Vështrime

Kur “Manifesta” të ikë, do të mbetemi ne

Për artin, politikat kulturore dhe për shtetin, “Manifesta 14” është ngjarje ideale për ta parë veten. Edhe sikur ta linte vetëm këtë shteg, do të ishte mjaftueshëm. “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”, majë “Grandit” vazhdon të bëjë dritë në zymtësinë tonë. E qartë, Bienalja Nomade Evropiane bëri mirë që erdhi, është ngjarje e madhe, por kur ajo të ikë, do të mbetemi ne

Raporti i shtetit me artin është i njëjtë sikurse ai me “Grandin”: vëzhgues përballë procesit të dyshimtë të privatizimit, ca punimeve të lëna përgjysmë, cenimit të përditshëm të tij edhe kur në letër e shpalli monument dhe s’e mbron dot e, mbi të gjitha, pa strategji se çfarë të bëjë me të. Dhe duhet të vijë dikush prej jashtë që ta këndellë e ta cytë e t’ia hedhë shikimin. Raporti i shtetit me “Manifesta 14”, është gati i njëjtë – vëzhgues. Në parim, arti është ai që guxon e duhet të merret me politikën dhe jo e kundërta. Por në rastin e Kosovës dhe të Bienales Nomade Evropiane, nuk e gjen dot nëse një parim i tillë të jetë bërë për hir të artit e të pavarësisë së tij.

Që në fillim, kur Prishtina iu fut garës për t’u bërë nikoqire, “Manifesta” qe dyshuese në raport me shtetin. E kjo përkthehet te garancitë që u kërkuan qysh në prillin e para tre vjetëve. Një herë “garanci prej shtetit për 4,6 milionë euro”, mandej “garanci ndërkombëtare që edhe nëse ndërron pushteti politik nuk mund të ndryshohet marrëveshja pasi është garanci bankare” dhe më pas “kjo është shuma që ne duhet ta bëjmë që ‘Manifesta’ të vijë këtu”. Në emërim, një ngjarje si kjo, tingëllon e majtë. Në esencë del kapitaliste. Larg asaj – midis Vjenës e Kievit që garuan për nikoqirllëkun e sivjetmë – të vendoste në besë për kryeqytetin. Por nëse do të ekzistonte raporti midis Bienales dhe shtetit, cila është garancia që kërkoi financuesi se çfarë do të mbetet kur “Manifesta” të ikë prej “kryeqytetit historik të të rinjve”, siç do të thoshte drejtoresha e “Manifestas” Hedwig Fijen në majin e vitit 2019, apo nga “Prishtina, qytet i kontradiktave”.