Vështrime

Kosova: Drejt zhvillimit më të lartë, më të gjelbër e më të qëndrueshëm

Javën që shkoi, më 15 nëntor, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi rishikimet e para të marrëveshjeve dyvjeçare të Kosovës, asaj Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF). Gjatë realizimit të këtyre rishikimeve, menaxhmenti i FMN-së nënvizoi rritjen e qëndrueshme të Kosovës përkundër vështirësive globale dhe rajonale, si dhe trendit të rënies së konsiderueshme të inflacionit. Gjithashtu menaxhmenti i FMN-së lavdëroi performancën shumë të mirë në të dy programet. Ndonëse ky aprovim ofroi në dispozicion rreth 24.8 milionë euro në kuadër të SBA-së dhe rreth 38.4 milionë euro në kuadër të Marrëveshjes RSF, këto dy programe ofrojnë shumë më shumë se vetëm mbështetje financiare.

Marrëveshja SBA është rrjet sigurie që ndihmon në zbutjen e rreziqeve eventuale nga goditjet, si për shembull, ngritjes së çmimeve të mallrave ose ndryshimeve në disponueshmërinë e financimit. Meqenëse programi i Kosovës është me financim të plotë dhe Kosova ka rezerva të konsiderueshme fiskale, marrëveshja SBA trajtohet si e kujdesit paraprak, që do të thotë se financimi i ofruar nuk do të përdoret nëse nuk materializohen rreziqet. Megjithatë, disponueshmëria e rrjetit të sigurisë që mundëson SBA-ja kontribuon në stabilizimin e pritshmërive ekonomike, në zvogëlimin e pasigurisë dhe zbutjen e rënieve të mundshme. Është shtyllë kyç që mbështet përpjekjet e autoriteteve për të siguruar stabilitet makroekonomik dhe është katalizator për avancimin e politikave dhe për rritje ekonomike.