OpEd

Gjasat për marrëveshje finale në dialog, më larg se kurrë

Dakordimi për mënyrën e hyrjeve-daljeve në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë është sukses i BE-së dhe SHBA-së. Ai për një kohë do ta evitojë eskalimin e situatës. Por dialogu ka devijuar nga qëllimi fillestar dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse asnjëherë nuk ka qenë më larg sesa tani. Dy palët në dialog kanë synime të ndryshme, ndërsa BE-ja e SHBA-ja nuk kanë, e as që do të kenë fuqi në një të ardhme të afërt, ta detyrojnë Serbinë që ta pranojë marrëveshjen gjithëpërfshirëse me njohje

Kanë kaluar 11 vjet prej kur ka nisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Kanë kaluar, e janë harruar disa “vjet vendimtarë” për arritjen e marrëveshjes finale në dialog. Kanë kaluar dy vjet e gjysmë prejse BE-ja ka caktuar Miroslav Lajçakun si të dërguar të posaçëm për dialog, me qëllim që me të në krye të procesit, marrëveshja gjithëpërfshirëse “të arrihet brenda disa muajsh”. Nuk duhet harruar këto ambicie për të rikujtuar se cili ka qenë qëllimi i dialogut dhe sa i suksesshëm është ai. Mund të gjenden shumë arsye e arsyetime, por mbetet konstatimi se dialogu nuk ka arritur t’i afrojë fare pozicionet e palëve rreth marrëveshjes finale. Pas 11 vjet tentimesh, arritja e asaj marrëveshjeje nuk duket në horizont. Madje, nëse gjykojmë nga deklaratat e presidentit të Serbisë, e pa Serbinë marrëveshja nuk është e mundur, do të kalojnë edhe shumë vjet derisa të arrihet një marrëveshje e tillë. Sepse ajo nuk i intereson Serbisë.

Serbia që nga nisja e dialogut ka arritur ta devijojë atë në një proces në të cilin zgjidhen disa probleme, krijohen disa problem tjera, pastaj të njëjtat zgjidhen e kështu me radhë. Pra qasja e Serbisë se përmes dialogut “duhet të zgjidhen çështjet e vogla për të rritur besimin” ka arritur ta sjellë dialogun në këtë situatë në të cilën është sot. Në situatë ku arrihen marrëveshje, pastaj bien dakord për zbatimin e tyre, të njëjtat nuk zbatohen, krijohen tensione dhe BE-ja e SHBA-ja angazhohen për t’i tejkaluar tensionet.

Edhe këto ditë tejkalimi i tensioneve dhe parandalimi i shpërthimit të dhunës është prioritet. Përmendet edhe “diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, por kjo përmendet vetëm për të rikujtuar qëllimin e dialogut. Prioritet nuk është njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë, që mund të jetë e vetmja zgjidhje finale e mospajtimeve dhe e vetmja zgjidhje e cila sado pak do t’i afrohej kuptimit të “normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve”. Sepse nuk mund të quhen raporte normale nëse një shtet nuk e njeh shtetin fqinj, por ka aspirata territoriale. E BE-ja sot duket sikur e konsideron normale që Serbia të vazhdojë të këtë aspirata territoriale ndaj Kosovës. Sepse 5 nga 27 vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe për këtë BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit, apo nuk ka qëndrim ndaj statusit. Për më tepër, disa në BE, duke bërë propozime të ndryshme për zgjidhjen e disa problemeve në dialog, sikur kërkojnë që dhe Qeveria e Kosovës të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, dhe si për shembull, të nxjerrë targa të veturave që do të jenë “neutrale ndaj statusit”. Apo të pranojë që pos Qeverisë së Kosovës, në Kosovë legalisht vepron edhe Qeveria e Serbisë.

Nuk ka dyshim se gjithmonë prioritet duhet të jetë evitimi i dhunës dhe stabiliteti i Kosovës. Por në të njëjtën kohë, duhet ditur se tensionet nuk ndodhin rastësisht e as spontanisht. Me misionin KFOR të NATO-s, me EULEX-in e BE-së, me praninë e aq shumë kontingjenteve nacionale të ushtrive, me gjithë strukturat e shërbimeve të zbulimit dhe qendrave në BE dhe NATO për analizën e të dhënave të shërbimeve të zbulimit, me siguri të madhe mund të pohojmë se qartë dihet se kush, ku dhe kur, dhe në çfarë mënyre, nxit tensione, bllokon rrugë, parandalon veprimet e organeve të rendit në Kosovë. Ka naivitet në BE dhe NATO shpesh, por jo aq shumë, saqë vërtet të besojnë se bllokadat e rrugëve, për shembull, “i bën populli i revoltuar”.

E gjithë kjo situatë që është krijuar në Kosovë, sidomos në veri, është mirë e kontrolluar dhe asgjë nuk ka ndodhur, e as nuk do të ndodhë rastësisht. E gjithë kjo situatë është krijuar për të ndikuar, e besa edhe për ta drejtuar kahen e dialogut në Bruksel.

Kanë të drejtë dashamirësit në BE kur thonë se “Kosova ka më shumë për të humbur nëse dialogu nuk ka sukses”. Sepse dialogu është për Kosovën, për rregullimin e saj të brendshëm dhe, pasi disa vende të BE-së patohen me qëndrimin e Serbisë dhe Rusisë se nuk duhet njohur Kosovën nëse me njohjen nuk pajtohet Beogradi, dialogu e mban peng edhe fatin e integrimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare. Edhe sot kur BE-ja dhe NATO janë në konfliktin më të madh në histori me Rusinë, më të rrezikshëm sesa në kohën e Luftës së Ftohtë, ka shtete dhe diplomatë të BE-së dhe NATO-s që pajtohen që fati i njohjes së Kosovës të varet nga Rusia.

Por Kosova nuk ka çfarë të bëjë më shumë sesa që ka bërë në të gjitha proceset që kanë çuar deri te statusi i saj i tashëm i shtetit të pavarur. Se pavarësia e Kosovës në formën e tashme, sipas propozimit të Martti Ahtisaarit, nuk ka qenë zgjidhje ideale dëshmon edhe fakti se partia që sot është në pushtet, Vetëvendosje, ka qenë kundër këtij propozimi. E sot, ironia është se pikërisht kjo parti duhet të bëjë çmos që të mbrohet rendi i caktuar me Pakon e Ahtisaarit. Sepse Ahtisaarin nuk e kanë pranuar Serbia, Rusia, Sllovakia, Spanja, Rumania, Greqia e Qipro. Dhe tash duhet “gjetur diçka tjetër” për t’i kënaqur këta.

Për 11 vjet asnjë nga shtetet që nuk e ka njohur Kosovën nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tyre. Ato madje e kanë forcuar qëndrimin e tyre. Disa kanë vendosur raporte me Kosovën, por nuk e kanë njohur. Dhe kjo qasje nuk ka mundur t’i ndihmojë Serbisë që ta njehë realitetin se Kosova është shtet.

BE-ja si udhëheqëse e dialogut ka qasjen se “tema janë vetëm ato për të cilat pajtohen palët”, atëherë as njohja e ndërsjellë nuk mund të jetë temë. Sepse Serbia nuk pranon që të flitet për një gjë të tillë.

Dakordimi për mënyrën e hyrjes-daljeve në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë është sukses i BE-së dhe SHBA-së. Ai për një kohë do ta evitojë eskalimin e situatës. Por dialogu ka devijuar nga qëllimi fillestar dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse asnjëherë nuk ka qenë më larg se sa tani. Dy palët në dialog kanë synime të ndryshme, ndërsa BE-ja e SHBA-ja nuk kanë, e as që do të kenë në një të ardhme të afërt fuqi ta detyrojnë Serbinë që të pranojë marrëveshjen gjithëpërfshirëse me njohje. BE-ja dhe SHBA-ja nuk duan ta dënojnë Serbinë, e në të njëjtën kohë nuk mund as ta shpërblejnë.

Kur është folur për “marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda disa muajsh, e jo vjetësh” është besuar se Kosova duhet të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të pranojë një status eksterritorial për Kishën Ortodokse Serbe, e në anën tjetër, Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së dhe e Këshillit të Evropës. Serbia do të përshpejtonte procesin e integrimit në BE.

Kjo tash duket joreale, mes tjerash, edhe për shkak të raporteve mes Rusisë dhe Perëndimit. Prandaj Serbia, përderisa dëshiron të lërë përshtypjen se është e gatshme gjithmonë për dialog, do të bëjë çmos që ai të mos shkojë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Shihet kjo edhe në përmendjen e shpeshtë nga ana e përfaqësuesve të Serbisë të Rezolutës 1244, të UNMIK-ut, etj, sepse Serbia e ka Rusinë e cila do të pengojë çfarëdo ndryshimi, i cili nuk është i pranueshëm për Serbinë, Madje edhe po të pranojë Serbia diçka që kërkon Perëndimi, e nuk i pëlqen Rusisë, prapë Rusia do të pengojë ndonjë vendim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Joreale është edhe që Serbia ta përshpejtojë procesin e integrimit në BE: ajo pikë së pari këtë nuk e meriton. Sepse ka shumë kritere që nuk i përmbush, e ato nuk kanë të bëjnë me Kosovën. Serbia praktikisht e ka të bllokuar procesin e negociatave të anëtarësimit, edhe pse bllokada nuk është shpallur. Disa vende nuk do të lejojnë që Serbia të ecë në këtë proces pa i përkrahur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Është pikëpyetje edhe a do apo jo Serbia të hyjë në BE. Edhe kjo si motiv për Serbinë që të pranojë pavarësinë e Kosovës duket shumë i zbehtë.

Ambicie për arritjen e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse nuk ka as BE-ja, ani pse ajo do të ishte e mirëpritur për BE-në. Nuk duket ambicie e madhe nëse BE-ja heziton të sqarojë nëse zgjidhja do të jetë njohja e ndërsjellët apo jo. Sepse kur BE-ja është e paqartë, atëherë Serbia inkurajohet që të mos e njohë Kosovën.

Prandaj na presin takime të shumta në dialog, tema të shumta, akuza dhe kundër akuza, por gjasat për marrëveshje gjithëpërfshirëse janë më të vogla sesa që ishin para 11, para 5 apo para 3 vjetësh.