Vështrime

Më shumë se ekspert i Palestinës, Edi Rama është ekspert i pallavrave

I pajisur me pushtet gati të pakufishëm politik, por pa autoritet moral, Edi Rama ka kohë që ka hyrë në ujëra të zeza të debateve shterpe. Për të goditur Kosovën, së fundi ai po përpiqet të shpjegojë konfliktin e Palestinës duke e krahasuar me atë të Kosovës. Sa larg të vërtetës qëndron kryeministri i Shqipërisë, këtë e tregojnë faktet e lëvruara, për shembull, nga shkencëtarë gjermanë të Lindjes së Afërt. Por ky nuk është shembulli i vetëm. Një portret pa kornizë i Edi Ramës.

1.

Ka muaj që shumë kolegë nga mediat gjermane e zvicerane më pyesin: “A mund të na tregosh çka ka ky njeri me këto deklarata qesharake?” Ky njeri është Edi Rama. Pyetjen e kolegëve gjermanë e zviceranë ia bëra para disa ditësh edhe një miku në Tiranë. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “S’ka agjendë, ka veç protagonizëm amatoresk”. Zëra të tjerë në Tiranë thonë se Edi Rama ka agjendë, se ende është në sirtar plani i pluhrosur për “korrigjimin e kufijve”, sipas të cilit një Kosove me rreth 30 për qind territor më pak nuk do t’i mbetej gjë tjetër veçse t’i bashkohej Shqipërisë.