Vështrime

Kilometrikët e parespektuar

Disa nga këta, [analistë], [ekspertë] apo [njohës] jo vetëm se e mungojnë thelbin e çështjeve, e mungesën e integritetit të tyre, por, po ashtu, po bëjnë paragjykime mbi baza personale e konspirative. Të njëjtët sikur duan të gatuajnë pogaçe misri me miell gruri, e u del e pashije

Disa nga studiot televizive sikur të jenë shndërruar në ambiente atraksioni, për të kilometrazhuar me deklarime e të dhëna të paqëndrueshme. Janë këta, disa [analistë], [ekspertë] apo [njohës] të tillë, shumë të gjatë e kanë bërë radhën, aq sa kilometri! Biografitë e tyre janë të çuditshme, por paraqitjet i kanë teatrale.

Disa nga këta, [analistë], [ekspertë] apo [njohës] të temave politike, por jo vetëm ...janë të prirë të na plasojnë analiza e edhe parashikime me informata jo të sakta dhe jo aq të besueshme, si rezultat i mungesës së verifikimit të burimit. Disa të tillë krijojnë edhe epitete dhe flasin e insistojnë sikur veç e vërteta e tyre ekziston. Të tillët, pas kritikave, sharjeve e ofendimeve nëpër disa studio televizive, fshehën lidhjet jopublike të tyre me motive të dyshimta, me grupe interesi, e struktura parapolitike e politike. Disa të tillë, të hutuar për të dhënë shfaqje në ekranet televizive, tregojnë paaftësinë e tyre për të ofruar kritikën objektive, alternativën e argumentuar apo zgjidhjet e qëndrueshme. Për qytetarin e rëndomtë, të edukuar e të emancipuar, është shqetësuese mungesa e ndershmërisë dhe përgjegjësisë mbi fjalën publike.