OpEd

Në Illyricum duke pritur lajme të reja

Pas çerek shekulli diplomacia franko-gjermane sërish në aksion e bashkë me të edhe Senati Amerikan. Një paralajmërim për qasje të re

1.

Më tingëlluan në Berlin fjalët që i kisha shqiptuar gati para një viti në një konferencë, po në Berlin. Tashmë vinin prej një diplomati të lartë evropian që atëbotë i kishte dëgjuar prej meje. Në fakt, fjalët nuk ishin origjinale të miat. Ishin përcaktimi i famshëm e i supozuar i çmendurisë nga Albert Einsteini si përpjekje që duke bërë të njëjtat veprime të përsëritura të pritet një rezultat tjetër.

Diplomati, sikur unë para një viti, iu referua nevojës për qasje të re në zgjidhjen e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, dhe kjo ishte përgjigjja ndaj pyetjes se çka bënë të dërguarit e kancelarit gjerman dhe të presidentit francez para ca javësh në Prishtinë e Beograd, së bashku me të dërguarin e BE-së, M. Lajçak. Pra, ishin duke ikur nga kurthi i Einsteinit, ishin duke u përpjekur që të fillonin një rrugë që nuk do të jetë përsëritje e asaj që është bërë deri më tani.

Sa kuptova, qasja e re, sikur çdo tjetër, e ka një fillim dhe vizitat e dyshes franko-gjermane së bashku me z. Lajçak filluan me një sërë pyetjesh, një lloj eksplorimi i hartës për një rrugëtim tjetër që nuk është përsëritje e rrugës së mëhershme, asaj që, sipas definimit të Einsteinit, çon në çmendi.

2.

Njëra prej përparësive apo mangësive varet prej këndvështrimit e përvojës së gjatë në Kosovë është ndjenja e përsëritjes.

Për shembull, para një çerek shekulli diplomacitë franceze dhe ato gjermane u angazhuan për një qasje të re ndaj Kosovës, duke parë se represioni i Milosheviqit vetëm sa ishte përshkallëzuar. Ministrat e atëhershëm të jashtëm, Vedrine dhe Kinkel, madje arritën që të sajonin parimet me të cilat besonin se do të ndalej lufta në Kosovë dhe do të arrihej një marrëveshje politike, dhe këtë ua dorëzuan presidentëve Milosheviq dhe Rugova. Gjatë viteve 1998 dhe 1999, këto parime do të integroheshin në negociatat në Rambouillet. Madje, nëse duam ta zgjasim këtë pjesë të rrëfimit (e, nuk duam)- diçka nga ato që u negociuan në Rambouillet hynë në Rezolutën 1244 të KS të OKB dhe gjetën stërpikat e veta deri në ditët tona.

Dhe, në të njëjtën kohë , para një çerek shekulli në Senatin Amerikan kaloi Rezoluta për Kosovën e senatorit Don Nickles nga Ohio, me të cilën SHBA-ja u ftua që së bashku me vendet e tjera të Grupit të Kontaktit të gjejnë zgjidhje për ndalje të represionit e të zhvillohen bisedimet për zgjidhje politike.

Tash, pas çerek shekulli të dërguarit e veçantë të kancelarit gjerman dhe presidentit francez e kanë ftuar veten që të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të re.

Dhe tash, pas një çerek shekulli në Senatin Amerikan kalon një rezolutë e re, e sponsorizuar nga Jeanne Shaheen e New Hampshire (Chris Murphy dhe nga katër senatorë të tjerë me peshë të të dy partive), e cila përpiqet, po ashtu, të gjejë një rrugë të re për Kosovën e Serbinë.

3.

Pas çerek shekulli rezolutash kongresi, ndërhyrjesh ushtarake, protektoratesh e negociatash në Ballkanin Perëndimor, Senati Amerikan duket se, pa u deklaruar në formë eksplicite sikur diplomati i lartë evropian, ka vendosur që është koha për qasje të re. Dhe, ajo është që në titull të projektligjit: “Të demokracisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor”.

Në legjislacionin deri më tani më ambicioz për regjionin tonë, senatorët amerikanë propozojnë një listë masash sigurie, përforcimi, të sundimit të ligjit, nxitjes ekonomike (duke përfshirë edhe hapjen e tregut amerikan për prodhime të B. Perëndimor) dhe të tjera që kanë emërtues të përbashkët njohjen e realitetit të natyrshëm të kësaj zone si zonë evropiane (dhe për shumicën euroatlantike) e largimin e ndërhyrjeve të Rusisë e Kinës që u përkasin sistemeve krejtësisht të kundërta me idenë e demokracisë, përparimit dhe identitetit evropian.

Një çerek shekulli më vonë, në Senatin Amerikan po bëhet një kthesë historike, ajo e të kuptuarit se i tërë Ballkani Perëndimor duhet të jetë në paqe me veten, në mënyrë që të jetë pjesë e një Evrope që për gati tre çerek shekulli ka treguar se është në gjendje të zhvillohet vetëm duke qenë në paqe me veten.

Kjo paqe ka qenë, dhe siç shihet tani, është ngushtë e lidhur me rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së.

4.

“Në kulmin e Perandorisë Romake, popujt e Ballkanit kanë qenë më të bashkuar se kurdo në historinë e tyre, me një sistem unik ligjor, një arbitër unik të fuqisë politike dhe siguri absolute ushtarake”. Kështu thotë Enciklopedia britanike për periudhën më të artë të tregtimit nëpër Via Egnatia, prej Durrësit për në Nish apo Selanik e tutje, në Ilycirum apo Traki. Nuk është vështirë të gjenden aspiratat analogjike për të sotmen, posaçërisht ideja e një sistemi unik ligjor (dakordimi me BE) apo “siguri absolute ushtarake (NATO).

Por, ndonëse këto duken ide të vjetra, aq të vjetra sa Illyricumi, pas një çerek shekulli janë risi. Përbëjnë një kontekst, tashmë së shpejti të kodifikuar edhe si obligim ligjor për administratën amerikane (për shembull), që pas shumë kohe së kërkuari zgjidhje veç e veç për çdo krizë, të gjendet për Ballkanin Perëndimor ombrella e sigurisë dhe e ndërvarshmërisë ekonomike, që bëri nga pjesa tjetër e Evropës demokratike storien më të madhe transformative demokratike në historinë e njerëzimit.