Vështrime

Rruga famëkeqe Prishtinë-Besi-Podujevë si subjekt i paligjshmërisë

Rruga famëkeqe Prishtinë-Besi-Podujevë si subjekt i paligjshmërisë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (tutje: ministria) më 9 janar 2023 njoftoi për fillimin e procedurave të prokurimit publik për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Kjo rrugë kishte filluar të ndërtohej para 7 vjetësh dhe është përcjellë në vazhdimësi me probleme të shumta deri tek aksidentet fatale. Kjo rrugë e cilësuar shumë shpesh edhe si “rruga e vdekjes”, filloi të ndërtohej përfundimisht më 3 korrik 2023.

CorrWatch ka monitoruar që nga fillimi procesin e prokurimit për këtë rrugë në veçanti, duke identifikuar kështu probleme në procesin e prokurimit, qysh në faza të hershme dhe që nga dosja e tenderit. Gabimi i parë në dosjen e tenderit qëndronte në vlerën totale të projektit. Me mbledhjen e loteve vlera rezultonte në 37.599,983 milionë euro, ndërsa në dosje figuronte shuma prej 38,030,326,00 eurosh. Gabimi i dytë u identifikua te numri i kilometrave. Sërish, me mbledhjen e kilometrave të ndara në lote, rruga doli të jetë 19,088 km, ndërsa sipas dosjes së tenderit ishte 23 km. Pas intervenimit të CorrWatch, këto gabime u përmirësuan nga Ministria. Këto gabime zyrtarët e Ministrisë i cilësuan si lëshime dhe rrjedhimisht nuk jemi të njoftuar për ndonjë hetim të iniciuar ndaj tyre. Gjithsesi për ne ende mbetet e habitshme si mund të ndodhin lëshime në kalkulime kaq të thjeshta, dhe për procese të tilla të kushtueshme.