OpEd

Vetëpërjashtimi rus prej Evropës

Për herë të parë pas vitit 2008, Ballkani Perëndimor mund të zhvillojë negociatat për përmbylljen e konflikteve pa nevojën e pranisë së diplomacisë ruse. Çka mund të sjellë një zhvillim i këtillë?

1.

Lufta e V. Putinit kundër Ukrainës ka bërë që Rusia ta përjashtojë veten prej Evropës, në pothuajse të gjitha dimensionet e pranisë së saj si shtet. Pra, prej 24 shkurtit të këtij viti ka filluar një tërheqje e madhe e Rusisë dhe e nevojës për Rusinë prej kontinentit evropian, në së paku tri dimensione ku Rusia e ka konsideruar të nevojshme e në pajtim me arkitekturën e pas-Luftës së Dytë Botërore. Shtatë muaj pas agresionit tashmë eksplicit të Rusisë kundër Ukrainës, Evropa është duke dhënë indikatorët e një kontinenti me aranzhime të tjera kurdo që të përfundojë kjo luftë. Në ato aranzhime siguria e kontinentit evropian nuk do të varet nga kërcënimi strategjik i Rusisë (dhe fuqia negociatore që rrjedh prej tij), gazi rus nuk do të jetë armë që mund të përdoret kundër ekonomive të BE-së dhe potenciali i shantazhit me drithëra mund ta godasë Evropën tërthorazi, duke e bërë më të uritur kontinentin afrikan e duke nxitur më shumë emigracion, por hambarët evropianë do të jenë të plotë.

Mbi të gjitha, shtatë muajt e luftës ruse kundër Ukrainës po vendosin vijën ndarëse mes dy koncepteve themelore të jetës në bashkësi. Në bashkësinë euroatlantike është shënuar kohezion i pashënuar për një kohë të gjatë. Në të jo vetëm ka zgjerim të NATO-s me shtetet tradicionalisht neutrale si Finlanda e Suedia, por ka solidaritet e mobilizim në tema sigurie si armatosja e Ukrainës apo krijimi i një përgjigjeje unike për siguri energjetike. Në anën tjetër të kësaj bashkësie është Rusia, duke u vetëpërjashtuar nga ideja evropiane e duke mos e pasur të qartë as atë tjetrën, euroaziatike.

2.

Rusia e Putinit është duke përshpejtuar identitetin evropian të popujve të kontinentit, në një mënyrë që për precedent të vetin kishte rënien e Murit të Berlinit. Por, ndërkohë që më 1989 shembja e komunizmit ringjalli apo ndërtoi prej së pari identitetin euroatlantik të popujve e shteteve të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, më 2022 sfida është më e madhe, është krijimi i tërësisë euroatlantike prej Lisbonës deri në Harkiv të Ukrainës.

Në aspektin e sigurisë, kjo do të thotë se të gjitha konfliktet e papërfunduara, prej ish –Jugosllavisë e deri te vendosja e kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë (përfshirë në Ukrainë edhe Krimenë) kanë marrë vëmendjen e arkitekturës politike evropiane. Në të kombinohet ombrella e sigurisë së NATO-s si një aleancë ushtarako-politike dhe ombrella integruese e BE-së, me politikën e saj të zgjerimit si procesin më të avancuar të transformimit paqësor të shteteve dhe kombeve në kontinentin evropian.

Në këtë kontekst mund të kuptohet kthimi i shteteve të fuqishme evropiane në proceset e konflikteve të papërfunduara në BH dhe mes Kosovës dhe Serbisë. E, në këtë kontekst, risia më e madhe është se më nuk ka takim tradicional të shteteve të mëdha perëndimore me Rusinë dhe dakordim i qëndrimeve me ta. Koha kur kërkohej mendimi i Lavrovit për diçka në Ballkan ka përfunduar, me gjasë përgjithmonë.

3.

Ky është konteksti i iniciativës së fundit të përbashkët të kancelarit gjerman Scholz dhe presidentit francez Macron për përshpejtimin dhe thellimin e procesit negociator mes Kosovës dhe Serbisë. Të dërguarit e dyshes franko-gjermane qartazi bënë me dije se lufta në Ukrainë e ka krijuar një pikë balance të re gjeopolitike dhe se ajo pikë balance kërkon që Kosova dhe Serbia të gjejnë përgjigje për ardhmërinë e tyre brenda bashkësisë euroatlantike. Madje një gjë e tillë është dakorduar me dy fuqi atlanticiste, por jo evropiane, SHBA-në dhe Turqinë.

Vetëpërjashtimi rus mund të jenë shans i mirë për Kosovën dhe Serbinë. Së pari, heq fare kontekstin e “luftës së të mëdhenjve”: ura e Mitrovicës nuk duhet të shërbejë më si vijë fërkimi e politikës ruse dhe asaj euroatlantike, gjegjësisht si formë e ngacmimit rus të investimeve euroatlantike në Kosovë, por simbol i nevojës për një marrëdhënie të re mirëbesimi e funksionaliteti demokratik mes qytetarëve të të gjitha komuniteteve që përbëjnë Mitrovicën. Së dyti, dhe rrjedhimisht, e heq presionin që një zgjidhje në atë apo cilëndo pjesë tjetër të Kosovës të ketë pasoja në legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës. Çështja më nuk është se a do të jetë Kosova anëtare e OKB-së, sepse kjo atu e Rusisë më nuk ka ndonjë relevancë: bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen për një kontekst zgjidhjeje, ku Rusia nuk ka të drejtë vetoje, e ajo është ardhmëria e Kosovës si shtet evropian, anëtar i Bashkësisë Euroatlantike. E kjo për pasojë ka edhe çlirimin e Serbisë prej potencialit shantazhues rus, ngase vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk është e vlefshme në Bruksel.

4.

Fundi i luftës në Ukrainë dhe ardhmëria e Rusisë, përfshirë në të edhe skenarin e mundshëm të procesit të krizës së thelluar në vetë Federatën ruse, janë ende të paqarta. Pra, është e paqartë ende mundësia e veprimeve të mëtejme destabilizuese ruse në Ballkan Perëndimor.

Por është e qartë kthesa historike që po zhvillohet në mesin e shteteve prijëse të Evropës, gjegjësisht të botës euroatlantike, që ky moment kthese të shfrytëzohet për të arritur në funksionalitet të idesë së Evropës së lirë, demokratike e në paqe me veten.

Kosova dhe Serbia kanë marrë ftesë nga historia që të jenë pjesë e kësaj kthese.