OpEd

Ringjallja e zgjidhjes me dy shtete

Përsëritja e pafundme e shprehjes “zgjidhje me dy shtete” nga zyrtarët amerikanë nuk do të thotë asgjë. Por teksa pak presin që SHBA-ja të sanksionojë Izraelin ose të armatosë palestinezët (siç ka bërë me ukrainasit), ka ende hapa praktikë që Amerika dhe komuniteti ndërkombëtar mund të ndërmarrin për ta bërë zgjidhjen me dy shtete më shumë se slogan bosh

Për dekada, konflikti përcaktues i Lindjes së Mesme është rrotulluar rreth zhargonit të vetëm diplomatik: “zgjidhja me dy shtete”. Fillimisht, ky term i referohej idesë konkrete – formimit të shtetit sovran e të pavarur palestinez përkrah Izraelit. Por për shumicën e politikanëve, ideja është kthyer prej kohësh në klishe boshe, e thënë nga shprehia dhe pa shumë interes për ta analizuar atë.

Merrni parasysh telefonatën e fundit të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas. Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, Blinken “theksoi angazhimin e SHBA-së për të përmirësuar cilësinë e jetës së popullit palestinez në mënyra të prekshme dhe mbështetjen e administratës [Biden] për zgjidhje të negociuar me dy shtete”.

Muhabeti i tillë nuk është asgjë e re. Ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Izraelit që nga viti 1948, SHBA-ja ende nuk e ka njohur shtetin e Palestinës në përputhje me planin e ndarjes së Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, të dy territoret që rezoluta origjinale e OKB-së i caktoi për një shtet arab tani janë të pushtuara nga Izraeli. Ndërsa, SHBA-ja dhe pjesa tjetër e botës i kanë bërë thirrje Izraelit që t’i japë fund sundimit ushtarak mbi miliona palestinezë, ata kanë bërë pak për të ndryshuar status quo-në. Edhe pse Palestina është njohur si shtet jo-anëtar nga OKB-ja dhe është njohur zyrtarisht nga 139 shtete anëtare të OKB-së, SHBA, Bashkimi Evropian, Japonia dhe Australia ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap kritik.

Nisur nga kjo, përsëritja e pafundme e shprehjes “zgjidhje me dy shtete” nga zyrtarët amerikanë nuk do të thotë asgjë. Por teksa pak presin që SHBA-ja ta sanksionojë Izraelin ose të armatosë palestinezët (siç ka bërë me ukrainasit), ka ende hapa praktikë që Amerika dhe komuniteti ndërkombëtar mund të ndërmarrin për ta bërë zgjidhjen me dy shtete më shumë se slogan bosh.

Për shembull, SHBA-ja mund ta heqë Organizatën për Çlirimin e Palestinës – e cila nënshkroi Marrëveshjen e Oslos të vitit 1993 së bashku me Izraelin – nga lista e organizatave terroriste. Mund t’i bllokojë importet e produkteve të bëra në vendbanimet ilegale hebreje që mbajnë etiketën “Made in Israel”. Dhe mund të kërkojë që Izraeli të pushojë dhunën e përditshme të ushtruar kundër palestinezëve dhe të ndjekë drejtësinë për Shireen Abu Akleh, gazetaren e vrarë palestinezo-amerikan, për të cilin vetë zyrtarët amerikanë besojnë se ka mundësi të jetë vrarë nga një plumb izraelit.

Amerika gjithashtu mund të bëjë më shumë për të ndihmuar palestinezët të ndërtojnë institucionet shtetërore që u nevojiten për t’i dhënë fund kontrollit izraelit të tokës, ujit dhe ajrit palestinez. Siç qëndrojnë gjërat, Izraeli kufizon përdorimin e ujit nga palestinezët dhe vendos rregullore për strehimin në territoret e pushtuara, ku shtëpitë palestineze shkatërrohen rregullisht. Palestinezët nuk janë as të lirë të përmirësojnë antenat e tyre të telefonave celularë, për shkak të antenave izraelite që janë vendosur ilegalisht në tokat e pushtuara palestineze.

Në këto kushte, ekonomia e pavarur palestineze është e pamundur. Por një shtytje e fortë për të ndihmuar palestinezët të angazhohen ekonomikisht me vendet fqinje arabe – veçanërisht Egjiptin dhe Jordaninë – mund të nisë procesin e përfundimit të varësisë së detyruar të palestinezëve nga Izraeli. Policisë palestineze duhet t’i lejohet prania në Urën e Mbretit Husein që lidh Jordanin me Bregun Perëndimor dhe palestinezëve duhet t’u jepet kalim i sigurt midis Bregut Perëndimor dhe Gazës. Izraeli u angazhua për të arritur të dyja rezultatet kur nënshkroi Marrëveshjet e Oslos.

Zhvillimet e fundit politike sugjerojnë se përparimi i ri në këto çështje është i mundur. Politikani izraelit i qendrës Yair Lapid kishte marrë detyrën si kryeministër i përkohshëm përpara vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden në rajon në fillim të muajit korrik. Ndryshe nga kryeministri në largim i krahut të djathtë, Naftali Bennett, Lapid mbështet zgjidhjen me dy shtete dhe mbron rinovimin e negociatave me udhëheqjen palestineze.

Megjithatë, mandati i Lapidit do të jetë ndoshta jetëshkurtër, duke pasur parasysh se izraelitët do të shkojnë në zgjedhje në nëntor për të zgjedhur qeverinë e re. Edhe një herë, palestinezët kanë mbetur duke pritur dhe duke shpresuar për rezultat pozitiv në zgjedhjet izraelite, gjë që shumica e konsiderojnë tani si humbje kohe.

Toka midis Detit Mesdhe dhe lumit Jordan ose duhet të ndahet në dy shtete sovrane, ose duhet të ndahet midis popullit palestinez dhe izraelit, dhe të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejta të barabarta. Udhëheqësit izraelitë dhe amerikanë, të cilët pretendojnë se besojnë në zgjidhjen me dy shtete, duhet të dëshmojnë se nënkuptojnë atë që thonë. Së paku, SHBA duhet të kërkojë – duke përdorur kërcënimin e sanksioneve – që Izraeli të mos ndjekë asnjë veprim të mëtejshëm që pengon realizimin e shtetit palestinez.

Kur Biden ishte zëvendëspresident, administrata Obama lejoi miratimin e Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila shpalli të paligjshme të gjitha vendbanimet izraelite në “territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967” dhe që i bëri thirrje Izraelit të bllokojë ndërtimin e vendbanimeve shtesë në territoret e pushtuara. Por më vonë këtë muaj (vetëm pas largimit të Biden), zyrtarët izraelitë kanë njoftuar miratimin e planit të ri të diskutueshëm të vendbanimeve që do të eliminojë lidhjen e mbetur midis veriut dhe jugut të Bregut Perëndimor.

Aktiviteti i vazhdueshëm i vendbanimeve izraelite bën tallje të plotë me zgjidhjen me dy shtete dhe çdo lider politik që ende pretendon se e mbështet atë. A janë seriozë liderët botërorë – duke filluar me Bidenin – kur flasin për një shtet demokratik palestinez përkrah një Izraeli të sigurt? Në mungesë të ndryshimeve kuptimplote të politikave, “zgjidhja me dy shtete” do të vazhdojë të tingëllojë e thatë.

(Daoud Kuttab, ish-profesor i gazetarisë në Universitetin Princeton, është themelues dhe ish-drejtor i Institutit të Mediave Moderne në Universitetin Al-Quds në Ramallah. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)