OpEd

Kriza energjetike, dimri dhe Kosova

Veshtrim

Nga fillimi i nëntorit 2022 deri në fund të marsit 2023, në bazë të analizës së të dhënave të periudhës së njëjtë të sezonit të kaluar, Republika e Kosovës do të ketë për çdo orë një mungesë të energjisë elektrike mesatarisht prej 221 MWh dhe madje në rastin më optimist. Për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike, kjo mungesë duhet të mbulohet me import

Të gjithë dridhemi kur e kujtojmë furnizimin me energji elektrike gjatë dhjetorit dhe janarit të kaluar. Si rrjedhojë e rënies së njëpasnjëshme të blloqeve të termocentraleve vendore, furnizimi me energji elektrike u përkeqësua tej mase me ndërprerje duke zgjatur me orë të tëra. Institucionet përgjegjëse u munduan të zbusin gjendjen duke importuar energjinë. Fatkeqësisht, çmimet e importeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare kishin arritur majat e tyre, duke bërë që kostoja e importeve të arrinte shifra alarmante dhe të papërballueshme për xhepin kosovar. Për shembull, Kosova ka importuar energji elektrike edhe me një çmim prej 620 eurosh për megavat orë (MWh) apo 62 cent për kilovat orë (KWh), duke çuar në shpenzime të importit prej afër gjysmë milioni euro vetëm për një orë. Sa për të informuar publikun, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë mesatarisht 7-8 centë për KWh duke i përfshirë të gjitha tarifat. Për më tepër, vlera e importeve tejkaloi shumën prej 27 milionë eurosh vetëm për një javë në fund të vitit 2021. Në figurën poshtë i kemi paraqitur importet dhe eksportet javore të energjisë elektrike. Kur jemi tek çmimi i energjisë së importuar duhet cekur se Kosova e përdor si vlerë referente çmimin e energjisë elektrike të përcaktuar në bursën energjetike të Hungarisë (HUPX).

Image

Me fillimin e rënies së temperaturave, gjenerimi vendor në Kosovë fillon të mos jetë i mjaftueshëm për të mbuluar plotësisht kërkesën për energji elektrike. Kjo periudhë fillon në fillim të nëntorit deri fund të marsit. Të dhënat e kësaj periudhe të sezonit të kaluar tregojnë se Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 204 milion eurosh. Edhe pse u importua energji elektrike me këtë kosto marramendëse, Kosova e kaloi këtë periudhë me ndërprerje të shumta, të gjata dhe të paplanifikuara. Rritja e temperaturave e vendos Kosovën në një pozitë më të volitshme, sepse kërkesa për energji elektrike bie dukshëm duke e bërë Kosovën një vend eksportues të energjisë elektrike. Të dhënat nga 1 prilli deri më 17 korrik të këtij viti tregojnë se Kosova ka eksportuar energji elektrike në vlerë prej 64 milionë eurosh. Kjo patjetër se ndihmon në zbutjen e deficitit tregtar energjetik.

Duhet cekur edhe faktin se Kosova importon energji elektrike në kohë të pikut në bazë të orës, ditës, muajit apo edhe sezonit. E kur kërkesa për energji elektrike arrin nivele të larta, çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare janë shumë të larta. Siç u cek edhe më lart, Kosova importon gjatë dimrit për shkak të kërkesës së lartë për energji elektrike dhe mungesës së gjenerimit vendor. Pikërisht gjatë sezonit dimëror çmimet e energjisë elektrike arrijnë nivelet më të larta. Në anën tjetër, kërkesa për energji elektrike bie gjatë verës duke bërë që gjenerimi vendor të jetë më i lartë se konsumi, Kosova e gëzon mundësinë për të eksportuar gjatë kësaj periudhe tepricën energjetike, por me çmime shumë më të ulëta në krahasim me çmimin me të cilin importon gjatë dimrit. Andaj, kjo bën që diferenca monetare midis importeve dhe eksporteve të energjisë elektrike të rritet edhe më tej, gjë që çon në një përkeqësim të bilancit tregtar energjetik.

Por sa do të jetë kostoja e furnizimit me energji elektrike në sezonin e dimrit që po vjen? Nga fillimi i nëntorit 2022 deri në fund të marsit 2023, në bazë të analizës së të dhënave të periudhës së njëjtë të sezonit të kaluar, Republika e Kosovës do të ketë për çdo orë një mungesë të energjisë elektrike mesatarisht prej 221 MWh, dhe madje në rastin më optimist. Për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike, kjo mungesë duhet të mbulohet me import.

Për të ndërtuar një pasqyrë të kostos së importit të energjisë elektrike, ne kemi marrë si bazë importin mesatar në MWh dhe çmimin mesatar në euro për MWh. Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka importuar në secilën orë mesatarisht 221 MWh gjatë periudhës nëntor 2021 mars 2022. Pra për secilën nga 3 624 orët janë importuar mesatarisht rreth 221 MWh energji elektrike, që na jep totalin prej 800.904 MWh. Duke u bazuar në një numër supozimesh ne kemi llogaritur edhe çmimin mesatar të importit të energjisë elektrike për periudhën nëntor 2022-mars 2023. Nga një analizë e çmimeve në bursën hungareze, çmimi mesatar i importit pritet të sillet rreth 275 € për MWh. Le të supozojmë se Kosova do të importojë gjatë këtij dimri (nëntor 2022-mars 2023) 221 MWh, që është sasia e njëjtë e importit të energjisë elektrike me periudhën e kaluar. Nëse e shumëzojmë këtë sasi me çmimin e importit të energjisë elektrike prej 275 €/MWh, rrjedh se Kosova do të detyrohet të paguajë vetëm për import një shumë prej rreth 220 milion eurosh. Kjo shumë paraqet skenarin më optimist për Kosovën. Mirëpo, ky skenar mund të devijohet nga dy burime, siç janë: mungesa e gjenerimit nga burimet vendore dhe rritje enorme e kërkesës si pasojë e temperaturave shumë të ulëta, si dhe zhvillime në tregjet ndërkombëtare që do të ndikonin në rritjen e çmimit të importeve.

Por, si duken skenarët më të këqij për Kosovën?

Le të nisemi me një mungesë vendore të gjenerimit të energjisë elektrike si rrjedhojë e rënies së ndonjë njësie gjeneruese në termocentralet e Kosovës. Nëse i kthehemi periudhës së vitit dhjetor 2021 dhe janar 2022, Kosova ka qenë e detyruar të importojë për secilën orë mesatarisht rreth 400 MWh. Kjo paraqet një mungesë shtesë prej 180 MWh për çdo orë në raport me mungesën e lartpërmendur në skenarin më optimist. Nëse supozojmë se kjo mungesë mesatare shtesë prej 180 MWh shtrihet në një periudhë kohore dymujore (pra, 1488 orë), atëherë Kosova do të importojë rreth 267.840 MWh shtesë. Duke e përdorur të njëjtin çmim të energjisë elektrike prej 275 €/MWh, shpenzimet e importit rriten për rreth 74 milionë euro, pra në tërësi 294 milion euro.


 

Një rrezik i lartë vjen nga ndonjë rritje shumë më e theksuar e çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane. Janë disa burime të këtij rreziku. Për shembull, nëse Evropa përballet me: (1) mungesë më të theksuar të gazit, (2) mungesë e theksuar e gjenerimit nga burimet e ripërtërishme, (3) temperatura shumë më të ulëta që bëjnë që kërkesa për ngrohje të rritet, (3) pamundësia që disa centrale bërthamore franceze të futen në sistem gjatë dimrit. Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Varësisht nga madhësia e këtyre ngjarjeve, çmimet e energjisë elektrike mund të rriten. Një nga skenarët më të pafavorshëm me të cilën Kosova mund të ballafaqohet e kemi vlerësuar duke u bazuar në të dhënat e sezonit të kaluar. Nëse çmimet mesatare të energjisë elektrike do të arrinin nivelin e 400 €/MWh dhe Kosova detyrohet të importojë 400 MWh për periudhën nëntor 2022 - mars 2023, shpenzimet e importit do të jenë rreth 580 milionë euro. Ne llogarisim se ky do të ishte një skenar shumë i keq për Kosovën, por që ka gjasa të larta të ndodhë. Po ashtu, duhet të shtojmë se ekziston rrezik shumë i lartë që çmimet e energjisë elektrike të jenë edhe shumë më të larta.

Përfundimisht shpenzimet e importit të energjisë elektrike në Kosovë për periudhën nëntor 2022 - mars 2023 do të sillen midis 220 dhe 580 milionë euro, me një shkallë të lartë të probabilitetit që këto shpenzime të jenë më të larta varësisht nga gjenerimi dhe konsumi vendor, si dhe nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

(Adhurim Haxhimusa ligjëron në Universitetin e Shkencave të Aplikueshme të Grizonit në Zvicër. Arven Syla është doktorant në Universitetin e Gjenevës)