Vështrime

Presidenti plak padrejtësisht i nënçmuar dhe politika e polarizuar amerikane

Joe Biden e ka festuar të dielën ditëlindjen e 80-të. Nëse kandidon sërish për president më 2024, Biden do të jetë 82-vjeçar. Nëse fiton, do të dalë në pension në moshën 86-vjeçare. Sukseset e fundit në zgjedhjet e pjesshme për Kongres dhe paralajmërimi i Donald Trumpit se do të kandidojë sërish për president, e vënë Bidenin para një dileme të madhe – dhe përgjigjja ndaj asaj dileme me gjasë s’ka si të jetë tjetër përveç se një garë e re për president. Për botën e lirë një fitore e Bidenit do të ishte lajm i mirë në krahasim me alternativën Trump

Në politikën e polarizuar amerikane prej vitesh prin Donald Trumpi. Përqeshja që i bënte vazhdimisht kundërkandidates Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale është mirë e dokumentuar nga mediat serioze amerikane. Në zgjedhjet e vitit 2020 radha i erdhi Joe Bidenit, veteranit të politikës amerikane dhe njërit prej politikanëve më me përvojë të establishmentit politik në Washington. “Sleepy Joe” – kështu e quante Trump Joe Bidenin, që në shqip pak a shumë i bie: i përgjumur, i fjetur, jo i përqendruar, i ngathët. Edhe në mediat amerikane dhe europiane është shtruar pyetja nëse Biden është mjaft i shkathët fizikisht për të garuar edhe për një mandat për president. Debate të tilla ka pasur edhe brenda Partisë Demokratike, por ato nuk kanë qenë të zëshme – nga respekti ndaj presidentit dhe nga frika se çdo polemikë publike mund ta dëmtojë partinë.

Por me sukseset e arritura në zgjedhjet e pjesshme për Kongres, më 8 nëntor, kanë ndryshuar shumë hesape. Biden ka arritur të pengojë “valën e kuqe”, pra fitoren e madhe të republikanëve. Dhe tani jo vetëm ndaj konkurrencës politike republikane, por edhe ndaj konkurrentëve eventualë të brendshëm në Partinë Demokratike flet nga pozita e të fuqishmit ose së paku të konsoliduarit.