Fundja, më shumë do të arrihej nëse dyshimet do të reduktoheshin e bashkëpunimi do të rritej. Por në botën e sotme të re ka vdekur diplomacia e vjetër
Ndryshimi klimatik është testi i fundit nëse është e mundshme që vendet të hahen për dominim dhe bashkëpunim botëror për të shpëtuar botën. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të bashkëpunojnë për këtë çështje, nuk mund të bashkëpunojnë për asnjë punë tjetër. Bashkërisht, dy fuqitë janë përgjegjëse për më shumë se dyzet për qind të emetimeve të dyoksidit të karbonit.
Rrjedhimisht, shumëkush shqetësohet se pa bashkëpunimin sin-amerikan për reduktimin e emetimeve, nuk mund të shënohet asnjë përparim i plotkuptimshëm. Të gjithëve do të na marrë pusi. Megjithëse të dy palët e dinë se duhet të veprojnë shpejt për të parandaluar katastrofën klimatike, dëshmitë e fundit sugjerojnë se diplomacia konvencionale nuk po bën punë.
Në takimin e parë SHBA-Kinë në epokën e Bidenit në Alaska në mars, zyrtari i lartë i Punëve të Jashtme i Kinës, Yang Jiechi, lansoi një tiradë kundër sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, pasi Blinken përmendi të dhënat e të drejtave të njeriut të Kinës. Pastaj në prill, emisari i Bidenit për klimën, ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u bë zyrtari i parë i lartë i administratës që do të vizitonte Kinën, ku do të takohej me homologun Xie Zhenhua. Të dy kanë folur edhe disa herë të tjera prej atëherë, prapëseprapë nuk është e qartë nëse kanë arritur ndonjë përparim.
Po bëhet përherë e më e qartë se ka pak mundësi që njëra palë ta bashkërendojë tjetrën për të përmirësuar performancën nëpërmjet kanaleve diplomatike tradicionale. Strategjia amerikane i ka tri probleme thelbësore.
Për ata që s’kanë informacione, bashkësia ndërkombëtare ka llogaritur në kalkulimin e saj strategjik mundësinë që Donald Trumpi – ose së paku trumpizmi – do të kthehet në pushtet në Shtetet e Bashkuara. Së dyti, administrata e Bidenit po këmbëngul që politika e klimës të ndahet nga çështjet e tjera (rrjedhimisht, refuzimi i vendosur nga Kerry i idesë se Kina mund të blejë heshtjen amerikane për të drejtat e njeriut). Por Kina ngulmon se “bashkëpunimi klimatik nuk mund të ndahet prej mjedisit më të gjerë të marrëdhënieve Kinë-SHBA”. Kjo krijon dy shtigje për një qëllim.
Problemi i tretë është më i kapshëm. Edhe para debaklit afgan, fuqia amerikane – e forta dhe e buta – më nuk ishte ajo e dikurshmja. Paralajmërimet amerikane ndaj Kinës dhe vendeve të tjera thjesht më nuk e kanë fuqinë e dikurshme.
Pavarësisht vëmendjes së madhe kushtuar diplomacisë së nivelit të lartë në prag të Konferencës së ndryshimit klimatik të OKB-së (COP26) në Skoci, e vërteta është se shtytësit e ndryshimit të fuqishëm ndodhen gjetiu. Kundërpërgjigja e botës ndaj ndryshimi klimatik do të ketë sukses ose do të dështojë mbi bazën e interesit kombëtar vetjak. Çështja për dekadat e ardhshme do të boshtohet se cili vend – cili sistem – do të veshë mantelin e qytetarit botëror të gjelbër. Kush do të jetë i pari që do të përfitojë prej të mirave ekonomike që do të dalin prej teknologjive të gjelbra?
Gara për teknologji të gjelbër fillimisht do të jetë çështje e rivalitetit të fuqive të mëdha. Por edhe vetëpërmbajtja do të jetë një faktor kyç. Në çfarë pike popullsitë do të fillojnë të shohin mosveprimin klimatik si rrezik për ta? Në çfarë përmasash shqetësuese do të jenë kushtet para se njerëzit të kërkojnë ndryshim radikal qoftë edhe në shtete autoritare?
Kundërpërgjigjja kombëtare e Kinës deri tani ka qenë e turbullt. Në shtator 2020, presidenti kinez, Xi Jinping, deklaroi para Kombeve të Bashkuara se vendi i tij do të arrinte kulmin e emetimeve deri më 2030 dhe neutralitetin e karbonit deri më 2060, duke vënë cak më të hershëm se ai i zyrtarizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zero emetime. Por deklarimet e atëhershme kineze janë demonstruar si më pak mbresëlënëse.
Në fjalimin e sivjetmë të Xisë para OKB-së, ai foli për zotimin e Kinës për t’i dhënë fund mbështetjes së projekteve me thëngjill jashtë vendit. Pas premtimeve të ngjashme të Koresë Jugore dhe Japonisë, Kina ishte nën presion të madh për t’i dhënë fund financimit të thëngjillit jashtë vendit (ato tri vende bashkërisht përbënin 95 për qind të financimit të tillë prej vitit 2013). Por ky koncesion nuk është kushedi çka, duke pasur parasysh vendet pranuese që tashmë kanë nisur të rrisin numrin e projekteve të reja me thëngjill.
Për më tepër, çfarë ka rëndësi në Lojën e Madhe të Gjelbër është koreografia. Kina është e vendosur që zotimet e saja të kuptohen sipas kritereve kineze. Dhe më së miri këtë e ka shpjegua Mikko Houtari, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Kineze, “Mercator”: “Kinezët nuk duan të shtyhen poshtë e lart. Kjo është lojë e pritjes – dhe e shpresës për sinjale”.
Kina ka pranuar gjithashtu mundësitë ekonomike në ofertë. Tashmë, shtatë prej dhjetë prodhuesve më të mëdhenj të turbinave të erës janë kineze. Ekonomia kineze është tani aq e madhe saqë prodhon më shumë infrastrukturë të ripërtërishme se mbarë pjesa tjetër e botës bashkërisht, duke ulur çmimin e burimeve të energjisë diellore, të erës dhe të tjera.
Por Kina njashtu gjeneron 53 për qind të energjisë së botës nga thëngjilli, dhe ende po i ngrit kapacitetet e veta. Ekspertët thonë se duhet të mbyllë më shumë se 500 termocentrale brenda dhjetë vjetësh që të ketë mundësi të realizojë qëllimet e veta për klimën. Deri tani, kjo nuk po ndodh. Për më keq, Kina pritet t’i kthehet telashit të emetimit të para-pandemisë. Me dhjetë provinca kineze që po detyrohen të përballen me reduktime energjetike, është ngritur alarmi për një tjetër gjeneratë të prodhimit të energjisë nga thëngjilli.
Këto çështje janë në ballë në një luftë më të gjerë kulture që po lëshon rrënjë në Kinë, ku ndryshimi klimatik hidhet poshtë nga nacionalistët si “pseudoshkencë perëndimore” dhe denoncohet si konspiracion për të frenuar rritjen ekonomike të vendit.
Dhe si pasojë e këtyre forcave politike kemi efektet e ndodhive të jashtëzakonshme meteorologjike. Këtë verë, më shumë se 300 persona vdiqën në provincën Henan, kur sasia e një viti të tërë të reshjeve ra brenda tri ditëve të vetme. Autoritetet lokale u përballën me kritika të pashembullta në media sociale, ku publiku sinjalizoi zemërimin e vet kundrejt problemeve infrastrukturore dhe dështimeve për parashikimin e motit.
Me një thirrje ndërgjegjeje nga audienca e brendshme dhe bashkësia ndërkombëtare, liderët e Kinës po kërkojnë që edhe vendet e tjera të kenë pak mirëkuptim. Kina rregullisht ngec në argumentimin se ajo dhe të tjerat vende “në zhvillim” nuk duhet të jenë subjekt i të njëjtave kufizime, si SHBA-ja dhe Evropa, që kanë emetuar shumë më moti.
Derisa po afrohet COP26, lufta për kredenciale të gjelbra do të intensifikohet. Do të jetë e rëndësishme të kujtohet se kjo është një betejë e ligjshme që po zhvillohet brenda një lufte të ftohtë më të gjerë. Instinktet konkurruese të Kinës dhe Amerikës do t’i shtyjnë t’ia marrin shkëlqimin njëra-tjetrës në teknologji të reja dhe vendime befasuese. Mbetet të shihet nëse kontributet e tyre do të vërtetohen më qenësore se veç performuese.
Fundja, më shumë do të arrihej nëse dyshimet do të reduktoheshin e bashkëpunimi do të rritej. Por në botën e sotme të re ka vdekur diplomacia e vjetër.
(Autori është këshilltar në “Chatham House”. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)