Vështrime

“Kosovë: ‘Asociacioni serb’ paraqet kërcënim për integrimin dhe paqen”

Aktualisht »Asociacioni serb« po dominon të ashtuquajturin dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë nënkuptohet një asociacioni politik i komunave të Kosovës me shumicë serbe.

Tema e radhës, loja e njëjtë?

Ashtu siç ka ndodhur shpesh edhe me tema[1] të tjera, një temë që më parë nuk luante një rol kaq të rëndësishëm vjen papritur në fokusin e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare dhe medias. Tani sërish thuhet: nëse mund të bini dakord për këtë, atëherë ... Deri më tani, veçanërisht kosovarët u kanë besuar këtyre deklaratave, të cilat po përsëriten thuajse si mantra, sidomos nga ana e përfaqësuesve të BE-së. Kur edhe SHBA-ja iu bashkua këtij kori, atëherë dikush mund të ketë menduar se “kjo më në fund duhet të jetë një pikë kthese” në negociatat, përndryshe të amullta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, kosovarët kanë kuptuar se premtimet për sukses në dialog dhe avancim të shpejtë në proceset e integrimit i ngjajnë më shumë karotës së famshme para gojës së gomarit. Besimi në përmirësim dhe besimi në mbështetjen e BE-së në procesin e integrimit kanë pësuar shumë viteve të fundit, sepse gjatë gjithë këtyre viteve pak ka ndryshuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Sot, Kosova ende nuk njihet si shtet sovran nga të gjitha shtetet e BE-së. Sot, Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk ka qasje pa viza në BE dhe Kosova nuk ka përparuar as në përpjekjen e saj që të paktën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.