Vështrime

“Shpirti rus” në Akademinë Franceze

Një pjesë e elitës intelektuale franceze vazhdon të tregojë mirëkuptim të fshehtë apo simpati të hapur për Vlladimir Putinin – edhe pas agresionit kundër Ukrainës. Adhurimi fshihet pas argumentit mbi kulturën e madhe ruse dhe “shpirtin rus”, i cili na qenkësh i ekzaltuar, plot temperament dhe mistik për dallim nga mendësia e ftohtë dhe racionale perëndimore. Kjo qasje ndaj Rusisë ka traditë të gjatë dhe njëri nga etërit e saj është Maurice Druon, i cili në rini ishte mik i Charles de Gaulle dhe në pleqëri u bë mik i Vlladimir Putinit. Maurice Druon është doktor nderi i Universitetit të Tiranës

Maurice Druon u lind më 1918, në përfundim të Luftës së Parë Botërore, dhe vdiq në vitin 2009, kur bota përballej me një krizë të rëndë financiare dhe në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë hyri jo si pastrues, por si president një politikan me ngjyrë: Barack Obama. Po atë vit një tjetër figurë e njohur e racës së zezë vdiq: mbreti i pop-muzikës Michael Jackson.

Maurice Druon ishte i biri i Lazare Kessel, një aktor me origjinë ruso-hebraike, i cili bëri vetëvrasje kur Maurice ishte dyvjeçar. Në Luftën e Dytë Botërore Druon punoi në shtabin e Charles de Gaulle në Londër dhe bashkë me xhaxhain e tij Joseph Kessel shkroi tekstin e “Chants des Partisans” (këngës së partizanëve), himni më i popullarizuar i rezistencës franceze kundër nazizmit.