Vështrime

Ballkani i hapur do të jetë vetëm kur të mbyllen pretendimet territoriale

Kaloi dhe një takim i nivelit të lartë në Beograd i nismës së “Ballkanit të Hapur” e që nuk pati fare jehonë jashtë kufijve të rajonit. Mediat në Serbi pandërprerë transmetonin takimet, por edhe ndejat e organizuara në margjina të kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe panairin e verërave. Dhe në rolin kryesor gjithmonë ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ishte në rolin kryesor edhe kur testonte verën, edhe kur fliste për mungesën e rrymës, edhe kur i ftonte të tjerët që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Të gjithë të tjerët në këtë nismë, së paku në mediat e Serbisë, ishin më shumë si statistë. Aty-këtu citoheshin nga mediat për t’i dhënë rëndësi Serbisë dhe liderit të saj Vuçiq.

Liderët e nismës së “Ballkanit të Hapur” po e promovojnë këtë nismë, e përmes saj edhe veten. Deri tash kryesisht po marrin mbështetje, më shumë personale sesa institucionale dhe shtetërore nga jashtë. E nga pjesëmarrësit në rajon ajo vazhdon të ketë anëtarë vetëm shtetet që nuk kanë pasur dhe nuk kanë probleme të hapura me Serbinë, e as nuk kanë qenë viktimë e agresionit të Serbisë

Kaloi dhe një takim i nivelit të lartë në Beograd i nismës së “Ballkanit të Hapur” e që nuk pati fare jehonë jashtë kufijve të rajonit. Mediat në Serbi pandërprerë transmetonin takimet, por edhe ndejat e organizuara në margjina të kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe panairin e verërave. Dhe në rolin kryesor gjithmonë ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ishte në rolin kryesor edhe kur testonte verën, edhe kur fliste për mungesën e rrymës, edhe kur i ftonte të tjerët që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Të gjithë të tjerët në këtë nismë, së paku në mediat e Serbisë, ishin më shumë si statistë. Aty-këtu citoheshin nga mediat për t’i dhënë rëndësi Serbisë dhe liderit të saj Vuçiq.

Nga mysafirët e huaj në takim ishin kryesisht ata me të cilët Vuçiqi ka raporte aq të mira, saqë mund t’i ftojë që edhe t’i bëjnë shërbim personal. Ministri i Jashtëm i Hungarisë dhe ministri i Jashtëm i Turqisë. Ky i fundit nga një vend i cili jo vetëm se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, por edhe ka përfituar nga fakti se vazhdon tregtinë me këtë shtet sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ministri i Hungarisë është një zëdhënës i madh brenda BE-së kundër sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe shteti i tij mban etiketën e “kalit të Trojës së Putinit në Evropë, krahas Serbisë”. Këtë takim përmes videolidhjes e përshëndeti edhe komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi, për të cilin në qarqet e BE-së flitet se është “tepër mbështetës për Serbinë” dhe heziton ta kritikojë Serbinë edhe për refuzimin që të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në këtë mënyrë edhe Verhelyi, thonë burimet në BE-së, më shumë vepron sipas instruksioneve të qeverisë së tij, asaj të Viktor Orbanit në Budapest, sesa që ndjek një linjë të përbashkët të BE-së. E BE-ja, siç e dimë, nuk ka akoma një linjë të vetme të qartë rreth nismës “Ballkani i Hapur”. Nuk e mbështet qartë, por heziton të shprehet kundër, sepse në parim mbështet çdo nismë që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal. Në takim ishte edhe kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, për të cilin gjithnjë e më shumë flitet se “i ka bërë një argat të madh Beogradit, Qeverisë së Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe”, që në fund i kushtoi dhe me votim të mosbesimit në Mal të Zi. Nga Bosnjë-Hercegovina ishte kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, por ai më shumë ishte si serb etnik, që mbështet Serbinë, sesa si përfaqësues i shtetit prej nga vjen. Sepse, përkundër mbështetjeve personale që Tegeltijas dhe Abazoviqit, edhe Mali i Zi, edhe Bosnjë-Hercegovina nuk duan të jenë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”. Në Kosovë, së paku nëse gjykojmë nga deklaratat publike, ka pothuajse konsensus që Kosova të mos jetë pjesë e kësaj nisme. E në Bosnjë-Hercegovinë nuk ka konsensus për asgjë, dhe si pasojë nuk është pjesë e kësaj nisme. Por ata që janë kundër, janë forcat kombëtare që e shohin këtë nismë si përpjekje për rritjen e ndikimit të Serbisë në rajon, e nuk kanë përvojë të mirë me përzierjen e Serbisë në këto shtete në të kaluarën.