Naive të pritet që Borrelli dhe Lajçaku ta kërkojnë heqjen e masave ndaj Kosovës
Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) dhe Komisioni Evropian mezi kanë pritur të kenë mundësi të sanksionojnë Kosovën. U inkurajuan sidomos kur edhe SHBA-të vendosën të ndërmarrin masa. Tash, sado që „përshëndesin“ hapat që po ndërmerr Kosova, është naive të pritet se do të propozojnë heqjen e sanksioneve pa u përmbushur të gjitha kushtet që janë përmendur. E ato nuk maten me përqindjen e zvogëlimit të pranisë së njësive speciale të policisë në afërsi të godinave të komunave në veri, por me përmbushjen e plotë. Masat janë të padrejta, të njëanshme, të pabalancuara. Por BE-ja nuk ndien se dikujt duhet t’i arsyetohet
Masat e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës kanë qenë ide që ka ardhur nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së, shërbim diplomatik i bllokut i njohur me shkurtesën EEAS. Ky shërbim në emër të BE-së edhe luan rolin udhëheqës në lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Shërbimet e tjera të BE-së, përfshirë edhe Komisionin Evropian, janë vetëm zbatues. Për herë të parë, sipas burimeve diplomatike, masat ndaj Kosovës janë përmendur nga përfaqësues të ekipit të të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, në takim me diplomatë të vendeve anëtare në një grup punues në Këshillin e BE-së. Qëllimisht janë zgjedhur ato masa për të cilat nuk ka nevojë të merret vendim në organet e BE-së, por vetëm të ketë mbështetje politike, e pjesën formale të tyre e zbaton, pastaj Komisioni Evropian për pjesën ekonomike dhe financiare, ndërsa EEAS pjesën politike.
Kur ndaj Kosovës u vendosën këto masa, u tha se ato janë vendosur nga shtetet anëtare. Kjo, në një mënyrë mund të jetë e saktë, sepse ato vërtet të gjitha kanë mbështetur një deklaratë ku përmenden masat ndaj atyre që nuk do të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës. Por asnjëherë masat konkrete nuk janë diskutuar e as miratuar në mënyrë formale nga vendet anëtare. Madje disa prej vendeve anëtare, kur e kanë parë se sa të njëanshme dhe të pabalancuara kanë qenë ato, pasi asnjë masë nuk është ndërmarrë e as propozuar ndaj Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës, kanë shprehur dyshimin nëse ato janë të drejta apo jo. Por vendet anëtare nuk kanë kërkuar akoma që ato të hiqen apo të zbuten, prandaj përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, mund të thonë se masat vazhdojnë të kenë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare, dhe atë nga niveli më i lartë. Niveli më i lartë, që do të thotë shefat e shteteve apo qeverive të 27 vendeve anëtare, nuk merren me çështje teknike. Me përqindjen e pranisë së forcave speciale të Policisë së Kosovës rreth godinave të komunave në veri, me procedurat e shkarkimit të kryetarëve të komunave, dorëheqjen e tyre apo procedurat e organizimit të zgjedhjeve lokale. Atyre u është thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa „antievropiane“ dhe ka shkaktuar krizë të sigurisë dhe tensione në veri, që kanë trazuar jo vetëm rajonin, por kanë kërcënuar edhe paqen në tërë Evropën dhe më gjerë. Për më tepër, kësaj radhe për një vlerësim të tillë kanë pasur edhe mbështetjen amerikane. Dhe kur kanë dëgjuar këtë liderët evropianë, janë pajtuar se ndaj atyre, pra Kosovës, mund dhe duhet të ndërmerren masa. Kështu kemi ardhur në pozitën ku jemi. Me masa në fuqi ndaj Kosovës që, pasi janë vendosur, nuk do të hiqen lehtë.
