OpEd

Marrëveshja që nuk është marrëveshje

BE-ja vazhdon të bëjë eksperimente në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të testojë formula të ndryshme, të zbulojë struktura gjuhësore dhe akrobacione ligjore. Kjo ndodhi edhe në takimin e Ohrit. Tash BE-ja po teston se si një “dakordim” mundet përmes një “deklarate të përfaqësuesit të Lartë të BE-së” të shndërrohet në “Marrëveshje” dhe të bëhet “ligjërisht obliguese”. Krejt këto akrobacione për ta bërë normale mosnjohjen e Kosovës nga Serbia

Ajo që u arrit të shtunën në Ohër në takimin e dialogut në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, me “lehtësimin” e Bashkimit Evropian, mund të përshkruhet më së miri me fjalinë “më mirë pak sesa asgjë”.

Palët, pasi ishin pajtuar në takimin e 27 shkurtit se “nuk ka më nevojë të diskutohet për propozimin e BE-së”, tash ishin pajtuar për një “aneks të implementimit” të marrëveshjes. Kjo ishte minimumi i domosdoshëm që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos jenë në pozitë që të dështojnë të gjitha përpjekjet e tyre, por maksimumi që për ta ishte e mundur në rrethanat ekzistuese. E ato rrethana ekzistuese janë pajtim i tyre se duhet akomoduar qëndrimet e Serbisë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu dhe qëndrimin e Vuçiqit se “nuk do të nënshkruajë asgjë“.

Sikur që ka ndodhur prej nisjes së dialogut, para 12 vjetësh, edhe kësaj radhe BE-ja u shqua më së shumti për kreativitet gjuhësor përmes të cilit tenton të mbulojë pafuqinë politike për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje. Kështu, BE-ja vazhdon të bëjë eksperimente në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të testojë formula të ndryshme, të zbulojë struktura gjuhësore dhe akrobacione ligjore. Kjo ndodhi edhe në takimin e Ohrit. Tash BE-ja po teston se si një “dakordim“ mundet përmes një “deklarate të përfaqësuesit të Lartë të BE-së“ të shndërrohet në “Marrëveshje” dhe të bëhet “ligjërisht obliguese”. Krejt këto akrobacione për ta bërë normale mosnjohjen e Kosovës nga Serbia.

Edhe “pajtimi“ i Ohrit është një vazhdimësi e zvogëlimit të ambicieve të BE-së në dialog dhe shtyrje për një kohë më të largët të qëllimit për normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht obligues të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kur Miroslav Lajçak u emërua si i dërguar i Posaçëm për dialog, u tha se ai ka për detyrë të ndërmjetësojë dialogun për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Madje ai vetë thoshte se arritja e një marrëveshjeje të tillë është “çështje muajsh e jo vitesh”. Tash tre vjet më vonë, arritja e një marrëveshjeje të tillë duket çështje dekadash e jo vitesh, e lëre më muajsh.

BE-ja së pari hoqi dorë nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese dhe propozoi një “marrëveshje bazë“. Pastaj ajo “marrëveshje bazë“ u reduktua në “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. Dhe mbeti deri tash e paqartë se cili ishte statusi formal i asaj “marrëveshjeje“. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte ofruar të nënshkruhet. Kjo BE-së i ishte dukur logjike, sepse marrëveshjet zakonisht edhe nënshkruhen. Por pasi presidenti i Serbisë, Vuçiqi refuzoi të nënshkruante, BE-ja pati mirëkuptim edhe për këtë qëndrim. Vuçiqi nuk tha as se ai e ka pranuar marrëveshjen. As se e ka miratuar. Dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, doli me deklaratën duke thënë se “palët janë pajtuar se nuk ka më nevojë të diskutohet për këtë marrëveshje“. Pas kësaj ajo u botua nga BE-ja për të hequr mundësinë e keqinterpretimeve dhe për ta pamundësuar ndryshimin. Por edhe pas kësaj, në BE insistuan se marrëveshja duhet të nënshkruhet. Dhe fakti se më 27 shkurt nuk ishte planifikuar të nënshkruhej e arsyetuan me mungesën e marrëveshjes mes palëve për planin e zbatimit. Sepse, insistonin në BE, “marrëveshja dhe plani i zbatimit janë pjesë të pandashme” dhe si pasojë duhet të nënshkruhen së bashku. Dhe pasi presidenti i Serbisë, Vuçiq, u tha se ai nuk do të nënshkruajë asgjë, as tash e as më vonë, as Marrëveshje e as Aneks, ndërmjetësit u dorëzuan dhe hoqën dorë edhe nga kjo ambicie.

Kështu, në fund nga e gjithë kjo përpjekje në nivelin më të lartë, prej Brukselit në Washington, e deri te Berlini, Roma e Parisi, doli një deklaratë politike, me një aneks dhe marrëveshje që nuk kanë status juridik. Dy dokumente të cilat nuk janë në përputhje me paralajmërimet e BE-së se do të kenë “qartësi të plotë dhe afate të qarta kohore”.

Dhe ajo mendohet të bëhet obliguese përmes përfshirjes së tyre si kushtëzim në procesin e integrimeve në BE. Kjo është e panevojshme, sepse këto kushtëzime tashmë ekzistojnë edhe në vendimet ekzistuese të BE-së. Së pari bashkëpunimi rajonal është kusht për të gjitha vendet e rajonit në procesin e integrimeve në BE. Së dyti në kornizën negociuese të BE-së për Serbinë edhe deri tash ka ekzistuar kushti i normalizimit të raporteve me Kosovën. Edhe deri tash, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm kanë raportuar se sa po e përmbush Serbia këtë kusht. Dhe gjithmonë kanë raportuar pozitivisht duke konfirmuar se Serbia ka qenë konstruktive. Asgjë nuk do të ndryshojë.

Fati i asaj që është arritur në Ohër do të varet nga vullneti i mirë i palëve, nga guximi politik dhe nga vullneti i BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës e Italisë që në nivelin më të lartë ta mbajnë interesimin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Mund të ndodhë që marrëveshja e panënshkruar, marrëveshja që nuk është marrëveshje, të zbatohet me sukses edhe më të madh sesa ato që janë nënshkruar. Ka raste kur bashkëjetesat e çifteve, partneritetet janë më të suksesshme sesa martesat e nënshkruara. Krejt varet nga vullneti. Kosova nuk ka humbur asgjë me këtë që nuk e kishte humbur më herët. Sa ka fituar, do të shihet shumë shpejt. Dhe kjo para se gjithash do të varet se si do të veprojnë BE-ja, NATO, Këshilli i Evropës, Interpoli dhe UNESCO. Nëse Kosova nuk nis procedurën formale të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, nëse nuk ecën drejt përfshirjes në Partneritetin për Paqe të NATO-s, nëse nuk i jepet nga Këshilli i BE-së Komisionit Evropian mandati për ta përgatitur opinionin për statusin e kandidatit për Kosovën, atëherë efekti i kësaj “marrëveshjeje“ për Kosovën do të jetë i pamjaftueshëm për të mos thënë zero. Ndërsa të gjitha përshëndetjet dhe urimet që kanë ardhur nga Washigntoni, Berlini, Parisi e Brukseli do të mbeten vetëm si deklarata hipokrite.