Vështrime

Një ditë premtuese në Bruksel, që duhet të pasojë me ditë joeuforike

Mbi kryeministrin që duhet të mësohet të ecën rrafshit dhe opozitën që shpreson se duke hedhur mjegull mund ta zhbëjë të kaluarën. E kaluara ka qenë kështu: nënshkruheshin “marrëveshje historike” dhe pastaj shpalleshin marrëveshje antihistorike. Brenda dy-tri vitesh! E ardhmja mund të jetë ndryshe vetëm nëse pushteti dhe opozita në Kosovë e kuptojnë se marrëveshja me Serbinë arrihet me angazhim të përbashkët për kufizimin e dëmit të shkaktuar më 2013 dhe 2015. Propozimi gjermano-francez nuk është ideal, por as për t’u hedhur poshtë me arrogancë. Ndoshta kjo qeveri e nënshkruan me një dorë, ndërsa opozita po të ishte në pushtet do e nënshkruante me të dy duart. Dhe të dyja palët është mirë ta kuptojnë se ra lufta e Ukrainës dhe bota perëndimore nisi t’i bëjë presion Serbisë që Kosovën ta pranojë si fqinj duke u bazuar në “barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial”. Megjithatë, për tone triumfaliste nuk ka vend sepse pilulat e hidhura tek duhet përpirë. Në interpretimin e marrëveshjes së propozuar nga BE janë jokredibilë edhe nihilistët, edhe triumfalistët.

1.

Këta që në të kaluarën e kanë nënshkruar asociacionin e komunave serbe, i kanë thënë popullit: kjo është marrëveshje historike, na integron në BE dhe në NATO dhe na siguron liberalizimin e vizave. Pra, marrëveshje historike e patën quajtur nënshkrimin e vitit 2013 dhe 2015.