OpEd

Pse BE-ja nënkupton se Kosova duhet të jetë e dëgjueshme e Serbia jo

Edhe nëse lihet anash e kaluara e Borrellit dhe Lajçakut, kur si ministra të vendeve të tyre punuan kundër pavarësisë së Kosovës, veprimet e tyre prej kur kanë marrë rolet në BE kanë qenë haptas kritike ndaj Kosovës më shumë sesa ndaj Serbisë. Qortimet dhe kërcënimet që i bëri Borrelli pas takimit Kurti-Vuçiq, pas të cilave pati pasoja të menjëhershme në procesin e liberalizimit të vizave, nuk janë të vetmet kur kritikat ndaj Kosovës janë të mëdha, ndërsa ndaj Serbisë jo. Sikur në perëndim është krijuar bindja se dëgjueshmëria nga ana e Kosovës nënkuptohet vetvetiu, ndërsa nga Serbia nuk pritet

Ka ndodhur shpesh në procesin e dialogut që Kosova të jetë konstruktive ndërsa Serbia jo. Por nuk ka ndodhur asnjëherë që Serbia publikisht, e aq më pak zyrtarisht përmes raporteve të shkruara, të konsiderohet si fajtore për ndonjë dështim. Serbia nuk është qortuar as kur në BE jozyrtarisht konfirmonin se ajo nuk i ka përmbushur disa obligime. Maksimumi deri ku kanë shkuar zyrtarët e BE-së, dhe atë në takime joformale, është kur kanë thënë se “Kosova duket të jetë më shumë e interesuar për të avancuar përpara, ndërsa Serbia më shumë për ruajtjen e status quos“. Dhe në përgjithësi, shumica e diplomatëve të BE-së besojnë se Serbia në procesin e dialogut ka qenë më shumë e interesuar ta zvarrisë procesin, ta shtyjë marrëveshjen përfundimtare aq sa të ketë mundësi, ta shfrytëzojë këtë për të kthyer procesin prapa dhe për ta kthyer në diskutim mundësisht edhe vetë statusin e Kosovës.

Se për të njëjtat gjëra përdoret gjuhë e ndryshme nga ana e BE-së mund të shihet dhe në raportet individuale të progresit ku flitet për procesin e normalizimit të raporteve. Përderisa për Kosovën përdoret qartë fjalia “Kosova ka dështuar të përmbushë“ (Kosovo failed to implement) për Serbinë me kujdes përdoret fjalia “Serbia akoma duhet të përmbushë“ (Serbia has still to implement). Ndonëse në mes të këtyre dy fjalive nuk ka shumë dallim, qëllimi është i qartë, që në rastin e Serbisë të mos përmendet në mënyrë direkte fajësia apo përgjegjësia e saj. Kjo nuk është e rastësishme, pasi secila fjali e shkruar në dokumente mund të ketë reperkusione në procesin e negociatave të anëtarësimit mes Serbisë dhe BE-së.

Në Kosovë u irrituan shumë me sulmet dhe kërcënimet direkte që Kosovës ia bëri Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Pasi kryeministri Kurti në Bruksel akuzoi Borrellin se hoqi dorë nga propozimi i BE-së për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse deri në mars të vitit 2023, në Kosovë reagoi edhe presidentja Osmani duke e kritikuar shefin e BE-së se nuk është i paanshëm. Osmani numëroi disa marrëveshje për zbatimin e të cilave fajin e ka Serbia.

Por, përkundër pakënaqësive në Kosovë dhe kuptimin se ndoshta ka qenë naive të besohet se Lajçaku dhe Borrelli si kundërshtarë të dëshmuar të pavarësisë së Kosovës nga e kaluara tash do të jenë vërtetë të paanshëm, nuk mund të pritet që BE-ja të mos jetë prapa Borrellit dhe Lajçakut. Dhe kur ata fajësojnë për diçka Kosovën, pasojat do t’i ketë Kosova. Dhe i pati menjëherë. Ndodhi diçka shumë e papritur dhe tepër e ulët nga ana e BE-së. E hoqën nga rendi i ditës miratimin e propozimit në nivel të ambasadorëve të BE-së për liberalizim vizash për Kosovën. Dhe disa diplomatë thanë privatisht se ka pasur ndërhyrje nga “njerëzit e afërt me dialogun”. Ishte e qartë kjo edhe kur Presidenca Çeke në mbrëmje, si arsyetim për heqje të kësaj pike nga rendi i ditës, përmendi “zhvillimet politike në veri të Kosovës” dhe se “në këto rrethana nuk është ideale të jetë kjo në rend dite”. Ndonëse në praktikë mund të jenë humbur vetëm shtatë ditë, BE-ja humbi më shumë sesa që fitoi. Humbi besueshmërinë, sepse për vite të gjithë kategorikisht kanë thënë se procesi i liberalizimit të vizave është proces i ndarë nga ai i dialogut. Tash u kanë dhënë argumente edhe atyre që kanë besuar se i tërë procesi i liberalizimit ka qenë i vonuar pikërisht për ta mbajtur atë si mjet shantazhi ndaj Kosovës në procesin e dialogut. Të martën, një ditë pas kërcënimit të Borrellit ndaj Kosovës, kjo ndodhi.

Kush mund t’i bindë tash skeptikët se edhe hyrja në fuqi pas më shumë se një viti po parashihet pikërisht për ta mbajtur liberalizimin e vizave për shantazhe në procesin e dialogut. Nuk është kjo korrekte nga BE-ja duke e ditur se sa e ndjeshme është çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo nuk i ndihmon dialogut, sepse Serbia ka liberalizim vizash, ajo madje ua ka hequr vizat disa shteteve si Burundi, India, Kuba e Tunizia, duke i shpërblyer për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe me këtë ka rritur valën e migrantëve ilegalë drejt BE-së.

Serbia gëzon një respekt të veçantë, për shumë njohës të rajonit, të pakuptueshëm dhe të padobishëm. Jo vetëm publikisht, por edhe privatisht gjithnjë e më shumë kritikojnë kryeministrin e Kosovës Kurti. E quajnë “kokëfortë”. E quajnë si “person që i rrezikon prioritetet“ dhe se “nuk i respekton obligimet ndërkombëtare të Kosovës“. Dhe këtyre deklarimeve u gëzohen edhe politikanët nga opozita dhe kritikët e Kurtit. Edhe ata duhet ta kuptojnë se në të njëjtën mënyrë, zyrtarë të BE-së kanë folur edhe për liderët e mëparshëm të Kosovës. Ramush Haradinaj i ka “irrituar tej mase“ me taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Haradinaj për këtë nuk e ka dëgjuar as Evropën e as Amerikën. Kanë thënë se “Haradinaj e la Kosovën pa liberalizim“ dhe “E prishi Kosovën me miqtë ndërkombëtarë“. Edhe ndaj Hashim Thaçit kanë pasur kritika. E kanë fajësuar si “politikan që po i jep alibi Vuçiqit dhe Serbisë“ dhe se “Nuk po i zbaton obligimet që i ka marrë përsipër në dialog“ dhe se “gjëra të ndryshme flet në Bruksel nga ato që i thotë në Kosovë“. Thaçin e kanë lavdëruar vetëm kur në Bruksel ka thënë se ai është “kampion i krijimit të Gjykatës Speciale, sepse Kosova nuk ka çfarë të fshehë“. Dhe Thaçi ka qenë ai i cili ka tërhequr vërejtjen se “nuk mund t’i besohet Lajçakut“ çka ka bërë që vetë diplomatët e lartë gjermanë të thonë se “kush është kundër Lajçakut, është kundër Gjermanisë“.

Tërë këtë kohë nuk ka pasur qortime ndaj liderëve të Serbisë. Zyrtarëve të BE-së u pengon kur dikush ua rikujton se liderët e sotëm të Serbisë kanë qenë bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit, edhe pse ata vetë vazhdojnë të thonë se Millosheviqi ishte “lider i madh“ dhe nuk distancohen nga ai dhe politika e tij. Nuk u bie mirë zyrtarëve të BE-së as kur thuhet se Vuçiqi është mik i Putinit edhe se ai vetë lavdërohet me këtë. Presidenti i Serbisë sot është ndër personat e rrallë që mund të merr dhurata nga lideri prorus i Çeçenisë Kadirov, të lavdërohet nga presidenti i Iranit për refuzim të politikës së Perëndimit, e të lavdërohet akoma nga zyrtarë të BE-së, të jetë mik me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të pjekë qebapë me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe në anën tjetër, në BE nuk hidhërohen me të, por me Kurtin. Por kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës e ka menaxhuar mirë tërë këtë situatë. Sepse, pa marrë parasysh pohimet se ka koordinim më miqtë ndërkombëtarë, kur ata publikisht thonë se janë të zhgënjyer me veprimet e Kosovës, atëherë është e qartë se raportet nuk janë si duhet.

nëse do vërtet zgjidhje të problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë më serioze dhe të marrë më shumë përgjegjësi edhe mbi vete për dështimet, siç ishte ai i fundit në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut. Me të drejtë, disa gazetarë të cilët e njohin rajonin dhe e kanë përjetuar luftën, kritikuan sjelljen e përfaqësuesit të lartë të BE-së.

Edhe nëse lihet anash e kaluara e Borrellit dhe Lajçakut kur si ministra të vendeve të tyre punuan kundër pavarësisë së Kosovës, veprimet e tyre prej kur kanë marrë rolet në BE kanë qenë haptas kritike ndaj Kosovës më shumë sesa ndaj Serbisë. Qortimet dhe kërcënimet që i bëri Borrelli pas takimit Kurti-Vuçiq, pas të cilave pati pasoja të menjëhershme në procesin e liberalizimit të vizave, nuk janë të vetmet raste kur kritikat ndaj Kosovës janë të mëdha, ndërsa ndaj Serbisë jo. Sikur është krijuar në perëndim bindja se dëgjueshmëria nga ana e Kosovës nënkuptohet vetvetiu, ndërsa nga Serbia nuk pritet. Prandaj edhe hidhërimi shkon drejt Kosovës e jo Serbisë.