OpEd

Kissingeri në Bruksel

E vetmja vlerë e targave është se imponon urgjencë dhe sjell vëmendjen e kancelarive perëndimore për dialogun. Këtë vlerë të përbashkët e ndan me tarifën 100%. Dhe në këtë sens, Kosova nuk ka ndryshuar me Kurtin, vetëm është bërë më shumë vetvetja. Ashtu siç është bërë më shumë vetvetja me tarifën 100%. Prej kohësh shumica e qytetarëve ndajnë mendimin se dialogu nuk ka sjellë ndonjë dobi për vendin, përveç kompromiseve dhe të jetuarit nga kriza në krizë. Në këtë sens targat nuk janë qëllim, por mjet. Janë klithmë për vëmendje. Vëmendje për marrëveshjen finale. Vëmendje për “idealet e paprekshme” të Kissingerit

Kur Henry Kissingeri e kishte pyetur presidentin Truman si dëshiron të mbahet mend, Trumani u përgjigj: “Kemi mposhtur përfundimisht armiqtë tanë dhe më pastaj iu kemi ndihmuar të ringrihen dhe t’u bashkohen komunitetit demokratik të shteteve. Vetëm Amerika ka mundur ta bëjë këtë”.

Përgjigjet sikur këto çdoherë e kanë bërë Kissingerin të mendojë se çfarë e dallon një diplomaci të suksesshme prej një të pasuksesshmes. Me kalimin e kohës Kissingeri kishte arritur në një përfundim: proceset e suksesshme diplomatike nuk fokusohen në përfitime të prekshme, por në idealet e paprekshme. Diplomatët e rëndomtë kërkojnë përfitime konkrete dhe zgjidhje afatshkurtra politike. Burrështetasit vizionarë e synojnë jetësimin e idealeve të paprekshme dhe afatgjata. Në fjalët e Kissingerit: “Është shenjë e mediokritetit kur dikush kërkon përfitimet e prekshme karshi idealeve të paprekshme”.

Isha duke menduar për këtë derisa isha duke përcjellë përplasjen e kësaj jave në Bruksel. Pra, në një sens ajo çfarë pamë ishte mediokriteti i një procesi negociator, i cili i prioritizon përfitimet e prekshme para idealeve të paprekshme. Pra, i prioritizon targat, para marrëveshjes finale. E prioritizon Asociacionin, para normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë sens përplasja që ndodhi këtë javë në Bruksel nuk ishte ballafaqim i pozicioneve të ndryshme për targa. Targat ishin vetëm pasojë e një shkaku më të thellë. Ajo ishte përplasje e botëkuptimeve dhe e synimeve radikalisht të ndryshme në mes të palëve: Kosovës, Serbisë dhe BE-së.

Le të fillojmë me botëkuptimet. Kurti është i botëkuptimit që qasja e deritanishme e dialogut ka qenë gabim. Dialogu është marrë me gjërat urgjente dhe të parëndësishme (zgjedhjet, referendumi, targat) në vend të gjërave thelbësore dhe të rëndësishme (marrëveshja finale). Serbia është e botëkuptimit ekzakt të kundërt: Ajo e dëshiron diskutimin e çdo gjëje, përveç marrëveshjes finale. Prandaj, Vuçiqi e vendos theksin tek targat dhe Asociacioni. Dhe në gjithë këtë mes, BE-ja dëshiron vetëm stabilitet. Por, problemi me këtë qasje të BE-së është se insistimi në stabilitet sjell natyrshëm në pozicion të Serbisë, pasi që Serbia është vendi më i madh i rajonit dhe faktor stabiliteti në rajon. Në këtë sfond duket e pamundshme që palët të bëjnë progres në kuadër të dialogut pa një përafrim të botëkuptimeve të tyre. Dhe receta për këtë mbetet këshilla e Kissingerit. Dialogu duhet të lëvizë nga mediokriteti i prekshëm i targave në fisnikërinë e idealeve të paprekshme të marrëveshjes finale. Dhe kjo më sjell tek synimet e palëve.

Synimi i Kosovës është që dialogu të përfundojë sa më shpejt me marrëveshjen finale, e cila i mbyll njëherë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura në mes palëve. Kosova insiston në këtë në veçanti sot, kur aleati kryesor i Serbisë është duke pësuar disfatë në Ukrainë dhe është përjashtuar praktikisht nga rendi ndërkombëtar. Për ekzakt arsyet e njëjta Serbia e dëshiron shtyrjen e arritjes së marrëveshjes finale. BE-ja, nga ana tjetër, nuk dëshiron gjë. Ballkani Perëndimor qe një kohë nuk e gëzon rëndësinë e dikurshme në skenën ndërkombëtare. Prioritetet e tjera, sikur Rusia, Ukraina, Kina, Tajvani, Koreja Veriore, Irani, inflacioni, energjia janë duke i dominuar agjendat e kancelarive botërore. Në fjalët e diplomatëve perëndimorë: “Asnjë lider perëndimor nuk zgjohet nga gjumi i preokupuar me Kosovën dhe Serbinë”. Dhe ky sfond politik ka krijuar një mjedis ku përgjegjësia për dialogun Kosovë–Serbi është deleguar në margjinat e politikës ndërkombëtare. Sot në BE dialogu është përgjegjësi e shërbimit të jashtëm të BE-së: një hibrid politik, i cili nuk i gëzon peshën dhe respektin e nevojshëm politik. Tre shefa të fundit të politikës së jashtme të BE-së janë politikanë të rangut të ulët evropian, karriera politike e të cilëve është kurbë në rënie e sipër. Dhe e njëjta gjendje është përtej Atlantikut. Dialogu është përgjegjësi e burokratëve amerikanë të hierarkisë së mesme diplomatike. Nuk gëzon madje as vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë. Duke iu kthyer përsëri Kissingerit, gjatë punës së tij në administratën amerikane ai ishte mjaft i papëlqyer në mesin e diplomatëve amerikanë, pasi që i trajtonte ata me nënçmim. Gjatë qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Kissingeri shpesh citohet të këtë thënë se nëse dëshiron që diçka të mos funksionojë, delegoje tek Departamenti i Shtetit: bëjnë shumë diplomaci dhe pak rezultate.

Dhe kjo më sjell tek targa. E vetmja vlerë e targave është se imponon urgjencë dhe sjell vëmendjen e kancelarive perëndimore për dialogun. Këtë vlerë të përbashkët e ndan më tarifën 100%. Dhe në këtë sens Kosova nuk ka ndryshuar me Kurtin, vetëm është bërë më shumë vetvetja. Ashtu siç është bërë më shumë vetvetja me tarifën 100%. Prej kohësh shumica e qytetarëve ndajnë mendimin se dialogu nuk ka sjellë ndonjë dobi për vendin, përveç kompromiseve dhe të jetuarit nga kriza në krizë. Në këtë sens targat nuk janë qëllim, por mjet. Janë klithmë për vëmendje. Vëmendje për marrëveshjen finale. Vëmendje për “idealet e paprekshme” të Kissingerit.