Vështrime

Vuçiqi vazhdon me sukses ta sfidojë BE-në

Një situatë në të cilën çfarëdo që kërkon Kosova është “joreale” dhe çfarëdo që refuzon Serbia është “e logjikshme” e kanë krijuar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak. Dhe në këtë mënyrë ata e kanë shkelur vetë punën e tyre, sepse dëshmojnë se as dokumentin që vetë e kanë shkruar, as atë për të cilin janë lavdëruar se ka qenë marrëveshje, nuk e respektojnë. Dhe nëse Lajçak dhe Borrell vetë nuk i marrin seriozisht Marrëveshjen e shkurtit që thanë se u arrit në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, atëherë pse t’i marrë Vuçiqi

Java e cila pritej të ishte kyç për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, megjithatë përfundoi me një porosi të qartë, vetëm disa orë pasi u duk se gjithçka dështoi në përpjekjet e nivelit më të lartë evropian për të arritur pajtim mes palëve për të zhbllokuar ngërçin në të cilin është dialogu.

Pas më shumë se gjashtë orë diskutimesh, ku rolin kryesor kësaj radhe nuk e kishin burokratët e Brukselit, por liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, u duk se asgjë nuk eci përpara. Kryeministri i Kosovës, i cili kësaj radhe injoroi gazetarët dhe opinionit ia shpërndau vetëm një komunikatë me shkrim, porositi se ka pranuar gjithçka, të gjitha ofertat, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që kjo qeveri e përmend si “neni 7 në ndërlidhje me nenin 10”. Por ai tha se ka ofruar që këtë propozim ta nënshkruajnë, së bashku me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera. Me të drejtë në deklaratën e Qeverisë së Kosovës thuhej se “pranimi nënkupton nënshkrimin dhe vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”. Sado që e qartë duket kjo pjesë e deklaratës, ajo po ashtu lë hapësirë për të menduar se, pasi nuk është nënshkruar, mund të thotë se Kosova më nuk e pranon.