Vështrime

Terrorizmi nuk mund të jetë temë e dialogut

Dialogu në Bruksel është një proces politik, shumë i pasuksesshëm, ndoshta edhe i dështuar. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri u quajtën edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së si terroriste. Përdorimi i këtij termi nga ana e BE-së ka peshë. Prandaj nuk kanë kuptim thirrjet që për atë që ndodhi në veri të dielën të diskutohet në dialog. Sepse terrorizmi nuk mund të jetë temë e dialogut.

Bashkimi Evropian kësaj radhe ishte shumë i qartë në reagimet për sulmet ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të vendit. Vërtet, për të reaguar BE-së iu desh një kohë shumë e gjatë, ndoshta tepër e gjatë për një situatë aq të rëndë. Por kjo nuk është befasi për ata që ndjekin BE-në. Ajo, si një organizëm shumë kompleks, sidomos në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme nuk reagon shpejt. Prandaj nuk befason fakti se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, deklaratën e parë për këtë tragjedi e dha diku para orës 14:00, pra më shumë se dhjetë orë prej kur ndodhi rasti. Ai për këtë është dashur të marrë informatat e duhura nga terreni, ndoshta edhe të konsultohet së paku me disa vende anëtare, për të dalë me një reagim qoftë edhe të vonuar. Dhe prononcimi i tij i parë ishte i qartë, dënonte në mënyrën më të ashpër të mundshme sulmet ndaj policisë dhe kërkonte që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Kërkonte po ashtu që t’u jepet fund sulmeve dhe të ruhen jetët e njerëzve pasi akoma kishte rrezik.

Disa orë më vonë, Josep Borrell reagoi përsëri. Kësaj radhe pasi njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk e dimë se çfarë i kanë thënë ata atij dhe çfarë u ka thënë ai atyre. Por deklarata e tij kësaj radhe shënoi një kthesë të madhe, sepse ai përdori termin “sulm terrorist”, “qyqar” dhe “të tmerrshëm”. Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, kolegëve e të dashurve të policit që humbi jetën në detyrë dhe u ka uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar.