10 teza në 1 Maj

Albin Kurti Albin Kurti 01 maj 2018 15:47

1. Para luftës shteti okupator na dëboi nga pronat e përbashkëta dhe i shfrytëzonte ato. Pas luftës, kaluam te privatizimet pa shtet. E pas pavarësisë te një shtet ama i privatizuar. Në vend të pronësisë publike të të gjithë qytetarëve mbi vetë shtetin dhe mbi aq shumë të përbashkëtat tona materiale e shpirtërore, kemi gjithnjë e më shumë pushtetarë të cilët haptazi apo fshehurazi janë pronarë të mëdhenj. Vetëkuptohet, kjo do të thotë se shumë më shumë njerëz mbeten të shpronësuar, të vjedhur, të varfër e të lënë pa të ardhme.

2. Në Kosovë sot kapitali e dominon punën! Koeficienti Beta, raporti midis pasurisë dhe të ardhurave, midis pronës dhe pagave, është shumë i lartë. Investimet e qëndrueshme e strategjike në ekonomi mungojnë tërësisht. Të vetmet investime që kanë sjellë janë kryesisht spekulative, ose tejshfrytëzuese të punëtorëve e të mjedisit. Paqja është dëshmi se ka ngadhënjyer kapitali mbi punën, pronarët mbi rrogëtarët. Përkohësisht.

3. Kur shërbimet bëhen dega kryesore e ekonomisë, atëherë kjo i jep karakter feudal shoqërisë, në ata që shërbejnë (pra, shërbëtorët) dhe në ata që i marrin shërbimet (pra, zotërinjtë). Ndryshe është puna në ekonominë prodhuese, pasi prodhimi çliron aftësitë krijuese të njeriut. Prodhimi i bën bashkë njerëzit, i organizon njerëzit, i mëson ata të planifikojnë. Duke krijuar e prodhuar, qytetarët bëhen punëtorë (të shoqërisë) dhe punëtorët bëhen qytetarë (të Republikës).

4. Incentiva e kapitalit financiar është profiti kurse e kapitalit industrial është zgjerimi. Nëse mendojmë se duhet të zgjerohet ekonomia e Kosovës e jo xhepat e oligarkëve, atëherë Kosovës i nevojitet industrializimi. Për industrinë profiti është mjet jo qëllim. John Maynard Keynes me të drejtë thoshte se kënaqësia e ndërtimit të një fabrike a hekurudhe nuk është thjesht dhe vetëm për shkak të parave.

5. Nuk ka shanse të barabarta vetëm me liri negative (liria nga ndërhyrja). Nevojiten edhe liritë pozitive që të mos përfundosh i varur, i nënshtruar e në kushte çnjerëzore të punës. Liritë pozitive i mundëson arsimimi cilësor e shëndetësia për të gjithë. Liria pozitive ka rrënjë sociale. Liritë pozitive (liritë për) në neoliberalizëm sakrifikohen në emër të lirive negative (lirive prej).

6. Ata që thonë se punëtorët në Kosovë janë të shtrenjtë duke e lidhur punësimin me koston e punës, i përkasin teorisë neoklasike, për dallim nga Keynes që tregoi se shkalla e punësimit varet nga paratë e shpenzuara e të investuara mençur, të cilat gjenerojnë kërkesën. Kostoja e punëtorëve në Kosovë është ndër më të ulëtat në Evropë e rajon, megjithkëtë partizanët e neoliberalizmit nuk po sjellin investimet e premtuara. Investimet shkojnë në vende me kosto më të lartë të punësimit. E në ato vende po shkojnë, fatkeqësisht, edhe bashkatdhetarët tanë, si emigrantë, si krah pune.

7. Tri raportet themelore, ai midis shoqërisë dhe ekonomisë, midis punës dhe kapitalit si dhe midis shtetit dhe tregut, janë më shumë të varura sesa të ndashme nga njëra-tjetra. Çështjet sociale dhe çështjet politike porsa të ndahen nga njëri-tjetra bëhen probleme të pazgjidhshme. Socialdemokracia shpjegon dhe ushqen lidhjen midis sociales dhe politikës, midis mirëqenies dhe demokracisë. Socialdemokracia është demokraci. Demokracia është socialdemokraci.

8. Në Kosovë nuk është problemi vetëm te gjendja e pashpresë e të papunëve por edhe te gjendja e pasigurisë e të punësuarve. Të parëve u duhet kthyer shpresa, me rimëkëmbjen e industrive strategjike dhe me investime publike që rrisin punësimin dhe ekonominë. Të dytëve u duhet kthyer siguria përmes zbatimit korrekt të ligjeve e kontratave që mbrojnë e avancojnë të drejtat e tyre. Për punëtorët e të papunët e kemi planin për punësim të dinjitetshëm, në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje.

9. Shfrytëzimi sot është më i madh se kurrë: në njërën anë punëtorëve iu shkelen të drejtat e, në anën tjetër, përmes kredive me kamata të larta punëtorët janë bërë borxhlinj të mëdhenj bashkë me familjet e tyre. Vdekjet e punëtorëve në vendet e punës, diskriminimi i punëtorëve me baza gjinore, krahinore, etnike, racore e klasore, abuzimet verbale e fizike prej eprorëve në vendet e punës, në sektorin publik e sidomos në atë privat, tregojnë se kundër punëtorëve ky mentalitet sundues zhvillon një luftë sistematike. Ligji të mbron disi individualisht porse sindikatat të mbrojnë edhe kolektivisht.

10. Ajo shprehja e famshme e George Orwellit te “Ferma e kafshëve” ku “Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë sesa të tjerët” flet për situatat totalitare. Por sot kjo thënie na shpërqendron nga realiteti aktual, ku në fakt të gjithë e secili jemi të pabarabartë ndërvedi, por disa janë më të pabarabartë se të tjerët. Ata janë punëtorët e të papunët. Nuk duhet lejuar që çmimi i kritikës ndaj totalitarizmit të jetë harresa për nevojën e shoqërisë për rishpërndarje. Rishpërndarja e vazhdueshme, e drejtë dhe e mençur e pasurisë, është një nga arsyet kryesore pse u krijua shteti modern.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment