OpEd

A mund të qeverisë Bideni?

Para se transformimi i politikave amerikane të mund të shpallet apo t’i bindë më shumë njerëz se Qeveria amerikane funksionon, një betejë prapëseprapë duhet të zhvillohet rreth pakos që veçse është hedhur në letër

Gjëja më domethënëse që presidenti Joe Biden ka thënë në adresimin e tij të parë në pikun e shikueshmërisë, ishte ajo e së enjtes së 11 marsit: Gjatë viteve të fundit ne e kemi humbur besimin në çfarëdo që qeveria dhe demokracia jonë mund të sjellin për gjërat përnjëmend të zorshme për popullin amerikan”. Është tani në duart e shtathedhurit dhe të thjeshtit Biden që, pas dekadave të tëra synim për Zyrën Ovale, të tregojë se Amerika është e qeverisshme.

Bidenit jo vetëm se i duhet që ta ringjallë besimin në programet qeveritare, por edhe ta shpëtojë vendin nga virusi vdekjeprurës që ka lënë të vdekur më shumë se gjysmë milioni amerikane brenda një viti. Pak orë para fjalimit të tij, Bideni e nënshkroi në ligj Aktin e Pakos së Shpëtimit të Amerikanëve për vitin 2021, një prej legjislaturave më ambicioze të spektrit të brendshëm që është miratuar ndonjëherë.

Ligji i ri është një koleksion programesh jo vetëm për përshpejtimin e fundit të pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në shoqëri dhe ekonomi, por edhe për rikthimin e barazisë në aspektin se kush i merr ndihmat nga legjislacioni federal, të cilat prej kohësh kanë anuar kah të kamurit. Ligji i ri, i miratuar me një margjinë të ngushtë prej një vote në Senatin e ndarë barabar, me ç’rast republikanët e kundërshtuan unanimisht. (Demokratët, meqë kanë humbur vende në Kongres në zgjedhjet e 2020-s, e dominojnë “Dhomën e Lartë” me vetëm tetë vota).

Pakoja gjigante u garanton pagesa direkte prej më shumë se 1.400 dollarësh shumicës së amvisërive; i ngre përfitimet për të papunët; dhe i zgjeron ndihmat për fëmijët, shtetin dhe qeveritë lokale, për shkollat ashtu që fëmijët të mund t’u kthehen klasave dhe prindërit e tyre vendeve të punës, dhe për bizneset e vogla (veçmas restorantet) e goditura nga pandemia. Pakoja përmban gjithashtu një ekspansion madhor të Aktit të Përkujdesjes së Disponueshme apo Obamacare, dikur burim i përplasjeve politike. Pakoja përmban po ashtu ngritjet substanciale të ndihmave për të varfrit dhe paratë për spitale e përkujdesje shëndetësore. Ky gatim i pasur kishte mjaftueshëm përbërës për t’i kënaqur progresistët derisa, me gjithë vlerën e saj të përllogaritur prej 1.9 trilionë dollarësh, nuk ishte tepër enorme për t’u përpirë nga demokratët e moderuar.

Dispozita për ngritjen e pagës minimale federale në 15 dollarë për orë është rrëzuar shkaku i një vendimi parlamentar. Në Senat, vota përfundimtare është mbajtur pas pothuajse dhjetë orësh pasi që udhëheqja demokratike po mundohej që ta kapërcente kundërshtimin e senatorit Joe Manchin, nga Virginia Perëndimore, një shtet i varfër që Donald Trumpi e kishte mbërthyer lehtësisht, dy herë.

Manchini, një burrë korpulent, qartazi po i kënaqet stinës me diell, të cilën ndarja e barabartë e Senatit ia mundëson. Një ndihmës demokratik i Senatit pretendon: “Ai është i mençur që nxori avantazh nga pozita e tij por nuk është aq i mençur sa mendon që është”.

Pyetja e madhe që shtrohet pas miratimit në Kongres të Aktit të Planit për Veprim më 10 mars ishte se çfarë parathotë kjo për të ardhmen. Një sërë vëzhguesish në mënyrë të parakohshme e kanë shpallur fundin e Reaganizmit, një qëndrim ky, i futur në modë në vitet ‘80, se programet qeveritare nuk mund të bëjnë ndonjë të mirë. Por do të duhen më shumë se një pako për të vërtetuar se një ndryshim i tillë dramatik ka ndodhur, dhe që demokratët e kujdesshëm të dinë se plani i shpëtimit, i frymëzuar nga pandemia, mund fare lehtë të dalë që të jetë pjesa më e lehtë e një legjislacioni madhor të nxjerrë para tyre për votim në dy vjetët e parë të zgjedhjeve të mesmandatit më 2022-n, kur partia e presidentit rëndom humbet vota dhe partia opozitare përfiton në kontrollin e njërës apo të dyja Dhomave.

Faktikisht, të gjitha çështjet e tjera në listën e Bidenit dhe të shumicës së demokratëve – ngritja e infrastrukturës së rrënuar, angazhimi seriozisht për ndryshimet klimatike, emigracionin dhe kapërcimi i përpjekjeve republikane në nivel shtetëror për vështirësimin e procesit të votimit për pakicat – ngërthejnë problematika që mund të nxisin kundërthëniet e brendshme partiake, në kohën kur nuk mund t’ia kushtojnë vetes luksin për ta humbur ndonjë votë. (Po qe se një votim në Senat përfundon me barazim, nënpresidentja Kamala Harris mund të votojë për ta thyer baraspeshën).

Për më tepër, roli i posaçëm “pajtues”, nën të cilin është miratuar Akti i Shpëtimit, kërkon vetëm një shumicë (prej 51 votash) – në kundërshtim me domosdoshmërinë e 60 votave sa nevojiten për shumicën e ligjeve – dhe mund të shfrytëzohet vetëm për pakot që ngërthejnë çështje buxhetore. Kjo është arsyeja pse shumë demokratët mendojnë se masa duhet të shfrytëzohet, të vështirësohet për përdorim apo të ngushtohet koha në të cilën mund të përdoret.

Praktika që është përdorur për të parën herë nga senatorët jugorë për bllokimin e ligjit të së drejtave civile është futur gradualisht në përdorim më të gjerë, deri në pikën kur shumica e ligjeve kërkojnë 60 vota për të qenë të suksesshme. Kësisoj, një pako që ka mbështetje të shumicës mund të përmbyset nga 41 senatorë.

Para zgjedhjeve të 2020-s, kur republikanët e kontrollonin Senatin, lideri i atëhershëm i shumicës, Mitch McConnell, shpesh e përdorte kërcënimin e këtij pragu për t’i varrosur ligjet që vinin nga Dhoma e kontrolluar prej demokratëve. Gjasa që McConnelli të mundet ende t’i bllokojë shumicën e propozimeve demokrate është arsyeja pse kaq shumë njerëz nga partia e presidentit synon që ta ndryshojë pragun apo ta heqë atë qafe tërësisht.

Bideni nuk është aq naiv sa të besojë se McConnelli do t’i ndryshojë pikat e tija politike, por thirrjet për dypartiakësi mund t’i mbajë republikanët përgjegjës për kundërshtimin e tyre. Bideni është i vetëdijshëm se republikanët nuk janë të interesuar që ta ndihmojnë administratën për të fituar në çështjet e mëdha, dhe duke u nisur nga përvoja, ai e di se nuk ka arsye për t’u përfshirë në negociata të gjata e zvarritëse që nuk shpijnë gjëkundi. Përpjekja aktuale e Bidenit, Harrisit dhe njerëzve të tyre për ta shitur Aktin e Shpëtimit para publikut, ndonëse veçse është miratuar, është një mënyrë e përpjekjes për t’u hapur rrugë pakove të tjera administrative, sipas të gjitha gjasave duke i bërë programet qeveritare më të pranueshme.

Meqë rregullat e ndryshueshme të Senatit kërkojnë 67 vota, veprimet serioze rreth pragut paraqesin një sfidë të frikshme. Demokratët flasin rreth ushtrimit të presionit ndaj republikanëve për ndryshimin e rregullit të pragut, duke e nënvizuar kundërshtimin e tyre për pakot popullore të administratës. Por kjo gjë mund të dalë të jetë vetëm një teori: Akti i Shpëtimit është tejet popullor mes publikut, duke gjeneruar përkrahje prej rreth 75 për qind, megjithëkëtë asnjë republikan nuk e ka mbështetur. Ndërkohë, republikanët janë duke u përpjekur që ta përulin atë para syve të publikut, duke ia sulmuar hollësitë.

Andaj, para se transformimi i politikave amerikane të mund të shpallet apo t’i bindë më shumë njerëz se Qeveria amerikane funksionon, një betejë prapëseprapë duhet të zhvillohet rreth pakos që veçse është hedhur në letër.

(Elizabeth Drew është gazetare nga Washingtoni dhe autore e librit më të fundit: “Washington Journal: Reporting Watergate and Richard Nixon’s Downfall”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).