OpEd

Le të hanë karkaleca

Njëzet e katër orë të Samitit në Tiranë shfaqën bukur hendekun në mes synimeve të procesit të zgjerimit dhe realitetit të rajonit. Derisa liderët ishin duke diskutuar për “perspektiven evropiane” nën shoqërimin e shampanjës, karkalecave dhe crème brûlées në Pallatin e Kongreseve, në rajon ishin duke u mbyllur mediat, duke u hedhur bombat mbi kutitë e votimit, duke u sulmuar fizikisht opozita dhe duke u bërë thirrje për pastrim etnik. Me gjithë atë se çfarë shkruante në deklaratën zyrtare të Samitit, mesazhi kryesor i tij ishte i ngjashëm me atë të Marie Antoinettes: “Le të hanë karkaleca”

Nëse do të kishe rënë në komë në vitin 2007 në Kroaci dhe do të ishe zgjuar nga koma dhjetë vjet më vonë më 2017, do ta kishe gjetur veten në një Kroaci shumë më ndryshe. Do të kishe kuptuar se vendi yt është bërë anëtar i BE-së. Ish-kryeministri yt ka përfunduar në burg për korrupsion, ndërsa partia e tij është reformuar në tërësi dhe për kryetar të saj ka një politikan të ri evropian që flet katër gjuhë të huaja.

Një gjë të tillë nuk mund ta thuash për dhjetë vjetët e fundit në Ballkanin Perëndimor. Nëse do të kishe rënë në komë para dhjetë vjetësh në dy vendet më të mëdha të rajonit – në Beograd dhe Tiranë – sot do të ishe zgjuar nga koma duke kuptuar se Vuçiqi është ende në pushtet, njësoj sikur Rama. Vendet e rajonit janë sot pothuaj në ekzakt në të njëjtin vend ku kanë qenë në procesin integrues para dhjetë vjetësh. Dhe thelbësisht asgjë nuk ka ndryshuar: Serbia ende nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, veriu është ende problem dhe Sali Berisha është ende në protesta.

Kjo është edhe arsyeja pse askush nuk e përjetoi Samitin “historik” të BE-së me Ballkanin Perendimor të mbajtur për herë të parë në një vend të rajonit si një përjetim domethënës. Përderisa në përvojën e Kroacisë dhjetë vjet të procesit integrues kishin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve kroatë, procesi integrues në rajonin tonë nuk ka arritur ta përmirësojë jetën e qytetarëve. Për më shumë se dhjetë vjetët e fundit procesi integrues i rajonit nuk ka pasur vëmendjen e nevojshme të BE-së. Kjo është deri diku edhe e kuptueshme. Gjatë kësaj periudhe BE-ja është ballafaquar me një shpërthim të paprecedentë krizash në një kohë ekstremisht të shkurtër. Nga kriza financiare e 2009-s, tek kriza e migrimit e 2015-s, BREXIT-i 2016, rritjen e partive populiste në gjithë Evropën dhe së fundi COVID-19. Menaxhimi i secilës nga këto kriza ka kërkuar energji të jashtëzakonshme politike, duke lënë kështu fare pak apo aspak energji për procesin e zgjerimit. Kësisoj zgjerimi u shndërrua nga një mundësi reale që duhet shfrytëzuar në një rrezik potencial që duhet menaxhuar. Rrjedhimisht qasja e BE-së ka qenë që rreziku të menaxhohet dhe mënyra më e mirë për të menaxhuar rrezikun është të krijohen kushtet e nevojshme për stabilitet. Kësisoji, stabiliteti do të krijojë parashikueshmerinë dhe evitimin e çfarëdo destabilizimi që do mund të shpërqendronte BE-në nga prioritetet e vërtetat politike që kishte brenda vetes. Kjo qasje ishte dhuratë nga Zoti për autokratët në pritje. Nën garancionin e stabilitetit, rajoni i Ballkanit Perendimor përjetoj proliferim të tendencave autokratike dhe degradim të vazhdueshëm në të gjithë indikatorët demokratikë dhe sundimit të ligjit. Bazuar në raportet e “Freedom House”, që vlerëson cilësinë e demokracisë dhe “World Justice Project”, që vlerëson cilësinë e sundimit të ligjit, vendet e rajonit kanë sot demokraci dhe sundim të ligjit më të dobët se para dhjetë vjetësh, me përjashtimin e Kosovës. Liria e medias, sipas “Reporterëve pa kufij”, është sot më keq në Serbia dhe Shqipëri se para dhjetë vjetësh. Sipas skenarit pesimist të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vendeve të rajonit do t’iu duhen dyqind vjet për të arritur mesataren e Bruto Produktit Vendor (BPV) të BE-së për kokë banori.

Dhe nuk është vetëm çështje e raporteve ndërkombëtare. Sot qytetarët kanë humbur besimin në togfjalëshin “reformat evropiane”. Në Shqipëri 70.2% e qytetarëve janë të zhgënjyer nga “reforma evropiane” e vettingut. 59% mendojnë se politika ka kapur drejtësinë. Në Maqedoninë e Veriut “reforma evropiane” e Marrëveshjes së Prespës ka dështuar të hapë negociatat e anëtarësimit. Në Kosovë “reformat evropiane” të demarkacionit, Gjykatës Speciale, dialogut dhe sundimit të ligjit kanë dështuar të sjellin liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat. Prandaj, në tërë rajonin tonë togfjalëshi “perspektiva evropiane” është shndërruar në shaka të rrjeteve sociale.

Kësisoj, të zënë në mes autokratëve në vendin e tyre dhe mungesës së perspektives të anëtarësimit në BE, qytetarët e rajonin bëjnë të vetmen gjë që u ka mbetur: ikin nga këtu. Autobusë, gomone, këmbë...çfarëdo dhe kudo. Në fjalët e të riut nga Prishtina: “n’Xhamajkë, n’Xhamajkë”. Sipas Kombeve të Bashkuara, popullsia e Serbisë do të zvogëlohet për 25% deri në vitin 2050, 15% e Shqipërisë dhe nga 10% e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Në Kosovë ambasadat vazhdojnë të përballen me kërkesat e mëdha për caktimin e terminëve për vizat pune. Një nga brengat e pathëna të vendeve të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën është se i gjithë vendi do të zbrazet. Dhe problemi nuk është vetëm se po largohen më të talentuarit e rajonit, problemi është se më të patalentuarit po mbesin dhe po votojnë.

***

Kjo dikotomi në mes procesit të zgjerimit të parë nga Brukseli dhe realitetit të rajonit të parë nga Ballkani më së qartazi u ravijëzua gjatë njëzet e katër orëve të Samitit të BE-së me Ballkanin Perendimor të mbajtur në Tiranë. Në të njëjtën kohë kur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po shërbenin gotat e shampanjës në mes liderëve duke diskutuar për “perspektiven evropiane”, në Beograd dy televizionet e fundit opozitare kanë ndërprerë në tërësi transmetimin për njëzet e katër orë duke shfaqur në vend të programit të rregullt ekran të zi me mesazhin ”Terr në Serbi pa media të lira” si reagim ndaj përpjekjes së pushtetit për mbylljen e zërave të fundit të lirë në shoqëri. Në të njëjtën kohë kur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po shërbenin karkaleca në mes liderëve duke diskutuar për “perspektiven evropiane”, bandat kriminale hodhën bombat në veri për të parandaluar qytetarët të ushtrojnë të drejtën më sublime të votës së lirë. Në të njëjtën kohë kur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po shërbenin crème brûlé në mes të liderëve duke diskutuar për “perspektiven evropiane”, lideri i opozitës në Tiranë u sulmua fizikisht pas një propagande intensive të pushtetit se protesta e pozitës është akt armiqësor i financuar me rubla ruse. Dhe në mbrëmje, derisa liderët e BE-së ishin duke u larguar nga Tirana, kuptuam se pas brohoritjeve në stadium në Katar dhe rrugëve të Vjenës, tani edhe në shkollat e Novi-Sadit dëgjohen brohoritjet “Vrite dhe prite, që shqiptari të mos ekzistojë” (“Ubij, zakolji da Šiptar ne postoji”).

Kësisoj, këto njëzet e katër orë të Samitit në Tiranë shfaqën bukur hendekun në mes synimeve të procesit të zgjerimit dhe realitetit të rajonit. Derisa liderët ishin duke diskutuar për “perspektiven evropiane” nën shoqërimin e shampanjës, karkalecave dhe crème brûlées në Pallatin e Kongreseve, në rajon ishin duke u mbyllur mediat, duke u hedhur bombat mbi kutitë e votimit, duke u sulmuar fizikisht opozita dhe duke u bërë thirrje për pastrim etnik. Me gjithë atë se çfarë shkruante në deklaratën zyrtare të Samitit, mesazhi kryesor i tij ishte i ngjashëm me atë Marie Antoinettes: “Le të hanë karkaleca”.