OpEd

Zeitenwende, një fjalë që nuk u shqiptua lehtësisht

Mund të jetë duke u ravijëzuar një tërësi e re evropiane e me qartësi për Ballkanin Perëndimor në të

1.

Tri ditë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, kryeministri gjerman, Olaf Scholz, përmblodhi në një fjalë atë që shumë analistë përpiqeshin të shpjegonin në shkrime të gjata dhe të mirëmbështetura në fakte. Fjala është “zeitenwende” dhe e përkthyer thjesht do të ishte “pikë kthese”. Në kontekstin në të cilin u shqiptua dhe besoj kështu do lexuar atë, “zeitenwende” do të jetë ai moment që do ta mbajmë mend pas ca vjetësh dhe do të shënojë momentin e ndryshimit të jetëve tona në kontinentin evropian.

Kisha një ndjenje satisfaksioni që me fjalët e kryeministrit gjerman u konfirmua përshtypja ime e shprehur në konferenca e shkrime se lufta në Ukrainë kishte dimensionin e një ndryshimi historik që ishte i ngjashëm me rënien e Murit të Berlinit, ndonëse fillimisht në kah të kundërt, pra jo të çlirimit (si më 1989), por të okupimit e zhbërjes së paqes së Helsinkit.

2.

Fjala “zeitenwende” ka mundur të jetë lehtë e shqiptueshme si një përshkrim që shënon në formë abstrakte diçka që ende nuk dimë. Pra, po, do të jetë një pikë kthese por pa përcaktuar se kah do të shkojë kahu i ndryshimit. Përcaktimi i padefinuar do t’i ofronte komoditet të mjaftueshëm çdo politikani dhe burrështetasi të konsumojë kohë të mandatit, ndoshta edhe ta përfundojë e t’i mbetet besnik shqiptimit të fjalës në kontekstin e ndryshimit të papërfunduar; mund të ndodhë që ndryshimi të marrë emrin e vet me qeverinë e ardhshme, e ndoshta edhe me njeri tjetër në krye të saj.

Kancelari Scholz mbajti, gjashtë muaj pas shqiptimit të fjalës “zeitenwende”, fjalimin programatik me të cilin e mbushi me përmbajtje kuptimi. Dhe, në këtë përmbajtje kuptimi gjendet një vizion i cili thotë se përderisa janë duke u vendosur kufijtë mes demokracisë (evropiane) dhe autoritarizmit (rus), ky është momenti i cili do të përcaktojë tërësinë e asaj demokracie evropiane dhe thellësinë e saj. Pra, fjala është për shtrirjen gjeografike të BE-së (me 30 e më shumë anëtarë) dhe me efikasitetin vendimmarrës të BE-së së zgjeruar.

Në që të dyja pikat ekziston një qartësi. Për kancelarin (mes tjerash) BE-ja do ta ketë Ballkanin Perëndimor (që në fjalët e tij është duke pritur 20 vjet për anëtarësim), Ukrainën e Moldavinë dhe ndoshta Gjeorgjinë. Dhe këto shtete anëtare do të duhej të ishin pjesë e një BE-je që ka sovranitet (përfshirë, për shembull, hapësirën e vet unike ajrore, e cila kërkon mbrojtje unike ushtarake) e një BE-je që merr vendime në bazë të votave të shumicës së kualifikuar e jo në bazë të konsensusit të plotë, i cili bllokon vendimmarrjen, siç është rasti deri më sot.

3.

Mbulesa konceptuale e një projekti të këtillë është ideja e bartjes së qendrës evropiane kah Lindja, diçka që kishte përshkruar njëzet vjet më parë Zbigniew Brzezinski. Pra, duke lëvizur “pika mbështetëse e historisë” kah Lindja, thoshte Brzezinski , kjo po ndodh edhe me Evropën.

Në fjalët e kancelarit gjerman kjo do të thotë momenti i kthesës kur BE-ja duhet të jetë bartëse e projektit të Evropës si komunitet gjeopolitik. Komuniteti politik evropian, i cili nuk duhet të presë për ndryshime traktatesh e për procedura burokratike brenda Brukselit, është një projekt politik të cilin e shprehu më parë presidenti francez Macron. Në vazhdë të kësaj ideje kancelari gjerman e mbindërton, duke shtuar dy elemente thelbësore. I pari është se komuniteti politik evropian, që do të përfshijë vendet e BE-së, vendet aspiruese për anëtarësim dhe vendet jashtë BE-së, si Britania e Madhe, do të merret me çështjet si siguria, energjia dhe ambienti. I dyti është se komuniteti politik evropian nuk duhet të jetë zëvendësim për anëtarësim të vendeve , si p.sh. ato të Ballkanit Perëndimor.

Një BE që shtrihet prej Lisbonës në Harkiv (të Ukrainës) duket ose projekt i pamundur, ose vështirë i realizueshëm, ose një ëndërr që do të marrë kohë.

Por, kur një projeksion i ëndrrave është pjesa themelore e konkretizimit të tyre.

Në këtë kuptim kancelari Scholz bëri dy “zeitenwende”. Një, kur e shqiptoi këtë fjalë. Dhe dy, kur, duke e udhëhequr vendin në territor politik deri tani të pashkelur (të përkrahjes ushtarake për Ukrainën me 100 miliardë euro, përpjekjes për ndërprerje të varësisë energjetike nga Rusia), arriti të shprehë se “zeitenwende” është tani një politikë e menduar për ndryshimin e kontinentit evropian. Dimensionet e atij ndryshimi nuk do të jenë më të vogla se ato të vitit 1989.

4.

Ballkani Perëndimor ka arsye jo vetëm të shikojë me vëmendje, por edhe të projektojë politika të veta që zënë këtë ndryshim historie që po ndodh para syve të tyre.

Projektimi i politikave duhet të kapërcejë një hendek të madh mes “Zeitenwende” për tërë kontinentin dhe gjendjes së tanishme kur suksesi më i madh i BE-së në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për shembull, është arritja e pikës kur dy shtetet ia njohin njëri-tjetrit letërnjoftimin.

Kontinenti ka gjasë të hyjë në shpejtësi të re integruese dhe Ballkani Perëndimor duhet të jetë së paku pjesë e asaj shpejtësie.