OpEd

A e rrëzoi Putini Draghin?

Pa marrë parasysh se edhe sa shumë gjëra mësojmë mbi përpjekjet ruse, për ta projektuar rënien e Draghit, një gjë është tashmë e qartë: Kremlini duhet ta shikojë me shpresë dhe me gëzim mundësinë e krijimit të një Qeverie, Meloni-Salvini-Berlusconi

Gjurmët e gishtërinjve të presidentit rus, Vladimir Putin, del të shfaqen gjithandej në zhvillimet e fundit politike, që kulmuan me dorëheqjen e Mario Draghit nga posti i kryeministrit të Italisë.

Pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë gjatë fundshkurtit, Draghi u përgjigj vendosmërisht duke i mbështetur sanksionet e ashpra ndaj Rusisë dhe duke ofruar mbështetje politike, financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Por, që të dyja aktet e kërkonin tejkalimin e rezistencës nga partitë populiste përbrenda koalicionit të tij qeverisës, të unitetit kombëtar: respektivisht Lëvizjes Pesë Yjet, udhëhequr nga ish-kryeministri Giuseppe Conte dhe partisë Liga të Matteo Salvinit. Dhe gjersa lufta zvarritej, kundërreagimi i këtyre forcave pro-Putinit u rrit.

Duke e parë, me aq sa duket, një mundësi, Ambasada ruse në Romë i është vënë rrotull Salvinit për muaj të tërë, madje edhe duke i blerë një biletë aeroplani drejt Moskës për një "mision paqeje" majin e shkuar (për këtë as që është brengosur ta informonte Draghin). Derisa ky udhëtim u anulua në minutën e fundit si rrjedhojë e një pakënaqësie publike, Salvini darkoi me ambasadorin rus në fillim të marsit, vetëm një javë pas pushtimit të Rusisë.

Në mënyrë të ngjashme, ish-kryeministri Silvio Berlusconi, një mik i kahershëm dhe i afërt i Putinit, pati të paktën një telefonatë me ambasadorin rus në ditët, që i paraprijnë rrëzimit të Draghit. Dhe në maj, një zyrtar nga partia e Berlusconit, Forza Italia, dhe një diplomat i lartë rus, raportohet se e kërkuan një emisar nga Liga, kur Salvini planifikonte të largohej nga Qeveria e Draghit.

Krejt këto i dimë, ngase sistemi politik i Italisë është tejet kaotik dhe i mbushur me amatorë për të qenë i padepërtueshëm. Shumë partive si dhe politikanëve thjesht u mungon disiplina për makinacione sekrete. Kësisoj, edhe më shumë hollësi rreth përpjekjeve ruse për ta trimëruar largimin e Draghit, ka të ngjarë që të dalin në dritë.

Hesapet e këtilla nuk përbëjnë asgjë të re. Më 2018, zyrtarë nga Liga udhëtuan në Moskë për të kërkuar fonde nga Rusia; dhe në fillim të 2020-s, Qeveria e Contes ia lejoi Putinit dërgimin e një misioni masiv ushtarak në Itali, me pretekstin e ofrimit të ndihmës humanitare në pandemi. Duke i pasur parasysh këto hesape të dyshimta të së kaluarës, vëzhguesit politikë dhe operativët italianë tani thjesht e marrin si të mirëqenë që Kremlini u ka ushtruar përfaqësuesve të tij italianë, për ta mënjanuar nga rruga Qeverinë e Draghit. Tekefundit, Kremlini dihet se përzihet në politikat demokratike perëndimore, nisur prej ndërhyrjes në referendumin e Brexitit të 2016-s, dhe zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara e krejt deri te financimi i Marshit Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Penit në Francë. Nuk ka asnjë arsye të mendohet se nuk do t’i ndiqte të njëjtat taktika edhe në Itali, duke e pasur mundësinë për të mbjellë ndarje përbrenda Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën frymë, Wagner Group, një organizatë mercenare e lidhur me Kremlinin, pretendohet se po i lehtëson flukset e refugjatëve në Itali nga territoret libiane ku operon, duke i dhënë Salvinit një pretekst për të kandiduar me platformën e tij të zakonshme, kundër imigracionit përpara zgjedhjeve të parakohshme të shtatorit. Sërish, kjo nuk përbën asgjë të re: Bjellorusia e zbatoi të njëjtën strategji kundër Polonisë dhe Lituanisë vitin e shkuar, pothuajse sigurt me pajtimin e Putinit.

Sondazhet e fundit të opinionit publik, i kanë dhënë avantazh të qartë një koalicioni të krahut të djathtë, që përbëhet nga Liga, Forca Italia dhe Vëllezërit e Italisë "post-fashistë", nën udhëheqjen e Giorgia Melonit. Por, çfarë mbetet për t'u parë është nëse roli i dukshëm i Rusisë në rënien e Draghit do të ndikojë në zgjedhjet italiane. Derisa zbulimet e deritanishme bënë bujë, çështja u pashit shpejt.

Sa për siguri, një sondazh i fundit tregoi se Putini është thellësisht jopopullor në Itali, ndërsa 56 për qind e italianëve e fajësuan Rusinë për luftën. Mirëpo italianët nuk janë unikë në prirjen për të votuar për çështjet, që i afektojnë në përditshmëri, në vend se në përgjigje ndaj intrigave ndërkombëtare, dhe pikërisht këtu, koalicioni i krahut të djathtë ofron diçka për të gjithë. Përderisa ata, që janë prorusë mund të votojnë për Ligën apo Forca Italian, ata që ndihen më shumë properëndimorë dhe proukrainas mund ta hedhin votën e tyre për Vëllezërit e Italisë, e cila tani po kryeson vendosmërisht në sondazhe.

Ndonëse Meloni i kundërshtoi sanksionet kundër Rusisë në zgjedhjet e 2018-s, që atëherë ajo ka marrë një qëndrim tjetër, duke e mbështetur vendimin e Draghit për ta furnizuar Ukrainën me armë dhe duke paralajmëruar kundër lejimit, që Italia të shndërrohet në “një lidhje të dobët në aleancën perëndimore”. Por nuk është e qartë se si do të dukej politika e jashtme e një qeverie të udhëhequr nga Meloni.

Meloni ia detyron ngritjen e saj politike kryesisht karizmës së saj personale dhe një agjende rëndom të paqartë “Zotit, familja dhe atdheu", që ia lejoi ta shmangte shpalosjen e hollësive rreth asaj, që ajo përmend, mendon apo synon ta bëjë në detyrë. Ajo nuk ka treguar pothuajse asnjë gjë për agjendën e saj të politikës ekonomike, për rrënjët fashiste të partisë së saj apo për marrëdhëniet e saja miqësore me kryeministrin autoritar të Hungarisë, Viktor Orbán, si dhe partinë neofrankiste spanjolle, Vox. Duke qenë e tillë, shumë italianë i kanë interpretuar si me vlerë deklaratat e saja të besnikërisë për Perëndimin.

Por a do ta ndiqte Meloni përnjëmend Draghin në zbatimin apo edhe ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë? Sipas të gjitha gjasave, ajo do të ishte dukshëm më pak e përkushtuar në regjimin e sanksioneve se sa që ishte Draghi. Në fillim të kësaj pranvere, ajo argumentoi jo vetëm se Italia duhet të marrë "kompensim" nga BE-ja për koston e sanksioneve, por edhe se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presin që Italia të shërbejë si "një kalë pune i Perëndimit", duke i tkurrur eksportet e saj në Rusi.

Pa marrë parasysh se edhe sa shumë gjëra mësojmë mbi përpjekjet ruse për ta projektuar rënien e Draghit, një gjë është tashmë e qartë: Kremlini duhet ta shikojë me shpresë dhe me gëzim mundësinë e krijimit të një Qeverie Meloni-Salvini-Berlusconi.

(Federico Fubini, gazetar i ekonomisë dhe kryeredaktor në Corriere della Sera, është autor i librit “Sul Vulcano” (Longanesi, 2020). Vështrimi është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore).