OpEd

(Jo)mësimi i grevave!

Është koha e fundit për ndryshime në arsim. E keqja është duke u rritur. Arsimimi jo i mirë në heshtje është duke u kthyer në dëm të pakorrigjueshëm shoqëror. Ngecja në zhvillim ekonomik, problemet sociale, të gjitha kanë për adresë arsimin. Kemi nevojë për profesionistë që e bëjnë ndryshimin në shoqëri dhe ekonomi, jo për të diplomuar. Dikush duhet t’i zgjojë të gjithë nga iluzioni që në Kosovë po arsimohet. Sa më herët ta pranojmë, aq më i shpejtë është përmirësimi. Në fakt, greva e vetme që ka kuptim është ajo për cilësi më të rritur në arsim. Dhe shpresoj në fund që kjo edhe të jetë pikënisja e ndryshimit - kërkimi për llogaridhënie nga qytetarë të vetëdijshëm për një arsimimin më të mirë

Greva në qendër ka kërkesën për të drejtë, mirëpo kjo nuk guxon të kthehet në padrejtësi ndaj dikujt në kurriz të përfitimit për dikë!

Padrejtësia e një sistemi arsimor jocilësor është e keqja e përditshme që nxënësit kosovarë ballafaqohen. Tash, këtyre nxënësve t’ua kufizosh edhe të drejtën e shkollimit, kjo me të vërtetë kthehet në një trajtë të përshkallëzuar të padrejtësisë dhe kjo padrejtësi dikur kurorëzohet disi me diplomë, jo në dije, shkathtësi e aftësi, por me një iluzion të diplomimit. E ky diplomim, pas shumë pak kohësh konvertohet në papunësi dhe pakënaqshmëri. Ky dështim ka një adresë, te papërgjegjësia institucionale për të siguruar arsimim të mirëfilltë për këta të rinj. Pjesë e kësaj papërgjegjësie sistemore është edhe “reagimi sindikal” i grevës!

Historiku i grevave në Kosovë na dëshmon për një korrelacion shumë interesant, atë të dialogut social për përfitim elektoral, pra, mësimdhënësi si elektorat, jo si profesion që meriton pagë dhe mirëqenie. Gjithë ato premtime për rritje në pagë para zgjedhjeve, gjithë ato kontrata kolektive të nënshkruara me nguti, kanë një të përbashkët: instrumentalizimin e mësimdhënësve për përfitime politike.

Shumë i lumtur që sindikatat kanë arritur të negociojnë gjithë këtë përfitim monetar për anëtarësinë e tyre. Në fakt, kjo është ajo idealja e një sindikate të zëshme që çdoherë “nxjerr” diçka, apo ajo idealja për Sindikatën për të arsyetuar anëtarësimin.

Por, të kthehemi prapa. Çfarë ka qenë përftimi për mësimdhënësit pas çdo marrëveshjeje për greva, pas gjithë këtyre viteve?! Jo, nuk ka përmirësim të kushteve të punës. Jo, nuk ka motivim për punë.

Me këdo që diskuton nga mësimdhënësit e kupton sa shumë ka ndryshuar ai pasioni i kamotshëm për mësimdhënie. Është zbehur vullneti!

Duket çudi për një profesion që për shumë shihet si i lehtë, me pak orar e shumë pushime – por, pak duket ta kuptojnë që mësimdhënia është e vështirë dhe është bërë shumë më e vështirë me gjeneratat e reja të nxënësve. Jo me shumë lehtësi mund t’ia tërheqësh vëmendjen në mësim një gjenerate të fëmijëve që kanë përpara qasje të pakufizuar në informatë shumë më interesante se ajo në klasë.

Është bërë më e vështirë për mësimdhënës, sepse janë të lodhur. Dhe sa më herët ta pranojmë këtë, aq më mirë për të gjithë. Nevojitet përkrahje, nevojitet një rrugëtim në karrierë që nuk të kufizon përjetësisht në mësimdhënie, një rrugëtim në karrierë që nxit për avancim dhe shërben si motivim.

Në mungesë të kësaj, puna në klasë kthehet në punë mekanike, të ripërsëritshme çdo vit e që dikur kthehet në neglizhencë dhe mosperformancë. Kjo është shumë e natyrshme për çdo profesion, por në mësimdhënie ka kuptim tjetër. Dikur ky jomotivim do të prekë gjenerata të nxënësve dhe do të kthehet në dëm të përshkallëzuar.

A rikthehet motivimi, dhe për rrjedhojë performanca e mësimdhënësve me 100 euro?

Jo, pa dyshim që jo. Rikthehen shpenzimet e shportës por me ndërlidhje minimale me profesionin. Cilësia e mësimdhënies nuk ka ndonjë korrelacion me pagat. Edhe po të kishim rritje dyfish nga ajo që është, zor që e njëjta të kthehet në një motivim më të madh ose performancë më të mirë - cilësia është subjekt i llogaridhënies dhe i mekanizmave që sigurojnë cilësinë në klasë. Rritja në pagë është e domosdoshme, është përgjegjësi institucionale karshi një inflacioni në rritje, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi institucionale për kërkim llogaridhënie për profesionin e mësimdhënësit. Nuk ka kuptim rritja në pagë kur nuk e di çfarë është performanca në klasë. Nuk ka kuptim rritja në pagë për të gjithë njëjtë. Kë po e dallojmë?! Askënd.

E thënë shkurt, nuk e dimë se çfarë mësohet në shkollat tona. Po, ka planprograme, ka tekste shkollore, por inputin e mësimdhënësve në klasa e kemi të paditur, është në mëshirë të mësimdhënësit!

Çfarë e motivon një mësimdhënës të përgatitet më shumë se të tjerët për mësim, kur për këtë nuk ka as mbikëqyre e as njohje. Pa dyshim, për mësimdhënësin e mirë do të flitet në komunitet, por mësimdhënës i mirë për komunitetin mund të jesh edhe me sjellje të mirë, por jo me mësimdhënie cilësore. Pra, na mungon një llogaridhënie në klasë që nxit për përmirësim dhe bën dallimin mes mësimdhënësve.

Ndërprerja e grevës ishte dëshmi që ka arsye në mesin e komunitetit të mësimdhënësve dhe ky racionalitet ka qenë aty gjithherë nga dita e parë. Mësimdhënësit janë të vetëdijshëm më së shumti për rëndësinë e mësimit. Plot mësimdhënës kanë qëndruar në grevë me premisën “mos të ndahemi nga të tjerët”. Kjo është ajo mungesa e guximit të mësimdhënësve që të ballafaqohen me problemet dhe këtë nuk e kemi të kufizuar vetëm në grevë. E ke shumë prezentë në përditshmëri në punën e mësimdhënësit: plot eksperimente në arsim meritojnë reagim të fuqishëm nga mësimdhënësit, por ja që kurrë nuk ka ardhur si kundërshtim. Njëjtë, për tekste shkollore jo të mira, për kurrikulë të mbingarkuar e plot të tjera. Reagimi i parë duhet të jetë nga mësimdhënësit, jo nga të tjerët – është puna e tyre, janë mjete të tyre të punës.

A janë të gjithë mësimdhënësit të kënaqur me punën e SBASHK-ut? Pa dyshim që jo. Shumë dëgjon për ankesa, për më shumë kërkesa për kushte pune, për metodologji të ndryshme të reagimit sindikal.

A janë mësimdhënësit të kufizuar në një sindikatë? Jo, mund të organizojnë sindikata të tjera më oferta më ndryshe për mësimdhënësit, që në thelb do të sjellin përfitim të shumëfishuar sindikal. Por as kjo nuk ndodh!

Shumë do të doja të shihja mësimdhënës që në përditshmëri reagojnë dhe organizohen në reagim për shumë padrejtësi sistematike në sistem. Nuk është edhe shumë befasuese që mjeti sindikal me ndërprerje të procesit mësimor është gjithmonë e vetmja mënyrë e reagimit!

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që mësimdhënia në Kosovë nuk është më e mira, por kjo nuk i jep të drejtë askujt për të etiketuar askënd për këtë dështim. Thjesht, nuk janë mësimdhënësit fajtorë. Ka shumë të tjerë që i prijnë listës dhe atë, të parët nga politika, qeverisjet e dështuara me reforma të dështuara. Asnjë reformë e zbatuar si duhet! Shumë premtime por hiq fare ndryshim.

Disa plane strategjike, qindra trajnime, dhjetëra ligje e udhëzime administrative, por pa ndryshime në mësimdhënie. Nuk guxojmë të fajësojmë mësimdhënësit! Duhet të punojmë me mësimdhënësit. Nëse dikush mendon që mund t’i zëvendësojmë këta mësimdhënës me më të mirë është gabim.

Nuk ka të tjerë më të mirë! Të gjithë mësimdhënësit janë produkt i një shkollimi universitar dhe një rrugëtimi në karrierë të ngjashme.

Interesante se si është duke rënë interesimi për shkollim universitar për mësimdhënie. Mësimdhënia nuk është më atraktive si më parë! Si të tërheqim studentët më të mirë për profesionin e mësimdhënësit? Cili është përfitimi? Paga duket që jo më, por një dinjitet dhe respekt për punën që bëjnë. Kjo e fundit është thyer shumë me situata si kjo e grevës!

Ky vit që po e lëmë pas duhet të jetë viti i fundit që procesi mësimor ndërpritet për arsye sindikale. Nuk ka më kuptim që çdo vit të ndëshkohen nxënësit për kërkesa sindikale. Nuk ka më kuptim që paralajmërimet për greva të jenë në qendër të vëmendjes për arsim. Kjo duhet të marrë fund!

Rishikimi i ligjit për greva është pikënisja. Nuk është cenim i të drejtës për grevë, por cenim i ndëshkimit të nxënësve nga greva. Sistemi arsimor është kthyer në një padrejtësi që përshkallëzohet tutje me situata, si kjo e grevave.

Çka tash?! Vëmendje dhe prioritet për reforma që prekin cilësinë në klasë, jo në dokumente, jo në konferenca, por në përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjithë, nga mësuesi në klasë deri te Ministria. Përgjegjësi për zëvendësim të orëve mësimore të humbura. Debat për rishikim të Ligjit për Greva.

Jo ndëshkim! Përkrahje të mësimdhënësit në punë, njohje për të mirët, shtytje për mësimdhënës me ngecje në performancë.

Është koha e fundit për ndryshime në arsim. E keqja është duke u rritur. Arsimimi jo i mirë në heshtje është duke u kthyer në dëm të pakorrigjueshëm shoqëror. Ngecja në zhvillim ekonomik, problemet sociale, të gjitha kanë për adresë arsimin. Kemi nevojë për profesionistë që e bëjnë ndryshimin në shoqëri dhe ekonomi, jo për të diplomuar. Dikush duhet t’i zgjojë të gjithë nga iluzioni që në Kosovë po arsimohet. Sa më herët ta pranojmë, aq më i shpejtë është përmirësimi. Në fak,t greva e vetme që ka kuptim është ajo për cilësi më të rritur në arsim. Dhe shpresoj në fund që kjo edhe të jetë pikënisja e ndryshimit - kërkimi për llogaridhënie nga qytetarë të vetëdijshëm për një arsimimin më të mirë.

(Autori është drejtor ekzekutiv në Institutin EdGuard)