OpEd

Lufta e humbur shqiptare e Nigel Farageit

Si u del një fytyrë ngjyrë kafeje e të besimit hindu në mbrojtje shqiptarëve britanikë?

1.

Qe një cicërimë në Twitter që më lajmëroi se Nigel Farage pasi kishte fituar luftën kundër BE-së - luftë të cilën e kishte fituar kur shumica e qytetarëve të Britanisë së Madhe votoi për Brexit, pra për dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja - filloi luftën kundër shqiptarëve.

Lufta kundër shqiptarëve e Nigel Farageit filloi ashtu si lufta kundër evropianëve të tjerë, me gënjeshtra dhe frikësim nga i huaji. Atëbotë, kur e filloi luftën kundër BE-së, Nigel Farage si lider i partisë UKIP (Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar) nxori listë të gjatë akuzash ndaj BE-së duke e cilësuar Brukselin si një kryeqytet gati kolonial që administron jetën e qytetarëve britanikë, madje përkundër (apo me faktin) se qytetarët britanikë paguajnë për këtë punë burokracinë e BE-së. Njëra prej parullave të përsëritura (dhe të rrejshme) qe se nga Londra çdo javë shkojnë 350 milionë paundë financimi për BE-në, pa treguar ndonjëherë se sa paundë kthehen prapa në forma të ndryshme, përfshirë subvencionimin e fermerëve.

Populizmi i Farageit që fillimisht përcillej me të qeshura në Parlamentin Evropian, për shkak se ndonjëherë dukej si të ishte nxjerrë prej serialeve të suksesshme komike të televizioneve britanike (si “Fools and Horses”) arriti pas një kohe të marrë agjendën konservatore dhe të nxjerrë si lider Boris Johnsonin, i cili udhëhoqi me sukses referendumin për dalje nga BE-ja. E në këtë rrugëtim edhe të bëjë për vete populizmin e Farageit: gazetari i dikurshëm Johnson, para se të bëhej politikan e kryeministër, kishte shkruar të pavërteta që simbolizuan BE-në në sytë e euroskeptikëve britanikë, si për shembull rregulloren joekzistuese të BE-së me të cilën do të bëhej matja e gjatësisë së lejuar të bananeve për import në BE.

2.

Cicërima qe tipike për modelin politik të Farageit. Duke cituar një artikull në “Daily Mail”, Farage konstatoi se çdo i dhjeti prind i huaj i foshnjave të lindura në Britani e Madhe është shqiptar. Këtyre u shtohen pastaj konstatimet e tij dhe të bashkëmendimtarëve se si është e mundur një gjë e tillë kur Shqipëria është vend që aspiron anëtarësim në BE, e të tjera, e të tjera. Pyetja e Farageit, që duhet të shtojë frikën nga shqiptarët, është se nëse përqindja qenka kështu sot, çfarë do të jetë për pesë vjet?

Shqiptarët nuk kanë emër të mirë në mediet që i citon Farage e që citojnë Faragein. Në thjeshtësimin e gjuhës së tabloideve, shqiptarët janë personazhe të botës së krimit, kontrabandistë droge, prostitucioni e imigrantësh ilegalë. Në thjeshtësimin e gjuhës së tabloideve para pesëdhjetë vjetësh aty diku ishin zezakët, pakistanezët, pastaj italianët e kushdo tjetër që do të mbushte vendin e gjeneralizimit të radhës. Shqiptarët, me një përfshirje tejmesatare në krimet për të cilat akuzohen në tërësi, tashmë trajtohen në tërësi si të tillë.

Në fakt, nuk është çdo i dhjeti prind i huaj i foshnjave të lindura në B. e Madhe shqiptar. Statistikisht, shqiptarë janë 0.5 për qind. Por statistika, si dhe faktet e tjera nuk i hyjnë në punë narracionit të Farageit, i cili është ndërtuar mbi paragjykimin e shqiptarëve si kriminelë, të cilët tash lindin fëmijë në Britani të Madhe në shpërpjesëtim të jashtëzakonshëm me përfshirjen e tyre në popullatë, pothuaj si një projekt pushtimi territorial.

3.

Lufta e Nigel Farageit nuk është as britanike e as e re.

Në euforinë nacionaliste në Serbi, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, mediet serbe të ndërtuara mbi modelin e tabloideve britanike nxirrnin lindshmërinë e shqiptarëve në Kosovë dhe vise të tjera në ish- Jugosllavi si një plan i fshehtë dominimi të shqiptarëve. Natyrisht, sikur në portretizimin e Farageit, shqiptarët e tabloideve serbe ishin popullatë e theksuar krimogjene.

Në këtë shekull, posaçërisht, pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, lehtësia me të cilën është folur për planet diabolike për t’u shumuar, të popullatave të ndryshme aziatike e afrikane të besimit islam, ishte e njëjtë me ato të tabloideve serbe të viteve tetëdhjetë apo të Farageit sot.

E, megjithatë, ajo që është risi, është se lufta të cilën e ka filluar Nigel Farage kundër shqiptarëve është tashmë e humbur. Kjo luftë është e humbur jo vetëm pse shqiptarët nuk janë ashtu si përshkruhen në tabloidet, por pse tashmë ata janë të pranuar brenda shoqërisë britanike. Si përgjigje ndaj cicërimës së Farageit doli një Matthew Stadlen, i cili shkroi:

“Të faleminderit për paralajmërim Nigel! Ndërtimtari im është shqiptar. Bëmë një udhëtim së bashku nëpër Shqipëri. Vajza e tij prin në shkollën e saj publike, e cila është ndër më të mirat në vend. Një familje e mrekullueshme”.

Një përgjigje tjetër qe e Andrew Bruces:

“Të faleminderit Nigel! E njoh Shqipërinë mirë - është një vend fantastik me njerëz të mrekullueshëm. Po ashtu jam arsimtar në Londrën jugore dhe nxënësi më i mirë në klasën time është një shqiptar që do t’i japë kontribut të madh Mbretërisë së Bashkuar”.

4.

Mbi të gjitha, Nigel Farage po e humb luftën shqiptare që në fillim, sepse nga Brukseli është kthyer në një Britani të Madhe, të cilën ai nuk e njeh.

Në atë Britani të Madhe ministër i Financave është i biri i një imigranti indian. Ky person, Rishi Sunak, i përket Partisë Konservatore, partisë me të cilën ai garon për t’u bërë kryeministër i vendit. Humbi a fitoi, edhe këtë do ta marrim vesh së shpejti, gara e një hindusi britanik, e një fytyre ngjyrë kafeje të një praktikanti të besimit hindu, tregon më shumë për forcën e një shoqërie liberale e demokratike, të një vendi tolerance se ç’mund të prishë ndonjëherë Nigel Farage edhe po të fillojë luftën kundër çdo kombi, kulture, gjuhe a feje, siç e filloi aksidentalisht këtë luftë të humbur kundër shqiptarëve.