Vështrime

Një komb - dy kombëtare

Motoja “një komb - një kombëtare” ka pasur kuptim kur skuadra kombëtare e Shqipërisë nisi të ftonte dhe lojtarë që nuk ishin nga Shqipëria. Kjo edhe solli revolucion dhe për herë të parë Shqipëria u gjet në një kampionat. Tash kur Kosova është shtet, dhe me mund të madh u bë anëtare e UEFA-s e FIFA-s, më mirë përshtatet thënia “një komb - dy kombëtare”. Në mesin e shqiptarëve kudo që jetojnë, ka aq shumë talente saqë mund të kontribuojnë për më shumë kombëtare. Dhe nuk duhet paragjykuar e as ofenduar se nuk janë sa duhet patriotë ata që luajnë për njërën apo për tjetrën kombëtare

Shpresat e shumë tifozëve shqiptarë të futbollit u realizuan deri në gjysmë. Në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani nuk do ta shohim Kosovën, por do të mund të shohim Shqipërinë. Për herë të dytë, kombëtarja e Shqipërisë u kualifikua në një evropian. Kosova dështoi, përkundër faktit se e kishte një grup kualifikues jo edhe aq të vështirë, ani pse grupe të lehta sot nuk ka, sepse të gjithë disi dinë të luajnë futboll.

E kemi ditur se viti 2024 do t’i gjejë kosovarët me liberalizim të vizave. Dhe shpresonim që shumë prej tyre këtë vit do të mund të shkonin në Gjermani prej mesit të muajit qershor e deri në korrik për të parë në stadium kombëtaren e Kosovës. Por fati nuk e deshi. Megjithatë, kosovarët pa dyshim do të ndjekin kombëtaren e tyre, atë të Shqipërisë. Sepse edhe atë kombëtare e konsiderojnë të veten. Nuk ka asgjë të keqe këtu e as të pakuptueshme që dikush të ketë ndjenjën se i ka dy kombëtare të zemrës dhe që të dyja i konsideron të vetat.