Vështrime

Testi i përbashkët

Idetë e sugjeruara për reformimin e brendshëm të BE-së do të kërkojnë urtësi politike për të avancuar atë në një organizëm të aftë për t’u përballur me sfidat e shekullit XXI. Kjo do të kërkojë që liderët politikë të kuptojnë rëndësinë e kompromiseve nacionale që duhen bërë për hir të avancimit të BE-së si tërësi. Në këtë sens, ironikisht, vendet anëtare të BE-së e gjejnë veten sot para të njëjtit test sikur vendet e Ballkanit Perëndimor

Prej kohësh procesi i zgjerimit të BE-së ka qenë në rënie të lirë. Zgjerimi i madh i vitit 2004 është fajësuar (padrejtësisht) nga shumë vende anëtare si burim i problemeve të brendshme të BE-së. Po ashtu, një numër i krizave të njëpasnjëshme si ajo financiare, migrimi, BREXIT-i dhe rritja e partive populliste evropiane e kanë obliguar BE-në të kthehet nga vetja. Si pasojë, procesi i zgjerimit është futur në moratorium. Shpesh trupi kryesor vendimmarrës i BE-së, Këshilli i BE-së, ka gjetur veten në ngërç politik për shkak mungesës së vullnetit politik të BE-së për të avancuar procesin e zgjerimit. Me kalimin e kohës edhe vetë pozita e komisionerit për Zgjerim filloi të humbasë peshën e vet politike. Të emëruarit komisioner për Zgjerim ishte indikacion që karriera jote është duke shkuar në drejtim të gabuar. E gjithë kjo mungesë e interesimit të brendshëm politik të BE-së për zgjerimin prodhoi pasoja për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të hapnin negociatat e anëtarësimit përkundër përmbushjes së të gjitha kritereve të vendosura. Njëjtë, Kosova nuk arrinte të merrte liberalizimin e vizave përkundër përmbushjes së të gjitha kritereve respektive. Të njëjtin fat e ndante Bosnja me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat.

Vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës BE-ja u zgjua nga gjumi prej dy dekadash dhe njohu përsëri rëndësinë e procesit të zgjerimit për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian. Nga kancelari Sholc dhe presidenti Macron, e deri te presidenti i Këshillit të BE-së, z. Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, znj. Von der Leyen, të gjithë sot flasin në sinkron për rëndësinë dhe urgjencën e zgjerimit.