Vështrime

Zemërimi amerikan ndaj Berlinit

Me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës kanë ndryshuar epokat - kështu, pak a shumë, pati thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz pas 24 shkurtit 2022. Gati një vit më vonë, Scholz bllokon furnizimin e Ukrainës me tanke dhe mllefos Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Pak ditë pasi Rusia sulmoi Ukrainën (më 24 shkurt 2022), kancelari gjerman Olaf Scholz mbajti një fjalim të guximshëm në parlament. Ai tha se agresioni rus kundër Ukrainës shënon "një ndryshim epokash në historinë e kontinentit tonë".

Në gjermanisht ndryshimi i epokave përshkruhet me një fjalë: "Zeitenwende". Në dhjetor të vitit që sapo lamë pas kjo fjalë u zgjodh si "fjalë e vitit" nga Shoqata për gjuhën gjermane. Mesazhi i fjalimit të Olaf Scholzit ishte ky: asgjë nuk do të jetë siç ka qenë, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania do të armatos një vend tjetër (Ukrainën), do të ndahen 100 miliardë euro për të forcuar ushtrinë (Bundeswehr).