Vështrime

Nëse Evropa mundi ta bëjë, mundet edhe Lindja e Mesme

Grupet izraelite dhe palestineze që do të ishin më pranuese të ndryshimit të përnjëmendtë me shumë gjasë do të prihen nga gratë, të rinjtë dhe arabët izraelitë, shumica e të cilëve janë kujdesur për të mbijetuarit e sulmit të 7 tetorit dhe janë angazhuar në aktivitete të tjera qytetare me Izraelin. Aktivistët e klimës, ekologët, autoritetet e shëndetit publik dhe profesionistët e fushave të tjera që i kapërcejnë kufijtë kombëtarë janë njashtu aleatë të natyrshëm. Mbështetësit e një paqeje të qëndrueshme duhet t’i organizojnë dhe t’i financojnë lëvizjet e reja shoqërore dhe koalicionet politike. A është kjo kafshatë që mbetet në fyt? Mbase. Por, pa një strategji bindëse dhe të besueshme për të nesërmen e nesërmja mund të mos vijë kurrë. Evropa i tejkaloi dy mijëvjeçarë luftëra të nxitura nga ndasitë e thella etnike, fetare, politike e kulturore për ta krijuar një entitet të ri politik. Andaj, mund ta bëjë edhe Lindja e Mesme

Më 1951, vetëm gjashtë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore e nënshkruan Traktatin e Parisit duke e themeluar Komunitetin Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut.

Ishte kjo një e arritur e jashtëzakonshme duke pasur parasysh se Franca dhe Gjermania patën zhvilluar tri luftëra të mëdha midis viteve 1870 dhe 1945, në ato që çuan në miliona vdekje, në rrënim të tokave dhe qyteteve dhe në zaptime territoriale nga të dyja anët. Edhe dekada pas kësaj, nëna ime belge, e cila i iku okupimit gjerman të Belgjikës sa ishte fëmijë, bashkë me nënën dhe vëllain e saj, dridhej sa herë që shihte një uniformë doganore gjermane. Megjithëkëtë, këta armiq të dikurshëm u pajtuan që t’i grumbullojnë prodhimet e tyre të thëngjillit dhe çelikut në mënyra që do t’i parandalonin ata që të prodhonin armë të cilat do të përdoreshin kundër njëra-tjetrës përsëri.