Vështrime

Mallkimi i dëshirës së plotësuar

Është një thënie e vjetër: “Ke kujdes çfarë dëshiron se ndoshta dëshira edhe të plotësohet”. Me Planin e ri të Rritjes së BE-së, vendeve të rajonit u është plotësuar dëshira për fondet shtesë nga ana e BE-së. Tani fondet më nuk janë problem; Kosovës ato do t’i trefishohen. Tani testi i vërtetë para vendeve të rajonit është nëse me të vërtet kanë vullnet politik dhe kapacitet administrativ për t’u sjellë si një vend i gatshëm për anëtarësim në BE

Pushtimi rus i Ukrainës ia ka rikujtuar Bashkimit Evropian rëndësinë që ka zgjerimi për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë kontinentit evropian. Kësisoj, kohëve të fundit diskursi publik është mbushur me kryetituj të deklaratave politike të liderëve të BE-së për rëndësinë e zgjerimit. Ndoshta deklarata që ka tërhequr më së shumti vëmendje ka qenë ajo e presidentit të Këshillit Evropian, z. Charles Michel, i cili vendosi vitin 2030 si cak për valën e ardhshme të zgjerimit të BE-së.

Por ndërkohë një iniciativë tjetër po aq e rëndësishme është duke u zhvilluar larg vëmendjes publike. E fshehur nën vellon e burokracisë brukseliane me titull monoton zyrtar “Komunikata nga Komisioni për Parlamentin Evropian, Këshillin, Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian dhe Komitetin e Rajoneve: Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perendimor”, kjo iniciativë ka potencial që të ndryshojë rrënjësisht procesin e zgjerimit.