identifikim kandidatësh potencialë do të duhej të kalonin ca muaj, sepse të krijosh parti në Kosovë është punë e lehtë, ama ta mbash strukturën lyp diçka më shumë sesa entuziazëm.

Dhe, për ta përfunduar këtë varg absurdesh, pas çarjes së VV-së, e shohim se edhe Komuna e Prishtinës, tash PSD, i bashkohet valles së “ekzekutivëve kinezë”. Para dy ditësh u paralajmërua themelimi i tri drejtorive të reja në Prishtinë, duke e çuar numrin në 16, që nënkupton jo vetëm linja buxhetore të reja për ato aktivitete, por edhe linja buxhetore për punësime të reja - partiake apo jo, mbetet të shihet. Për t'i shtuar edhe pak shije absurdit, Ahmeti deklaron se këto drejtori tash krijohen për VV-në, që ka mbetur në pakicë pasi që para pesë muajsh paraqiste shumicën relative në Kuvendin Komunal...

* * *

Nuk ka pasur Raport të Progresit për Kosovën, ku Kosovës nuk i është tërhequr vëmendja nga nevoja e rritjes së numrit të inspektorëve të punës. Koalicioni për Drejtësi Sociale reagoi dje pas vdekjes së edhe një punëtori në ndërtimtari, për të treguar se brenda pesë vjetësh në Kosova kanë vdekur madje 90 persona në vendet e tyre të punës. Është shifër alarmante posaçërisht në sektorin privat, ku punëtorët gëzojnë të drejta tejet të kufizuara, sepse një e treta e tyre, nëse jo më shumë, punojnë në të zezën.

Nuk e di sa inspektorë pune i ka Kosova, porse e besoj se nuk mjaftojnë, për krejt të këqijat që u ndodhin punëtorëve dhe të punësuarve në institucionet si publike ashtu edhe private. Nuk e di as sa zëvendësministra i ka Qeveria e Kosovës, po thonë 74, por ec e besoju, porse e di që këta buxhetit të Kosovës i kushtojnë aq sa do t'i kushtonin rreth 240 inspektorë që do të duhej të përkujdeseshin për zbatimin e ligjeve të punës.

Qysh ndryshe me i thënë pos Absurdistan, pra?

[email protected]