Vështrime

A është ky tentimi i fundit i Vuçiqit për ndarjen e Kosovës?

Në vitin 2018 publicisti kroat Darko Hudelist pasi zhvilloi një intervistë me presidentin serb A. Vuçiq, e pyeti atë se si mendonte “ta zgjidhte problemin e Kosovës”. Vuçiqi u përgjigj se nuk e ka ndërmend “ta dorëzojë veriun e Kosovës”. Çfarë po ngjet aktualisht në veri të Kosovës e ka zanafillën në projektin disavjeçar serb për ndarjen e Kosovës. Me çdo gur e shok-bombë bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi testojnë si autoritetet e Kosovës ashtu edhe bashkësinë ndërkombëtare sa janë të gatshme të garantojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Fati i serbëve që jetojnë këndej urës së Ibrit në Kosovë nuk është prioritet kryesor i Vuçiqit – prioritet i tij është çarja territoriale e Kosovës si pikënisje e shkatërrimit edhe të shteteve të tjera të rajonit (Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi).

Në një vilë qeveritare në lagjen Dedinje të Beogradit në vitin 2018 publicisti kroat Darko Hudelist takoi presidentin serb A. Vuçiq dhe zhvilloi një intervistë me të për revistën “Globus” të Zagrebit. Pas intervistës Vuçiqi shtroi drekë për Hudelistin. “Ishim vetëm ne dy (...). Në një çast e pyeta Vuçiqin se si mendonte ta zgjidhte problemin e Kosovës. Domethënë, cili është plani i tij për Kosovën. Mendoi pak – kaluan disa (ndoshta pesë, ndoshta dhjetë) sekonda të heshtjes dukshëm të tensionuar, pastaj tha se nuk mendonte ose nuk e ka ndërmend ta dorëzojë veriun e Kosovës”.

Asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti 2018 në qasjen e regjimit të Vuçiqit ndaj Kosovës. Çfarë po ngjet aktualisht në veri të Kosovës e ka zanafillën në projektin disavjeçar serb për ndarjen e Kosovës. Me çdo gur e shok-bombë bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi testojnë si autoritetet e Kosovës ashtu edhe ndërkombëtarët sa janë të gatshme të garantojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Dhe funksionimin e institucioneve. Fati i serbëve që jetojnë këndej urës së Ibrit në Kosovë nuk është prioritet kryesor i Vuçiqit – prioritet i tij është çarja territoriale e Kosovës si pikënisje e shkatërrimit edhe të shteteve të tjera të rajonit (Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi). Një Kosovë e cunguar mund të ndikojë në uljen e gatishmërisë te një pjesë e madhe e popullatës në Kosovë për t’u identifikuar me shtetin e Kosovës dhe rritjen e përkrahjes për një lidhje me Shqipërinë (kjo lidhje mund të jetë federale, konfederale apo thjeshtë si provincë).