Vështrime

Epoka e re Bërthamore

Për një kohë të gjatë, shumë studiues dhe politikëbërës kanë operuar nën iluzionin se problemi bërthamor ishte një relikte e Luftës së Ftohtë. Ç’është e vërteta, bota po i afrohet një epoke që mund të përkufizohet edhe më ashpërsisht nga armët bërthamore. Ndryshimi i shtegut është imperativ dhe koha po mbaron

Armët bërthamore kanë qenë një tipar i marrëdhënieve ndërkombëtare që nga gushti i 1945-s, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i lëshuan dy prej tyre mbi Japoni për ta përshpejtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Asnjë syresh nuk është përdorur që atëherë, dhe ato në mënyrë të diskutueshme ndihmuan që të mbahet e ftohtë Lufta e Ftohtë, duke e imponuar një shkallë të kujdesit te të dy anët e konfrontimit midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, negociatat për kontrollin e armëve korrën sukses në kufizimin e arsenaleve bërthamor të të dyja vendeve dhe e ndaluan apo e ngadalësuan përhapjen e armëve bërthamore. Sot, vetëm shtatë vende të tjera (Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut) posedojnë armë bërthamore.

Pyetja që shtrohet tani është nëse ndodhemi në prag të një epoke të re të zgjerimit të arsenalit bërthamor, të një roli më të spikatur të tij në gjeopolitikë dhe të përpjekjeve të më shumë vendeve për ta siguruar atë. Ajo që e rrit rrezikun është ndjesia se tabuja bërthamore kundër posedimit apo edhe përdorimit të armëve bërthamore po zbehet, si rrjedhojë e kalimit të kohës dhe e shpërfaqjes së një gjenerate të re të të ashtuquajturave armë bërthamore taktike që nënkuptojnë rezultate më pak katastrofike dhe që kësisoj mund të duken më të përdorshme.