Vështrime

Mësimdhënës, mos i sakrifikoni fëmijët

Nuk bëhet presioni për arritjen e qëllimeve përmes sakrifikimit të tjerëve, por përmes sakrifikimit të vetes. Kështu fitohet përkrahja. Kështu do t’ia bënin mësimdhënësit e vërtetë. Do të qëndronin nëpër shkolla pas mësimit, do të flinin aty e të çoheshin të nesërmen të mbanin përsëri mësim. Të na dëshmonin që për ta arsimimi i brezave të rinj është i shenjtë. Të na çonin porosinë të gjithëve, përfshirë pushtetit, që i tillë do të duhej të ishte për çdokënd. Kush nuk do t’u bashkohej, do të ishte kundër shkollës e kundër së ardhmes.

Ju mësimdhënës po i sakrifikoni fëmijët. Presioni juaj jo veç që nuk është vetëmohues. Është johuman e joetik. Godet fëmijët e çerdheve, ua rrezikon punën prindërve – mirëqenien e familjeve të tyre, ua mohon fatosave festimin e 1 Shtatorit si ditën e parë të tyre në shkollë, përjetë... Për asgjë nuk do të duhej t’u ndalet shkolla fëmijëve, as për 100 euro, as për 200, as për ligje, as për inate, as për politikë, as për jetë. Rrugën e lehtë mbi kurrizin e fëmijëve mos e kamufloni si mjetin e vetëm sindikal. E drejta për arsimim është elementare e mbrojtur me Kushtetutë, me ligje vendore e ndërkombëtare. E drejta për organizim sindikal dhe për greva është e garantuar me ligj po ashtu, por kur nuk shkel ligje të tjera. Kur nuk i shkel të tjerët. Fëmijët, qoftë edhe veç qejfin e tyre. Prindërit e vendin e tyre të punës. Çerdhen e shkollën...