Vështrime

Çmimi i shtrenjtë i politikës “hajt se bëhet mirë”

Një dekadë negociatash të Kosovës me Serbinë që përfunduan në qorrsokak. Sepse ishin negociata pa cak, monitoruar nga politika shkurtpamëse e diplomatëve perëndimorë. Një shkurtpamësi që vazhdon edhe sot

Një dekadë negociatash të Kosovës me Serbinë që përfunduan në qorrsokak. Sepse ishin negociata pa cak, monitoruar nga politika shkurtpamëse e diplomatëve perëndimorë. Një shkurtpamësi që vazhdon edhe sot

Kur u nënshkrua marrëveshja e vitit 2013 në Bruksel, pala kosovare tha se “Serbia de fakto e pranoi Kosovën”. Në vitin 2022 kjo duket si ironi e hidhur. Kur u pranua bashkësia e komunave serbe më 2015, pala kosovare tha se marrëveshja do të kalonte për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë e shqyrtoi, e shpalli pjesërisht antikushtetuese, por në vitin 2022 kërkesat perëndimore ndaj Kosovës për të themeluar asociacionin janë edhe më të zëshme. Madje ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, me ton guvernatori thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël. Me fjalë të tjera: kush bëhet merak për Kushtetutën tuaj!

Dalja e pjesëtarëve të pakicës serbe nga institucionet e Kosovës është larg më shumë se një striptiz policor. Kjo është vetëm provë gjenerale për të sinjalizuar se kështu do të veprojnë, në shkallë më të gjerë, nëse nesër e kanë asociacionin e komunave serbe. Atëherë asociacioni si “entitet juridik” do të dalë nga korniza kushtetuese e shtetërore e Kosovës, nuk do të dalin serbët individualisht nëpër komuna.