Vështrime

Dy festa të një flamuri

Se si emrat e rrëfimet nuk kanë të sosur; pra edhe nuk reduktohen, jo se jo me preferenca personale

Se si emrat e rrëfimet nuk kanë të sosur; pra edhe nuk reduktohen, jo se jo me preferenca personale

1.

Në mëngjesin e 29 nëntorit të vitit 1992 e hap ballkonin e dhomës së pushimores sindikale në Vlorë dhe dal në vezullimën e përzier të diellit e detit, një vijë e pandërprerë drite e ngrohtësie që më tregon se mund të vazhdoj të qëndroj në ballkon ashtu siç kisha dalë, në kanotierë. Nga diku ndiej aromë e agrumeve - ndoshta mandarinë, ndoshta portokall - apo mund të më dukej se e ndieja atë aromë nga kënaqësia e detit dhe diellit dhe të qëndruarit jashtë me kanotierë dy ditë pasi kisha kaluar Tetovën e Gostivarin me borë.