Vështrime

Trumpi nuk e ka krejt gabim kur i kritikon aleatët në NATO

Trumpi e imagjinon NATO-n si një kompani të mbrojtjes, e cila do t’i mbronte vetëm ata që paguajnë. Ky është një thjeshtëzim i rrezikshëm për rolin e Aleancës perëndimore ushtarake. Por, kur i kritikon vendet evropiane të NATO-s se nuk po investojnë sa duhet në mbrojtje, ndërkohë që llogarisin se i mbron Amerika përmes NATO-s, nuk e ka krejt gabim. Sepse shifrat e NATO-s dëshmojnë se Shtetet e Bashkuara ndajnë për mbrojtje dy herë më shumë se të gjitha 30 vendet e tjera anëtare së bashku. Ndonëse asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim obligimin për t’i mbrojtur të gjithë aleatët, që të gjithë presidentët amerikanë në 50 vjetët e fundit kanë kërkuar që evropianët të investojnë më shumë në mbrojtje.

Dikujt mund t’i duket i pasaktë konstatimi se Gjermania për dekada e ka zhvilluar ekonominë e saj në kohën kur është bazuar në naftën dhe gazin e lirë nga Rusia dhe mbrojtjen ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky konstatim është tepër i thjeshtësuar, por nuk mund të thuhet se në të nuk ka edhe të vërteta. Si fuqia më e madhe ekonomike evropianë, Gjermania ka investuar shumë pak në mbrojtje. Por ka edhe arsye historike për këtë. Së pari pas Luftës së Dytë Botërore, zhvillimi ushtarak i Gjermanisë nuk ka qenë diçka e dëshirueshme as nga aleatët. Së dyti, akoma ekziston marrëveshja për stacionim të trupave ushtarake amerikane në Gjermani. Dhe si shtet anëtar i NATO-s, Gjermania gëzon edhe mbrojtjen kolektive sipas artikullit 5 të Traktatit të Washingtonit, sikur që ka edhe detyrime nga ky artikull. Dhe amerikanët, jo vetëm Trumpi, besojnë se gjermanët, më shumë sesa vendet e tjera, duhet të rrisin investimet e tyre në mbrojtje për të kontribuar më shumë kështu edhe në kapacitetet e përbashkëta mbrojtëse të NATO-s.

Kur ishte president amerikan, Donald Trump, në disa raste përmendi pikërisht Gjermaninë për të ilustruar se si “amerikanët paguajnë për të mbrojtur evropianët”. Kjo ka tingëlluar dhe tingëllon mirë edhe në veshët e shumë amerikanëve, të cilët nuk mendojnë shumë për hollësitë se si funksionon NATO-ja.