Vështrime

Si përgjigje serbit Vuçiq dhe disa çështje të tjera

Kur të vlerësohet implementimi i marrëveshjes që del nga dialogu nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti II, pas dhjetë a më shumë vjetësh, duhet pritur një koncesion tjetër edhe më të dhimbshëm se këto që kemi parë tani. E di se cinikët kanë nisur të thonë se njohja nga Serbia nuk është asgjë dhe se mjaftojnë kundërvlerat e tjera që ofrohen (njohja nga pesë vendet mosnjohëse, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kështu me radhë). Të gjithë duhet ta dinë, megjithatë, se mosnjohja nga Serbia i jep asaj një të drejtë ndërkombëtarisht të njohur për rikthim këtu kurdoherë që lind apo krijohet një ndryshim rrënjësor në rendin aktual ndërkombëtar

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u mbajt në Nju-Jork, si çdo vit që mbahet, folën shumë liderë botërorë. Ndër ta ishte edhe lideri aktual i shtetit serb, Aleksandër Vuçiq, në ndërkohë që nga Kosova nuk u duk asnjë, përkundër që kanë bërë shumë këto vite në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbase e kuptojnë një ditë këta tanët që subjekti ndërkombëtar nuk hyn në OKB përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, as gjetiu në strukturat e organizuara institucionale ndërkombëtare. Nejse! Kjo këtu nuk ka rëndësi, sepse tema që nisa ka të bëjë me Vuçiqin dhe një dilemë të tij që e ngriti në Asamble, ku tha, mes të tjerash, se “as sot e kësaj dite nuk e kuptoj pse Kosova është ndryshe nga Ukraina, pse integriteti territorial i Ukrainës qenka më i ndryshëm se integriteti territorial i shteteve të tjera anëtare të OKB-së”.

Dilema me dy kuptime