Vështrime

Përqafimi i fundit i pitonit

Asnjëherë nuk duhet harruar se marrëdhëniet e Perëndimit me Serbinë janë sikur dashuria e pitonit. Në cilindo moment Perëndimi mund ta shtrëngojë Serbinë politikisht dhe ekonomikisht deri në asfiksim. Tani pas dështimit të Banjskës, ky shtrëngim dashurie do të bëhet më i fortë

Për kohë të gjatë themelet e angazhimit perëndimor në rajonin tonë janë ngritur mbi tri premisa: (1) e ardhmja e rajonit është BE-ja dhe NATO-ja; (2) Serbia si vend më i madh i rajonit ka rëndësi qendrore në arritjen e këtij qëllimi; dhe (3) rrjedhimisht duhet t’ia ofrojmë karotat e nevojshme lidershipit politik në Beograd për të motivuar të shkojë drejt Perëndimit.

Kësisoj Perëndimi e afroi Serbinë duke e bërë vend favorit apo “front runner” për anëtarësim në BE. Serbia fitoi statusin e vendit kandidat dhe hapi negociatat e anëtarësimit. Perëndimi po ashtu asistoi Serbinë në ngritjen ekonomike duke integruar ekonominë serbe me atë rajonale dhe evropiane. Sot ekonomia serbe dominon ekonominë rajonale, ndërsa BE-ja është larg partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë: 60% e tregtisë së Serbisë është me BE-në, ndërsa 63% e investimeve të huaja direkte në Serbi vijnë nga BE-ja.